Ish-deputeti Dashamir Shehi i ftuar në “Arena” në Ora News, tha se sistemi zgjedhor përjashtoi nga Partia Socialiste intelektualët.
“Ky sistem politik dhe ky sistem zgjedhor asgjësoi intelektualët dhe disidentët e të majtës dhe këtu tepruan hajvanët e të majtës, hajdutët hynë në Parlament. Ndërsa Blushi dhe Hafizi ishin më intelektualët. Partia Socialiste nuk ka prodhuar në 10 vitet e fundit një politikan si Blushi. Këtë e bëri ky sistem“, tha Shehi.
Duke folur për kodin zgjedhor ai tha se kryeministri Rama dhe ish-kreu i PD Sali Berisha rrënuan demokracinë, me kodin zgjedhor që miratuan.
“Basha pas çadrës e ka kuptuar se nëse nuk bën disa hapa të guximshëm përpara ka shumë pak hapësirë politike. Dhe unë e gjykoj se ka bërë një hap të madh për të ndryshuar sistemin, dalja e tij bashkë me ne nga parlamenti është hapi më i madh, sepse parlamenti është pjesë e sistemit. Duke anatemuar këtë situatë, duke dhënë hapësirë për një rrugë tjetër, ka bërë një hap të madh.
Ky është hap i madh, sepse deri më dje nuk e ka bërë asnjë. Basha e ka artikuluar, ka ardhur koha që të ndryshojmë kodin zgjedhor, sepse demokracia buron me zgjedhjet.
Ne, e kemi kuptuar se me këtë kod zgjedhor të deformuar, të bërë në emër të kryetarëve të partisë që ishin, Edi Rama, Berisha, e rrënuan demokracinë shqiptare. Këtu nuk janë bërë më zgjedhje, këtu janë zgjedhur kryetarët e partive. U bënë 10 vjet që qytetarët nuk zgjedhin më, votojnë një listë partie që është e mbyllur, që e merr vesh natën e fundit“, tha Dashamir Shehi.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu