Kush e gjurmon Ben Blushin? Fotografohet duke hyrë në Kryeministri
Drejtori i Top Channel, Ben Blushi është fotografuar duke hyrë në godinën e Kryeministrisë.
Lajmi është publikuar në disa media on-line, ku nga fotot e siguruara, shihet që Blushi është drejtuar drejt hyrjes së pasme të godinës, ndërkohë që nuk dihet motivi i kësaj vizite të papritur, por duhet theksuar se pas gjithë akuzave të ndërsjellta që janë bërë midis Ramës dhe Blushit, ky takim është tepër surprizues.
Ajo që ka shtuar dyshimet rreth kësaj vizite të beftë është ideja se kush mund t’a ketë fotografuar Ben Blushi, ndërkohë që ai është tërhequr nga politika për t’iu rikthyer profesionit në media.
Kujtojmë se Blushi ka qenë një kritik i Edi Ramës, fillimisht me Lëvizjen për Mendimin Ndryshe, por gjatë fundit të mandatit të parë të qeverisë Rama i prishi marrëdhëniet me kryeministrin duke dalë në opozitë me qeverinë.
Blushi krijoi partinë e tij “Libra”, e cila u fut në zgjedhjet e kaluara të përgjithshme, por pa mundur të marrë asnjë mandat deputeti.
Gazetari Artur Zheji nga studio e emisionit “360 gradë”, të enjten deklaroi se takimi i z.Blushi me kryeministrin Edi Rama në Kryeministri, krijon dyshime se qeveria tranzitore mund t’i besohet Ben Blushit.
“Ai që ma thotë mua di dhe gjëra korridoresh dhe Rama është duke kërkuar personazhin tranzitor, pavarësisht se thotë se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme”,- tha Zheji.
Megjithatë edhe pse shumë personazhe të njohura në vend dhe nga media hyjnë dhe dalin nga Kryeministria, duket se lajm përbën vetëm Ben Blushi. Rikujtojmë se ky i fundit, prej një viti, ndiqet dhe fotografohet në takime të ngjashme edhe pse nuk është më pjesë e politikës. Më herët, ai u fotografua gjatë një dreke me këshilltarin e kryeministrit për mediat, Endri Fugën dhe herë tjetër me gjykatësin Ardian Dvorani, në një nga lokalet e njohura të kryeqytetit./ Gazeta Liberale
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu