Rama akoma mbi kalë, në SHBA ikën Clinton, Bush, Obama, erdhi Trump
Mapo.al
Pas rënies së Perdes së Hekurt, mes ekspertëve të shkencave politike kishte një dakordësi se vendet që po linin pas monizmin, të lodhura nga ky sistem, do të qarkullonin më shpesh figurat politike. Sipas tyre, shumica e politikanëve mezi do e kapërcenin një mandat.
Mirëpo politika gjithmonë të surprizon. Pas pak ditësh mbushen 21 vite në pushtet për Edi Ramën, politikanin që nuk e ka njohur dorëheqjen në karrierën e tij. Janë më shumë se dy dekada në pushtet, thuajse një gjeneratë. Historia ka përjashtime, por shumica e autokratëve dhe diktatorëve thuajse një gjeneratë zgjasin.
A është rasti të mendosh se Rama po zgjat kaq shumë në pushtet për shkak të qeverisjes së mirë? Shqipëria vërtet ka ndryshuar, por në çdo drejtim vazhdon të mbetet shteti më i varfër, më i korruptuar dhe më i krimbur nga krimi se çdo tjetër në Europë. Nuk është e nevojshme të lodheni duke kërkuar gjatë për të kuptuar qeverisjen Rama, mjafton të shihni raportin e sotëm të Departamentit të Shtetit për trafiqet dhe korrupsionin, ose lexoni kërkesën e tre partive kryesore në Holandë për rikthimin e vizave ndaj Shqipërisë.
Arsyeja se përse historia në Shqipëri përsëritet lidhet me një shkak më të thjeshtë: Shqipëria vazhdon të ketë zgjedhje të monitoruara dhe të pranuara, por jo të certifikuara. Edhe kancelaritë e huaja, kur flasin për krizën aktuale, thonë se zgjedhjet janë të pranuara, por askush nuk e thotë hapur që asnjë palë zgjedhje nuk janë certifikuar si të lira dhe të ndershme.
Kurse kryeministri thotë se zgjedhjet janë vjedhur e dëmtuar, por jo aq sa duhet për të ndryshuar rezultatin. Njësoj sikur të hysh në një dyqan dhe kasapi të të thotë se ka dy kile mish, por është pak i prishur. Shqiptarët megjithatë kanë vendosur ta hanë këtë ‘mish’ të prishur, edhe pse e dinë se pasojat mund të jenë fatale.
“Të mendosh që Rama është në pushtet që nga 1998, kur president ne USA ishte Bill Klinton. Që atëherë, ka ikur Billi, ka ardhur Bushi. Ka ikur Bushi ka ardhur Obama. Ka ikur Obama e ka ardhur Trump,” shkruan në Facebook ‘Njeriu i memeve’, Genc Sejko. Ose mos shkoni shumë larg, shihni Francën e Jelekëverdhëve, e cila ngrihet në protesta pavarësisht se të ardhurat për frymë i ka dhjetë herë më të mëdha se Shqipëria. Ata flakën Sarkozy-në, i vunë ‘kazmën’ Hollande dhe tashmë po e çojnë drejt fundit edhe Macron brenda një kohe të shkurtër.
Kurse shqiptarët vazhdojnë akoma të mbajnë mbi shpinë ‘kalorësin’ Rama.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu