Lidhu me ne

Kryesore

Si e nisi karrierën politike Ramush Haradinaj

Pjesë nga libri “Haga e Ramush Haradinaj”

Nga Michael O’Reilly

Rezoluta 1244 la një sërë çështjesh kyçe të pazgjidhura, veçanërisht statusin politik të Kosovës. Ishte një gjëegjëzë ligjore dhe linguistike që njëherazi njihte integritetin e kufijve të Jugosllavisë dhe kërkonte një “zgjidhje përfundimtare… duke mbajtur parasysh… marrëveshjet e Rambujesë”. Duke qenë se “zgjidhja përfundimtare “ do të bazohej te “vullneti i popullit” nuk duhej të kishte patur më dyshime mbi drejtimin që ky proces po merrte dhe sa kohë do të zgjaste. Ndoshta ndodhi sepse Marrëveshjet e Rambujesë ishin për t’u marrë parasysh, më tepër se të implementoheshin, ose ndoshta nuk ishte përcaktuar qartë se cilët “persona” do të konsultoheshin për vullnetin e tyre. Ose ndoshta konferenca e sinjalizuar ndërkombëtare në fund të tri viteve (e cila nuk u mbajt asnjëherë) do të përcaktonte vetëm një ‘mekanizëm’ për marrëveshjen përfundimtare sesa vetë marrëveshjen.

Në kohën afatshkurtër, UNMIK ishte përgjegjës, midis të tjerash, për të promovuar autonominë e Kosovës, duke drejtuar administratën civile, duke zhvilluar institucione demokratike dhe duke mbajtur zgjedhjet. Struktura kushtetuese për vetëqeverisje provizore numër 71 e përshtatur, apo imponuar nga Kombet e Bashkuara, parashikonte një Asamble të votuar dhe qeverisje e cila gradualisht do të merrte përsipër autoritet të plotë administrativ dhe qeverisës, por gjithmonë të ishte subjekt i fuqisë së vetos së Kombeve të Bashkuara. Ajo ofronte një strukturë për lëvizjen drejt pavarësisë së plotë por jo më tepër se aq.

Skena politike e pasluftës në Kosovë ishte e polarizuar mes forcave të vjetra anti UÇK-së, përfaqësuar nga LDK-ja e Ibrahim Rugovës dhe ish-forcave të UÇK-së, të përfaqësuar nga PDK-ja e Hashim Thaçit. Gjatë viteve 1990 Rugova dhe LDK, me politikën e tyre të rezistencës pasive, kanë gëzuar një mbështetje të madhe publike, veçanërisht në qytetin relativisht të sigurt të Prishtinës dhe në zonat urbane përreth. Nga mesi i vitit 1998, popullsia i ishte bashkuar UÇK-së. Pas mbarimit të luftës dhe kur çështjet kryesore ishin rindërtimi dhe menaxhimi i marrëdhënieve me bashkësinë ndërkombëtare, populli i Kosovës u kthye në numër të madh në përkrahje të Rugovës dhe LDK-së.

Në mars të vitit 1999, kur NATO më në fund vendosi të veprojë, menjëherë Shtabi i Përgjithshëm u vetëdeklarua si “qeveria e përkohshme” me Hashim Thaçin si kryeministër-një akt i rëndësishëm simbolik por që në realitet ishte krijuar thjesht një qeveri fantazmë dhe që do të shkrihej janarin e ardhshëm për t’iu hapur rrugë institucioneve të mbikëqyrura nga OKB. Rugova qëndroi i tërhequr dhe lejoi që ngjarjet të ndodhnin. Ai me vetëdije po shmangte një konflikt që mund të përshkallëzohej deri në luftë civile. Në këtë mënyrë ai i dorëzoi pushtetin politik disa njerëzve për të cilët ai kishte dyshime të mëdha. Thaçi dhe kolegët e tij, ekspozimi i tyre ndaj negociatave të një niveli të lartë politik në Rambujesë, iu mungonte sofistikimi politik dhe aftësitë për t’u përballur me kërcënimet e shumta të brendshme dhe të jashtme me të cilat do të përballej shteti i porsalindur i Kosovës.

Rikthimi i Rugovës nuk erdhi krejtësisht si rezultat i pozitës apo aftësive të tij politike. Nga fundi i vitit 1999 anëtarët e UÇK-së u shpërbën zyrtarisht në tri grupe të ndryshme. Disa krijuan një parti politike (PDK), të tjerët iu bashkuan Policisë së Kosovës (SHPK) dhe pjesa më e madhe iu bashkuan Forcave të Mbrojtjes së Kosovës, e cila pritej të bëhej ushtria e Kosovës me kalim e kohës. Megjithatë secili prej grupeve kishte në përbërjen e tij elementë kriminalë. ‘Shtylla Katër—Krimi i organizuar’ ishte titulli i një seksioni në një raport të publikuar në mars 2000 nga Grupi i Krizës Ndërkombëtare. Ajo përshkruante një atmosferë “ngacmimesh, zjarrvëniesh, dëbimesh dhe vrasjesh” të krijuara nga disa ish-pjesëtarë të UÇK-së, apo grupe të cilat përdornin flamurin e UÇK-së si distinktiv lehtësie, për të cilët raporti thoshte se ishin përgjegjës për dëbimin e një numri të konsiderueshëm Serbësh dhe Romësh.

As LDK dhe as PDK nuk kishin një pozicion politik të mirëpërcaktuar, por një gjë e tillë nuk kishte rëndësi në një kontekst politik në të cilin pavarësia ishte çështja e vetme e diskutueshme. LDK-ja e Rugovës krijoi lidhje me partitë demokristiane të Europës dhe CDU-në duke mbështetur Konrad Adenauer Stiftung në Gjermani. PDK-ja e Hashim Thaçit kishte lidhje me grupimet Socialiste në Parlamentin Europian dhe marrëdhënie shumë të ngushta, duke përfshirë edhe ndihmën materiale, me Partinë Laburiste Britanike dhe partinë Social Demokrate Gjermane Fridrik Ebert Stiftung. Këto ishin përkatësi natyrore për Thaçin dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë të cilët vinin nga pikëpamje tradicionale enveriste në Kosovë vinte nga një traditë enveriste, megjithatë në realitet lidhjet ishin kryesisht për gjetje “donatorësh”.

Raporti i marsit të vitit 2000 i “Crisis Group” përshkruante Ramush Haradinajn si “një nga njerëzit më të fuqishëm në Kosovë”. Në artikull shprehej se atij “nuk i pëlqen polarizimi i politikës Kosovë-Shqipëri” dhe se ai “do të donte të inicionte një lëvizje të gjerë qytetare e cila në një kohë të caktuar do të shndërrohej në parti”. Kjo ishte rruga që ndoqi Haradinaj. Ashtu si veproi kur filloi fushatën ushtarake kundër forcave të Beogradit, Haradinaj iu largua kursit të qartë: ai nuk iu bashkua asnjërës prej dy partive kryesore politike por ndoqi një rrugë të tretë. Në vitin 2000 ai formoi Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në fillim një bashkim grupimesh të ndryshme të vogla, të cilat ai shumë shpejt i shndërroi në një parti të vetme.

Motivimi i Haradinajt për krijimin e një lëvizje të re politike ishte e paqartë për shumë prej bashkatdhetarëve të tij. Ndoshta qasja e tij në politikën e pas luftës ishte shumë idealiste për t’u kuptuar, sidomos nga një njeri që vetëm disa muaj më parë kishte qenë një komandant i UÇK-së me një reputacion të frikshëm. “Unë isha me të vërtet i bindur” është shprehur Haradinaj, “se aty ku dikur kishte qenë detyrim i çdo shqiptar që të mund të luftonte, të marrte armët, tani ishte koha për të gjithë shqiptarët e aftë. . . të vënë veten në shërbim të aspiratave tona qytetare dhe kombëtare”. Haradinaj sigurisht kërkonte të përfundonte puna për krijimin e një shteti të pavarur, por ai gjithashtu donte të ndërtonte shkolla dhe rrugë, si dhe shtëpi për familjet e pastreha. Qëndrimi i tij i mëparshëm refuzues kundrejt Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ishte drejtuar tashmë tek pasardhësit e tyre në politikë, kur ai tha, për shembull, se:

Gjeneral Reinhardt njoftoi një plan veprimi për pastrimin e Prishtinës. Po atë ditë (mars 2000) dy udhëheqësit kosovarë kërkuan pavarësi në Budapest! Prishtina nuk ishte mjaftueshmërisht e pavarur për t’u pastruar vetë – një gjeneral i ushtrisë gjermane ishte duke pastruar Prishtinën -dhe udhëheqësit tanë kërkonin pavarësi. Ata duhej të bëjnë një kontroll të realitetit.

Megjithatë shqetësimi i vërtetë i Haradinajt ishte se politika e pasluftës në Kosovë po shndërrohej në një garë të legjitimitetit dhe të pronësisë mes dy lëvizjeve me tendenca të qarta: Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, tani në PDK, dhe LDK-ja e Rugovës e cila për një gjeneratë kishte ushqyer frymën e rezistencës intelektuale dhe praktike. Haradinaj tha se ai dëshironte:

 … bashkimin e vlerave tona më të mira politike bazuar në vlerat e qëndrueshme të së kaluarës. Unë nuk dua thjeshtë të përvetësoj këto vlera, por t’i shpalos ato në gjykimin e qytetarëve tanë, por si mund të arrihet një gjë të tillë? Nëpërmjet një forme gjithëpërfshirëse të unifikimit në të cilat qytetari mund të përfshihet.

Gjatë një periudhe disamujore në vitin 2000, Haradinaj mblodhi së bashku disa parti të vogla politike për të formuar ‘Aleancën’, në kërkim të bashkimit të tij gjithëpërfshirës. Ai kërkoi këshillimin dhe mbështetjen e shumë individëve të ndryshëm – duke filluar nga ish-Udhëheqësit e UÇK-së deri te Mahmut Bakalli, kryetari i dikurshëm i Partisë Komuniste të Kosovës. Ai foli për një kulturë të polarizimit, të ngulitur në versionet e ndryshme të historisë:

Sipas librave (të historisë zyrtare), Partizanët ishin heronj; në oda, brezat e vjetër do të thonin se heronjtë ishin ballistët dhe jo partizanët. Pastaj gjatë luftës u vu re tendenca ndaj një polarizimi edhe të UÇK-së… duke bërë të qartë për mua se… ne duhet të përpiqemi të parandalojmë zhvillimin e armiqësive.

Në fillesat e saj, AAK ishte edhe më pak e qartë se partitë e Rugovës dhe Thaçit lidhur me pozicionin e saj politik. Programi politik i saj ishte një përmbledhje e dendur e angazhimeve për të ndrequr gjithçka që ishte e gabuar me botën dhe në këtë mënyrë ishte plot kontradikta brenda saj. Kjo ishte pjesërisht për shkak se grupimet origjinale të organizatës kishin ideologji gjerësisht të ndryshme, të bashkuar me një besim (ose shpresë) të vetme se Haradinaj mund të jetë po aq i suksesshëm në politikë sa kishte qenë në fushën e betejës. Megjithatë Haradinaj vetë ishte shumë më i qartë se liderët e tjerë të Kosovës lidhur me pozicionin e tij. Ai ishte një ekonomist konservator, një liberal social, dhe për rrjedhojë joideologjik. Ai besonte, për shembull, se shteti i ri i Kosovës duhet të jetë një partneritet aktiv i sektorit privat në një masë të tillë që neo-liberalizmi i ri do të shihej me shumë dyshim. Argumenti i tij ishte se infrastruktura e Kosovës ishte papërshtatshme për zhvillimin ekonomik dhe se çelësi për zhvillimin e kësaj infrastrukture ishte një partneritet i ngushtë mes sektorit privat dhe atij publik. Larg nga prezantimi i një shteti si aktori dominues ekonomik, Haradinaj ishte duke theksuar nevojën për një shtet të qëndrueshëm, me njohje ndërkombëtare, i cili do mund të sigurojë një infrastrukturë ligjore dhe administrative që do të garantonte investitorët vendas dhe të huaj, një mjedis biznesi të rregullt dhe transparent si dhe, ç’është më e rëndësishmja, një titull pronësie pa të cilin Kosova do e kishte të pamundur zhvillimin ekonomik dhe politik. Por kjo infrastrukturë themelore juridike ishte e paarritshme nën statusin e përkohshëm dhe të papërcaktuar të Kosovës.

Zgjedhjet parlamentare të mbajtura në vitin 2001 u pasuan me krijimin e një qeverie gjithë-partiake ku bënte pjesë dhe AAK. Bajram Rexhepi, një kirurg i arsimuar në Zagreb, i cili kishte shërbyer në luftë si mjek në terren, ishte zgjedhja konsensuale për kryeministër. Haradinaj, ashtu si Hashim Thaçi, refuzuan të pranojnë një kabinet ministror apo një vend në parlament. Pushteti i vërtetë ishte diku tjetër – në vetot efektive mbajtur nga tre persona: Ibrahim Rugovës (i cili mbajti postin simbolik të Presidentit), Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, treshja që përfaqësonte popullin e Kosovës dhe u ul përballë aktorëve kryesorë të komunitetit ndërkombëtar Përveç zonës së Haradinajt, Dukagjinit, AAK-ja luftoi që të merrte një mbështetje të fortë, duke fituar vetëm 10% të votave të përgjithshme popullore. Në Prishtinë, partia me shumë vështirësi arriti të grumbullonte 5%. Ishte një shaka fushate ku anëtarë të AKK i kërkonin një gruaje të moshuar votën e saj për ‘Ramushin’. “Oh jo”, u përgjigjet ajo:

“Unë do të votoj për Dr. Rugova – ai është një njeri i arsimuar, një profesor – ai ka studiuar në Paris…”. Përfaqësuesi i AAK bëhet nervoz dhe debaton me të – “në qoftë se të gjithë ju votoni për Rugoven, serbët do të kthehen”. “Por- përgjigjet ajo- nëse serbët kthehen ne e kemi Ramushin”.

Haradinaj duket të ketë nënvlerësuar vështirësitë e hasura nga palët e treta në një sistem dypartiak – u provua vështirësia për të bindur njerëzit se një mënyrë e tretë ishte nevojshme. Ai gjithashtu mund të ketë mbivlerësuar aftësinë e veta për të krijuar një forcë politike konkurruese nëpërmjet forcës së vullnetit të lirë dhe të personalitetit. Dilema e tij ishte se, ndërsa në përpjekje për të krijuar një forcë politike që mund të ngrihet mbi ndarjet e luftës, ai vetë në mënyrë të vendosur dhe ekskluzivisht do identifikohej me luftën. Ai donte të zhvillonte një lëvizje që do të bashkonte fraksione të ndryshme, por ai nuk mundi ta bënte këtë në mënyrë të besueshme për shkak të sulmeve nga dy partitë kryesore. Idealizmi i tij “i bashkimit gjithëpërfshirës të unifikuar” me hapësirë për qytetarin duhej të bashkërendohej me nevojën urgjente për krijimin e një partie të fortë dhe të disiplinuar politike, ashtu si të tjerët.

Pavarësisht pengesave të hershme zgjedhore, Haradinaj “luftoi” shumë në radhët e AAK-së. Kudo që shkonte, ai pritej me dashuri dhe respekt të madh, por ai shihej si hero lufte dhe jo si politikan. Ai kishte lidhje të forta me njerëzit e thjeshtë, por me sa duket, ai nuk arriti të kuptonte se si silleshin ata në kutitë e votimi. Ai gjithashtu ndoshta nuk arriti të kuptojë që votuesit mjaftoheshin me praninë e tij në krye të tryezës, në përballje me komunitetin ndërkombëtar. AAK dukej si një shtojcë e tepërt për Ramush Haradinaj, dhe shumë njerëz dëshironin që ai thjesht të merrte kontrollin e njërës prej dy partive të mëdha dhe të harronte “rrugën e tretë”.

***

Haradinaj ndonjëherë dukej në një gjendje depresioni për shkak të aktivitetit të ulët politik në Kosovë. Ndjenja e asfiksimit politik nga presioni i komunitetit ndërkombëtar dhe me dy partitë e mëdha rënë dakord për një raund të vazhdueshme konferencash dhe delegacionesh. Fluksi i vazhdueshëm i vizitorëve nga OKB-ja, BE-ja, OSBE-ja, NATO, UNDP-ja, Banka Botërore dhe qindra OJQ-ve pak të njohur si dhe përfaqësues të disa vendeve të ndryshme – bënë të lehtë të besohej se shumë prej politikave po funksiononin. Në të vërtetë, për shumë prej politikanëve dukej një jetë rraskapitëse. Haradinaj e dinte në fakt se shumë pak po ndodhte gjatë atyre viteve.

Haradinaj ishte një lider politik efektiv, por një menaxher mesatar partie. Ai ishte i ngadaltë në përshtatjen e teknikave moderne në fushata dhe, si një teknofob i konfirmuar, ai injoroi plotësisht potencialin e internetit edhe pse Kosova po hynte me hapa shumë të shpejtë në boten e internetit.

Përpjekjet e ndërgjegjshme të një pjese të vogël të stafit nuk bënë dot që drejtimi i partisë të organizonte një fushatë aktive dhe ky ishte dështimi i Haradinajt, jo i tyre. Ai nuk dukej i gatshëm të angazhonte burimet profesionale në parti, duke preferuar të mbështetet në përpjekjet vullnetare, ndihmën e pakët nga organizatat ndërkombëtare dhe praninë e tij komanduese në mbledhjen e disa grupimeve brenda partisë. Ai herë pas here shfaqi dëshirën ambicioze të politikanit karakteristik për vëmendje ekskluzive. Një incident tipik u vu re në një mbledhje informale të partisë në një restorant fshati jashtë Prishtinës në qershor të vitit 2003. Haradinaj ishte duke mbajtur një nga fjalimet e tij të zakonshme elokuente, por një murmurimë bisede vinte diku nga fundi i tavolinës. Pa e ndërprerë fjalimin, Haradinaj kap një gotë të madhe duke e mbajtur në dorë për disa sekonda përpara se ta lëshonte atë mbi dysheme, duke bërë që copëzat e qelqit të përhapeshin në çdo drejtim. Ai vazhdoi me bisedën e tij, tashmë me një vëmendje të pandashme nga e gjithë dhoma.

Ditët përbëheshin nga një rrjedhë e pafundme takimesh e telefonatash, të gjitha të qëllimshme e të shkurtra. Vendosshmëria e Haradinajt la të kuptohej se një takim për të diskutuar një çështje komplekse mund të mbaronte në 5 minuta. Megjithatë, ndërkombëtareve u jepej trajtimi i plotë: një përzierje e mikpritjes tradicionale shqiptare me bisedime politike shumë moderne përdoreshin për të befasuar e argëtuar. Vizitat në shtëpinë e tij në Gllogjan dhe ekspozimi i bukurive natyrore dhe bujaria e prindërve të tij përdoreshin me paturpësi për të joshur të huajin edhe me shumë. Por gjatë gjithë kohës ka pasur një ndjenjë se ai nuk kishte mjaft për të bërë si një udhëheqës i thjeshtë partie.

Në vitet e para të karrierës së tij politike, Haradinaj ka jetuar në një dhomë të vetme me lagështi dhe të pistë, ngjitur me një banjo të vogël pa derë, në zyrën e AAK-së në Prishtinë. Nuk kishte asnjë gjenerator në ndërtesë dhe ajo ishte shpesh në errësirë dhe pa ngrohje. Furnizimi me ndërprerje me energji elektrike në Kosovë ka qenë dhe vazhdon të mbetet një burim skandali dhe vështirësish. Megjithatë, nga mesi i vitit 2003, Haradinaj kalonte një pjesë të kohës çdo ditë duke mbikëqyrur një projekt ndërtimi në Dragodan, një zonë e ngritur, me një pamje panoramike të qytetit të Prishtinës. Nëpërmjet smogut të shkaktuar nga stacioni i prodhimit të energjisë elektrike të KEK (Korporata Elektroenergjetike e Kosovës e cila ka konsumuar pothuajse një miliard euro nga ndihmat e huaja, por shkaktonte më shumë ndotje se energji), një ndërtimi i madh në formë fuçie dukej se po zhvillohej. Ajo ishte ndryshe nga çdo shtëpi tjetër në Kosovë, projekti nuk përmbante asnjë detaj nga kultura lokale. Një strukturë konkrete masive, ishte mbresëlënëse në pjesën e jashtme por shumë e ftohtë dhe e pakëndshme brenda. Haradinaj jetoi i vetëm për disa muaj në atë ndërtesë.

Në korrik 2003, Haradinaj u martua me Anita Muçaj, një gazetare e re 23-vjeçare e cila fliste rrjedhshëm anglisht dhe shfaqte gjykim të mprehtë politik. Ajo u bë një partnere e fuqishme dhe kompetente për të në vitet që pasuan. Anita mori kontrollin e shtëpisë dhe dalëngadalë arriti të krijonte një hapësirë të banueshme brenda hapësirës së saj.

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Radar55 minuta më herët

Stresi i indinjuar me karikaturën e Sokol Ballës në zyrë

Reperi Stresi ka reaguar ashpër ditën e sotme ndaj gazetarit Sokol Balla. Ai ka ripostuar në ‘story’ në Instagram një...

Mix1 orë më herët

Victoria Beckham reagon pas aludimeve për ndërhyrje në hundë

Victoria Beckham ka reaguar ndaj thashethemeve të vazhdueshme për ndërhyrje kirurgjikale në hundën e saj. Gjatë një interviste në ‘Today...

Kryesore5 orë më herët

Noka reagon pas sherrit me Agron Shehajn: Ai është ushtar i “Rilindjes”

Flamur Noka ka reaguar për sherrin që ka pasur me Agron Shehajn në foltoren e Kuvendit. Noka e shtyu me...

Mix5 orë më herët

Çfarë kanë të përbashkët migrena dhe endometrioza?

Sa herë që përmendet fjala “migrenë” apo “endometriozë,” shumica e njerëzve mendojnë për dy probleme të veçanta. Por ja ku...

Sport5 orë më herët

Si Carlo Ancelotti shkroi historinë me Real Madrid

Carlo Ancelotti Carlo Ancelotti vazhdon të bëjë histori me Real Madridin. Trajneri italian është bërë trajneri me më shumë tituj...

Mix22 orë më herët

”Televizioni po shkon drejt llumit” – Alketa Vejsiu ‘përballet’ me Dalina Buzin: Po ‘Andale’ yt çfarë është?

Në podcastin e Alketa Vejsiut, Dalina Buzi, producente dhe një figurë e njohur e televizionit shqiptar, ka dhënë mendimin e...

Mix1 ditë më herët

Syzet inteligjente Ray-Ban Meta tani përkthejnë në kohë reale

Lajme nga Meta për syzet e saj inteligjente. Kompania e Mark Zuckerberg në fakt ka njoftuar se Ray-Ban Meta është...

Kryesore1 ditë më herët

Shkrihet Bindja Demokratike

Fotomontazh – Fabjan Topollaj dhe Astrit Patozi Partia Bindja Demokratike është drejt shkrirjes. Sipas informacioneve që disponon CNA, pretendohet se...

Mix1 ditë më herët

Rezultatet zyrtare: Ja sa banorë ka Kosova në vitin 2024 ?

Në Kosovë jetojnë 1,602,515 banorë. Kështu ka bërë të ditur Drejtori i Agjencisë të Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati,...

Mix1 ditë më herët

“Kush guxon të flasë kundër sistemit e pëson” – Influencerit Andrew Tate i sekuestrohen 3.4 milionë dollarë

Policia britanike mund të sekuestrojë afro 2.7 milionë paund (3.4 milionë dollarë) nga influenceri AndrewTate dhe vëllai i tij Tristan...

Facebook