Lidhu me ne

Temporal

Lufta me Nanon në PS dhe vizita në Athinë e kryebashkiakut Edi Rama

Pjesë nga libri ‘Miqësi e trazuar: Greqia në kujtimet e ambasadorit’, botim i UET-Press

 

Nga Bashkim Zeneli

 

-Gjatë të 3 ditëve të qëndrimit në Athinë, nuk bëri me mua asnjë bisedë politike, nuk shfaqi asnjë rezervë për askënd në Tiranë dhe nuk përfoli askënd. (Ndërkohë që telefonata jo të pakta nga Tirana, kërkonin të dinin “çfarë thotë ai i gjati”, “ai skizofreni” , “ai budallai” etj., etj. Ishin disa prej tyre që sot i ka shumë afër vetes …).
Gjatë vizitës së presidentit Stefanopolous në Tiranë, ai do të pritej edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama. Dhe tek përcolli presidentin grek, do të më kërkonte që t’i organizoja një vizitë në Athinë, në kuadër të bashkëpunimit midis dy bashkive.
Kjo ishte hera e dytë që takoheshim. Për herë të parë ishim takuar në malin e Dajtit. Aty kryeministri Ilir Meta do të shtronte një drekë për ministrin gjerman z. Christofer Zopel dhe me këtë rast do të ftonte Edi Ramën dhe Arben Imamin, ministër në atë kohë. Diku nga fundi i muajit, për afro 6 muaj më parë do të mësoja nëpërmjet shtypit, se kryebashkiaku i Tiranës kishte qenë i pranishëm në forumin e përvitshëm (ky ishte i 10-i) i organizatës së inxhinierëve të Greqisë veriore dhe organizatës inspektuese greke-amerikane. Tema e këtij Forumi, të mbajtur në “Hayat Regency” ishte: “SHBA-BE-Rusia – Riformimi i roleve dhe interesave ne Europën Juglindore”.
Z.Rama i kishte dhënë një intervistë “International Media Network” ku më shumë ishte ndalur në temën e emigrantëve shqiptarë në Greqi, në vazhdimin e integrimit të tyre në shoqëri me hapa gjithnjë e më të shpejtë dhe se “përherë kam qenë i interesuar për forcimin e bashkëpunimit me biznesmenët grekë”. Do të vlerësonte, në këtë intervistë, gjithashtu, bashkëpunimin më z. Avramopolous, si një personalitet i njohur”.
Nuk më erdhi mirë që nuk kisha dijeni për këtë pjesëmarrje të z. Rama në atë Forum të Selanikut. Dhe kjo ndodhte shumë shpesh, për mënyrën se si funksiononin gjërat tek ne. Unë kisha marrë pjesë disa herë në vizitat e takimet e kryebashkiakëve apo prefektëve të Gjirokastrës në Janinë me homologët e tjerë, në veprimtari të ndryshme ekonomike, kulturore, artistike etj. Dhe i kisha mësuar nga konsullata jonë në Janinë, në ditët e fundit.
Dhe sidoqoftë për kryebashkiakun e Tiranës, kryeqytetit të vendit tim, kjo ishte më e veçantë. Dhe kur reagova, për këtë mungesë dijenie, mora nga Tirana përgjigjen: “e mo varja….e njeh apo jo?!”
Në Tiranë, në PS dhe në qeveri, kishin filluar përplasjet me të, qoftë edhe nga deklaratat e z. Rama që turbullonin opinionin partiak, por edhe atë në përgjithësi. Z. Nano më kishte folur për të, në çdo rast që takoheshim, por siç thashë, nga afër nuk e njihja e në fund të fundit, pak më interesonte kjo gjë. “Luftërat” e brendshme në PS, thashethemet, grupimet, kalimet herë me njërin herë me tjetrin, intrigat e mëdha e të vogla, shpifjet e dashakeqësisë për njëri-tjetrin, dyert e disa ambasadave ku padisnin njëri-tjetrin, solidaritetin që binte përtokë, përherë e më shumë, daljen në skenë të dallkaukëve, të të përfolurve për korrupsion, të deputetëve halabakë, nuk i kisha njohur, kurrë në këto përmasa, deri në vitin 1997, kur u largova për në Gjermani. Këdo që takoja në Athinë apo në Tiranë, politikanë, deputetë e ministra, ishin tashmë të një “prerje” tjetër. Krimbi kishte brejtur thellë. Korrupsioni kishte dalë sheshit e nuk quhej për “të madhe”. Dukej se edhe udhëheqjes së PS, edhe qeverisjes, kishte nisur t’i dalë “koka e zbarës” dhe, pa të, makina shkon drejt humnerës.
(Një muaj më vonë, më 16 dhjetor, në një lokal të Akademisë së Arteve, do të vija në Tiranë për të festuar 35 vjetorin e datëlindjes së Iglit, të fejuarit të Valbonës. Dhe ndërsa isha ulur në një tavolinë me z. Nano, do të vinte me vonesë edhe Edi Rama. Ai na përshëndeti mua dhe Engjëllushen dhe as nuk i hodhi sytë nga z. Nano e shkoi e u ul në vendin e tij. Ato që përfliteshin ishin të vërteta me të gjithë “taborët” që i shkonin prapa Nanos apo Ramës).
Prandaj siç duket edhe mora përgjigjen “e mo, varja… e njeh apo jo?!” Por pavarësisht nga këto, detyra e ime ishte të bëja sa të mundja, ashtu si për çdo gjë, edhe për forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojës midis bashkive të të dy kryeqyteteve.
Dhe duhej thënë, se në radhët e emigrantëve shqiptarë në Athinë, Edi Rama kishte krijuar një emër “sfidant” për ndryshimet në Tiranë. Do të më bënte një përshtypje të veçantë që kudo në takim, në drekë, në darkë, në kafe, në ambasadë, në bisedë nuk do ta hiqte celularin për asnjë çast nga dora. Në një moment, duke folur, ndërpreva bisedën dhe e pashë në sy. Edhe ai ndaloi duke më thënë: vazhdo, vazhdo ambasador, po të ndjek mirë .
Zonja Bakojani, sapo e takova dhe i kërkova që z. Rama të vizitonte Athinën, do ta priste shumë mirë dhe do të shtonte: “E dini ju zoti ambasador, se unë dhe Edi Rama jemi në garë për t’u shpallur kryebashkiaku më i mirë në botë ? E pres menjëherë, kur të dëshiroj, e vlerësoj shumë bashkëpunimin që duhet të kemi midis të dy bashkive…” Dhe kryebashkiaku Rama, me grupin e tij, erdhi vetëm mbas 2 javësh, më 8-10 Nëntor 2004.
Gjatë të 3 ditëve të qëndrimit në Athinë, nuk bëri me mua asnjë bisedë politike, nuk shfaqi asnjë rezervë për askënd në Tiranë dhe nuk përfoli askënd. (Ndërkohë që telefonata jo të pakta nga Tirana, kërkonin të dinin “çfarë thotë ai i gjati”, “ai skizofreni” , “ai budallai” etj., etj. Ishin disa prej tyre që sot i ka shumë afër vetes …).
Në bashkinë e Athinës, z. Rama u prit shumë miqësisht nga zonja Bakojani. Ajo e përgëzoi për punën që kishte bërë dhe që i kishte ndryshuar pamjen Tiranës, dhe u shpreh shumë e gatshme” për të nisur një bashkëpunim midis të dy kryeqyteteve “nën shembullin” e të dy kryeministrave dhe të dy qeverive”.
“Qyteti i Athinës”, do të shprehej zj. Bakojani, “mban në gjirin e saj një numër shumë të madh emigrantësh shqiptarë. Ata janë një pjesë e rëndësishme e jetës së qytetit… Kontaktet e ngushta midis të dy bashkive, do të ndikojnë që ura e miqësisë të jetë me rezultative… Unë jam shumë e angazhuar që të kemi kontakte të ngushta në fushën e artit, kulturës, muzikës, sportit, por të përfitojmë nga njëri-tjetri, dhe në shkëmbimin e përvojave më të mira.”
Ndërsa z. Rama, në fillim do të shprehej se “si ndër shqiptarët e Athinës, ashtu edhe ndër ato të Tiranës, është shumë i përhapur opinioni se te bashkia dhe zj. Bakojani, kanë gjetur një derë të hapur ku mund të hyjnë për të gjitha problemet e tyre… E kam thënë edhe herë të tjera që ne dhe grekët jemi të dënuar të duhemi sepse urrejtja ka kosto të larta dhe nuk kemi mundësi ta përballojmë”.
Në këtë takim u ra dakord që të shkëmbehet përvoja në probleme sociale, në atë të sistemit fiskal të bashkive, të administrimit të njësive lokale. Bashkia e Athinës do të mirëpriste ekspertë nga Tirana për fitim përvoje.
Zonja Bakojani u shpreh e gatshme për t’i dhuruar Bashkisë së Tiranës një sasi të madhe pemësh dekorative dhe z. Rama i premtoi ndërtimin në Tiranë të një parku që do të emërohej “Parku Athina”. Ai do t’i kërkonte zj. Bakojani që “pemët të mos ishin të vogla, por të mëdha, mundësisht në gjatësinë e trupave të tyre (Rama e Bakojani) se shqiptarët nuk e respektojnë dot akoma pemën e vogël. Nuk i duam në gjatësinë e nënkryetarit tuaj” (Angjelos Maskaras, i pranishëm në bisedime).
Rama e zotëronte tavolinën me gjuhë të drejtpërdrejtë, të thjeshtë, me humor dhe pa as njëlloj emocioni. Dhe kjo i pëlqente z. Bakojanis. Do të bisedohej, midis të tjerash, edhe për çeljen e një ekspozite të përbashkët të piktorëve grekë dhe shqiptarë në të cilën të pasqyroheshin ndryshimet në të dy kryeqytetet.
– Të më falni z. Bakojani, por unë jam njeri me fiksime, – do t’i drejtohej z. Rama, – e dua të di se kur mendoni se do të organizohet ekspozita” (Ajo do të hapej me shumë interes në Tiranë dhe në Athinë, në vitin 2005).
Edi Rama në Athinë do të takohej edhe me një grup artistësh shqiptarë dhe do të bashkëbisedonte me gazetat Tribuna dhe Gazeta e Athinës, por edhe në shtypin grek. (Më bëri përshtypje, se ndryshe nga çdo rast tjetër në Gjermani apo në Greqi, pak ditë mbas largimit, më 18 Nëntor 2004, z. Rama do të më dërgonte një letër mirënjohje për angazhimin e ambasadës gjatë vizitës.)
Pak kohë më vonë, Edi Rama do të shpallej kryebashkiaku i botës për vitin 2004. Dhe zonja Bakojani do të më telefononte për të uruar për këtë vlerësim duke më përcjellë edhe një letër për z. Rama (zonja Bakojani do të shpallej Kryebashkiakja e Botës, për vitin 2005).
Dhe sigurisht, ky ishte një nder që i bëhej, në radhë të parë, vetë z. Rama, por edhe një imazh i mirë për Shqipërinë. Dhe në këtë kuadër, unë ftova në ambasadë, për një vizitë miqësore, ambasadorët e 12 vendeve të ndryshme që mbulonin edhe Shqipërinë. Dhe i vura në dijeni edhe për këtë çmim të z. Rama, por edhe për vizitën e presidentit Stefanopolous në Tiranë… Dhe të gjithë ambasadorët më përcollën letra urimi për kryebashkiakun e Tiranës, që më tej ja dërgova z. Rama.
Dhe këtu jo vetëm nuk kishte asgjë të keqe, por përkundrazi ishte një vlerësim që bëhej nga përfaqësues të këtyre 12 shteteve. Dhe sido që të ishte, padyshim që ishte një vlerësim edhe përtej Tiranës… e përtej Ramës vetë.
Por në Athinë nuk më pushuan telefonat. Z. Rama, kishte gjetur rastin, midis të tjerave, për t’i bërë publike këto mesazhe. Dhe kjo kishte krijuar një xhelozi të rëndomtë. I ka edhe sot rreth vetes (sidomos deputetë) por edhe në poste të tjera shumë të larta, nga ato që shfrynin në atë nëntor të 2004 se “pse ja rrit aq shumë pikët atij legenit… ti nuk e njeh sa i poshtër është…” (Janë nga ato PS-istë, që të gjithë karrierën e tyre e kishin mbështetur tek asnjë vlerë tjetër, veç intrigës, veç herë mbështetjes e herë sharjeve e turfullimeve ndaj Nanos, Metës, Majkos e vetë Ramës.)
Do të vinte në atë fundvit në Athinë dhe ministri i Mbrojtjes, z. P. Majko. Ai do të pritej nga ministri i Mbrojtjes, z. Spiliotopolous. Do të vlerësohej si shume i mirë bashkëpunimi në fushën ushtarake. Ministri Majko do të falënderonte homologun e tij, z. Spiliotopolous, për pranimin atë vit akademik të një numri shumë të madh të studentëve ushtarakë dhe të specializantëve në akademitë e profilizuara ushtarake në Greqi. Numri i tyre, siç edhe kam shkruar më lart, ishte dyfishuar. Ishte rritur ndjeshëm nga pala greke edhe pranimi i të sëmurëve nga Shqipëria në spitalet ushtarakë greke. (Për këtë nuk duhet asnjëherë të na mungojë mirënjohja, sepse “kuotat” ishin vërtetë formale. Ato i kemi tejkaluar në të gjitha rastet dhe të sëmurët nuk janë refuzuar asnjë herë.)
Ministri Majko do të zhvillonte në ambasadë një takim me ushtarakët shqiptarë që studionin apo ndiqnin specializime në Athinë.
Në dhjetor do të pritej në Athinë edhe ministri i Arsimit, z. Luan Memushi. Në muajin tetor, zoti Memushaj kishte pritur në një takim në Tiranë, ministren greke të arsimit, z. Giannakou. Edhe më tej në muajt në vazhdim, derisa edhe në Tiranë u ndërruan qeveritë, mbas zgjedhjeve parlamentare, bashkëpunimi midis të dy ministrive ishte shumë i frytshëm, do të thosha, më mirë se asnjëherë më parë. Ministri Memushaj ishte tepër korrekt dhe serioz në çështjet e bashkëpunimit. Marrëveshja e arsimit që kishim nënshkruar në prill të vitit 2003, po ecte mjaft mirë. Do të rriteshin jo vetëm shkëmbimet ndërmjet universiteteve të të dy vendeve, por edhe numri i studentëve shqiptarë në universitetet greke. Bursat për studimet universitare, apo specializime dhe kualifikime, ishin tashmë në nivelin e tyre më të lartë. Veçanërisht kishte një bashkëpunim shumë të mirë midis katedrave të gjuhës  greke në Universitetin e Tiranës dhe të Gjirokastrës, me ato të Janinës dhe Athinës. (Universiteti i Janinës, krahas të tjerave, që në vitin 1998, nën kujdesin e gjuhëtarit të shquar Jeorgjio Dh. Kapsali, kishte botuar një Fjalor shqip-greqisht të mjeshtrit Niko Gjini, me mbi 50 mijë fjalë, fraza, fjalë të urta, terma shkencore etj. Fjalori i parë greqisht-shqip ishte botuar në vitin 1993.)
Në takimin miqësor midis ministres Giannakou dhe ministrit Memushaj, u fol edhe për përmirësimet e dukshme që ishin bërë në plotësimin gjithnjë e më të mirë të nevojave për mësimin e gjuhës amtare greke në shkollat e minoritetit. Ato që ishin folur në Tiranë, më datë 18 Tetor 2004, midis të dy ministrave ishin vënë qartazi dhe pa asnjë paragjykim në rrugën e zgjidhjes. Dhe këtë ministrja Giannakou do ta vlerësonte shumë.
Ministri Memushaj do të shtonte se së shpejti do të fillonte edhe mësimi i historisë së Greqisë në klasat e 8-ta të minoritetit. Ndërkohë do të vlerësohej angazhimi i ministres Giannaku për të plotësuar të gjitha kushtet, që në shkollat greke, të kishte edhe klasa për gjuhën shqipe. Këtu, siç kam shkuar, mbetej problem përgjegjësia e prindërve. Të dy palët folën për nxitjen e mëtejshme që duhej t’i bëhej njohjes së letërsisë së të dy vendeve, nëpërmjet përkthimeve duke mos e lënë këtë thjesht në dorë të përkthyesve, por edhe duke i dhënë atyre mbështetje nga strukturat shtetërore.
(Ne kishim të përkthyer nga autorë grekë shumë më tepër letërsi artistike se sa kishin grekët të përkthyer nga letërsia e jonë, përjashto shkrimtarin e madh Ismail Kadare. Vetëm në 3-4 vitet e fundit, ne kishim të përkthyer nga Aristoteli “Politika”, “Poetika” dhe “Etika”; nga Kananzakis “Bilanci i një jete” me përkthim të Miço Gubera; “Udhëtoj nëpër Japoni dhe Kine” nga Mimoza Dino. botim i Dudaj; Ezopi-Fabula nga Jani Malo (Neriada); Ezopi-30 fabula nga Eri Tafa (SAIT); Fotiadhi Belafiti-Jota “Me hënë të plotë ti u ngjize”, përkthyer nga Aristotel Spiro. Homerin e madh Iliada, Iliada dhe Odiseu, Odiseja, të përkthyer nga të famshmit Gjon Shllaku e Pashko Gjeçi; Kavafis “Poezi” nga Llambro Ruçi, Varnalis Kostas “Ditari i Penelopës” nga Vasil Koçi, Varnalis Kostas, “Monologu i Nomos, nga Spiro Çika etj. Një përkthim mjeshtëror do t’i bënte poetit të shquar Vagenas Nasos, “Endjet e një udhëtari”, poeti ynë i madh Faslli Haliti; Ezopi-fabula nga Iliaz Bobaj etj., etj.
Vetëm gjatë tri viteve të fundit poeti dhe përkthyesi ynë i njohur Niko Kacalidha, do të përkthente poezi nga Odiseas Elitis, Sofoklis Lazaru “Orë zemërimi”; Jota Parathemiu “Mos e fsheh… do të të gjej”; Joanidhu-Stavru-Luru “Kordele të verdha”; Petros Stranis “Të shpërndara”; Takis Varvitsiotis “Heshtja e hënës”; Odisea Elitis “Poezi” etj., etj.
Po flas, duke lënë, pa dashur të përmend edhe përkthime të tjera, vetëm për 3-4 vitet e fundit. Përkthyes të shquar të letërsisë greke ndër vite kanë qenë Shpëtim Çuçka, Donika Omari, Romeo Çollaku, Gjergj Zheji, Sotir Papakristo, Spiro Çomora, Grigor Jovani, Aleks Çaçi, Aristotel Spiro, Perikli Jorgoni, Luan Zyka, Stavri Dajo, Henrik Lacej, Llambro Ruci, Dhori Qiriazi, Virgjil Muçi, Vasil Koçi, Spiro Xhaji, Anthulla Kristo, Engjëll Sesaj, Iliaz Bobaj, Kosta Raka, Mehmet Gjevori, Harrallamb Qesko, Spiro Mitrushi, Mihal Kallo (Melina Merkuri – kam lindur greke), Vasil Koçi, Enver Fico, Nonda Varfi, Pirro Misha (Antologji e poezisë greke-1986), Vasil Dilo e shumë e shumë të tjerë.
Dhe me prodhimtari në përkthimin e mrekullueshëm të autorëve grekë, në ditët e sotme mbetet mjeshtri Niko Kacalidha. Jo më kot kam shkruar më sipër, se kur nisi punën në ambasadë si këshilltar për kulturën, tek po punonte në zyrën e tij, i pata thënë: “Përkthe Niko, përkthe, se më shumë shërbim i bën kulturës së dy vendeve duke përkthyer… këtu në ambasadë për punë të tjera nuk je. Vetëm përkthe…”) Dhe ai qeshi … Njohja e letërsisë së njëri-tjetrit kishte shumë rëndësi për marrëdhëniet midis të dy popujve dhe ndaj, midis të tjerave, ishte temë vërtet e këndshme në bisedimet midis të dy ministrave.
Me ministrin Memushaj do të vizitonim në Athinë 3 shkolla greke, ku kishte të hapura klasa në shqip, me nga 30-35 nxënës. Mësimi zhvillohej 2 herë në javë. Ishin vërtet shumë pak klasa e shumë pak nxënës që i frekuentonin ato. Do të zhvillonim edhe në ambasadë takime me mësues, veprimtarë në fushën e arsimit dhe kulturës, prindër dhe nxënës të dalluar. Ai do t’u dhuronte këtyre nxënësve një seri librash, shkollorë, por edhe të letërsisë për fëmijë.
Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix18 orë më herët

Çfarë ndodh në organizëm nëse nuk hani sheqer për 10 ditë

Sheqeri ka një efekt shkatërrimtar në organizëm dhe nxit shfaqjen e shumë problemeve dhe sëmundjeve shëndetësore siç janë: diabeti i...

Mix18 orë më herët

Faktori që ndikon në shtimin në peshë – Këshillat që ju duhen

Ushqyerja e keqe dhe shtimi në peshë janë pjesë e një cikli vicioz që rrezikon shëndetin jo vetëm të të...

Mix18 orë më herët

Përfitimet e pafundme nga lëngu i mandarinës

Kjo është stina e mandarinave. Ky frut i shijshëm pak më i vogël se portokalli mund të hahet në formën...

Mix18 orë më herët

Speci djegës – Si ta përdorni për shëndetin e zemrës

Speci i kuq djegës është përdorur prej mijëra vitesh kundër disa problemeve shëndetsore. Këtu përfshihet urthi, kllapia, sëmundjet e stomakut,...

Radar19 orë më herët

-Hej, Siri, a mund të më gjesh një mik të besueshëm?

Nga Ornela Çuçi “Popujt zakonisht i këndojnë virtyteve që nuk i kanë” më tha kolegia ime nga Kosta Rika në...

Mix19 orë më herët

Spotify publikon listën me këngët më të dëgjuara në historinë e saj

Aplikacioni muzikor Spotify ka ndarë një listë të 10 këngëve më të transmetuara në historinë e tij. Spotify është bërë...

Mix19 orë më herët

Andrea Toska, 14-vjeçari shqiptar që u shpërblye nga Samsung pasi zbuloi defektin në softuerin e tyre

Andrea Toska është një 14-vjeçar shqiptar, i cili ka arritur të zbulojë një defekt në softuerin e telefonave celularë Samsung...

Mix20 orë më herët

Qumështi i shtrydhur me pompë më pak i shëndetshëm sesa ushqyerja direkt nga gjiri?

Qumështi i gjirit i shtrydhur me pompë mund të mos jetë aq i shëndetshëm për fëmijët, sa qumështi i dhënë direkt nga...

Kioske20 orë më herët

Nëse nevojën për politikanë të rinj opozitarë do ta kishte përmbushur PD …

Nga Indrit Vokshi Partitë e reja Lulëzuan sepse degradoi PD-ja. Në raport me to, Fevziu, Sandri, Carlo, Vjollca, Irfani, Ylli,...

Mix21 orë më herët

Arsyeja absurde pse Mark Zuckerberg eliminoi fact checking nga Facebook

Lajmi për eliminimin e verifikimit të fakteve nga palët e treta nga rrjetet sociale Meta ka ngjallur jo pak komente...

Facebook