Pse dukem ende shtatzanë?
Pas lindjes ju mund të jeni të habitura për mënyrën si duket barku. Tashmë edhe pse fëmija është jashtë trupit tuaj, ai ju jep pamjen e një gruaje shtatzanë në muajin e 6-të. Krahas formës së fryrë dhe të rrumbullakët që mund të ketë ai, nuk duhet të harrojmë pa theksuar edhe zmaliaturat e krijuara si pasojë e hapjes së lëkurës, linea nigra, si edhe shenja e një operacioni të mundshëm çezarian me të cilin gruaja mund të ketë sjellë në jetë fëmijën e saj. Ju duhet të dini se barku, ashtu si edhe çdo pjesë tjetër e trupit tuaj, ka nevojë për kohë që të kthehet në gjendjen e mëparshme, ose afërsisht si në gjendjen e mëparshme.
E imagjinoni barkun tuaj si një tullumbace, e cila ka ardhur duke u fryrë gradualisht me rritjen e fëmijës gjatë shtatzanisë. Kjo “tullumbace” ka arritur të ketë një formë të madhe të cilën pas lindjes nuk e rrëzon në mënyrë të menjëhershme, por gradualisht ashtu edhe siç është fryrë. Në momentin që fëmija ka ardhur në jetë, ndryshimet hormonale shkaktojnë tek uterusi kontraktime, të cilat e ndihmojnë atë të rikthehet në dimensionet që kishte para shtatzanisë. Ashtu si barku, edhe qelizat e trupit tuaj të cilat janë fryrë gjatë shtatzanisë, fillojnë të çlirojnë një lëng i cili eleminohet nga trupi me anë të urinës, sekrecioneve vaginale dhe djersës, pa harruar të përmendim gjithashtu se edhe dhjami që keni vënë fillon të digjet, megjithatë për të vënë re rezultate duhet të kalojnë disa javë. Këto rezultate do të jenë më të dukshme nëse do të ushqeni fëmijën tuaj me gji si edhe nëse do të kryeni një veprimtari të mirë fizike.
Përsa i përket zmaliaturave dhe vijës së zezë (linea nigra) do të duhet më shumë kohë që të “zhduken”, dhe megjithatë për zmaliaturat nuk mund të flasim për një zhdukje të përhershme, por vetëm për një zbardhje të tyre, duke u bërë kështu më pak të dukshme, grada e së cilës do të varet nga ngjyra e lëkurës së gruas. Kjo zakonisht ndodh 6-12 muaj pas lindjes. Linea nigra zakonisht zhduket nga viti i parë pas lindjes, dhe megjithatë mund të ndodhë që edhe kjo të mos largohet përfundimisht.
Pas sa kohësh mund të kthehet në normalitet barku pas lindjes?
Shpesh dëgjojmë histori të nënave të cilat gati menjëherë pas lindjes kanë një bark të sheshte. Duhet t’ju themi se kjo ëhstë diçka që ndodh shumë rrallë, pasi në më të shumtën e rasteve gruas i duhen muaj të tërë për të hequr fryrjen e barkut, dhe megjithatë në disa raste të tjera ajo mund të mos largohet përfundimisht. Ju duhet të dini se durimi është gjëja kryesore. Mos harroni se barku është hapur për 9 muaj me rradhë në mënyrë që t’i përshtatej rritjes së fëmijës, dhe për këtë arsye do të duhen po aq muaj, ose ndoshta edhe më shumë për t’u eleminuar fryrja.
Shpejtësia me të cilën barku juaj do të riktehet në formën e mëparshme varet nga konstrukti i trupit tuaj, nga pesha që keni marrë gjatë shtatzanisë, nga aktiviteti që bëni gjatë ditës, si edhe nga gjenet tuaja. Gratë të cilat pas lindjes kanë fituar pak kg, janë ushtruar rregullisht gjatë shtatzanisë, ushqejnë me gji, dhe që kanë lindur vetëm një fëmijë kanë probabilitet më të madh për t’u dobësuar më shpejt. Nëse ju nuk jeni një nënë gjidhënëse shikoni mundësinë e rregullimit të dietës tuaj ushqimore në favor të këtij proçesi, pasi tani që nuk jeni më shtatzanë keni nevojë për më pak kalori.
Si ta bëj barkun tim të duket më mirë? Si te heqim barkun pas lindjes?
• Gjidhenia

Një proçes që do t’ju ndihmonte shumë në rënien nga pesha është gjidhënia. Ju duhet të dini se vetëm duke ushqyer fëmijën tuaj ekskluzivisht me gji jeni në gjendje të humbi 600 kalori në ditë, kjo pasi gratë gjidhënëse i harxhojnë kaloritë e tyre të tepërta për të prodhuar qumështin. Pra gratë gjidhënëse zakonisht bien nga pesha më shpejt se ato që e ushqejnë fëmijën e tyre me qumësht formule. Gjithashtu edhe kontraktimet që shkakton gjidhënia në uterus do të jenë një faktor që ndikon shumë pozitivisht në këtë proçes. Megjithatë, sipas disa të dhënave gratë gjidhënëse shfaqin vështirësi në humbjen e 5 kg të fundit, gjë që ekspertët e lidhin me faktin që trupi i nënës ruan rezerva dhjami në mënyrë që t’i përdorë pikërisht për prodhimin e qumështit. Megjithatë shkenca ende nuk i është përgjigjur në mënyrë pozitive këtyre hipotezave.
• Veprimtaria fizike
Një mënyrë tjetër shumë e mirë për të rrëzuar barkun është edhe kryerja e një veprimtarie të mirë fizike. Ju mund të filloni me diçka shumë të thjeshtë. Merrni fëmijën tuaj në karrocë dhe bëni ecje të gjata, nëse keni mundësi bëni joga, në mënyrë që jo vetëm të digjni kalori, por edhe të tonifikoni muskujt e barkut. Pas disa kohësh (kur mjeku e konsideron të arsyeshme) mund të filloni kryerjen e disa ushtrimeve aerobike të cilat përqëndrohen më tepër në zonën abdominale. Kjo në disa raste ka rezultuar të jetë një mrekulli.
Mund t’i nënshtohem një diete?
Nëse keni marrë shumë peshë gjatë shtatzanisë, rrëzimi i tyre do t’ju ndihmonte edhe në uljen e barkut. Për këtë mund t’ju vinte në ndihmë një dietë e bazuar në ushqime me pak kalori, por gjithsesi i lini edhe pak kohë natyrës të bëjë punën e saj. Prisni të paktën 6 javë, dhe nëse keni mundësi edhe pak muaj, para se të filloni një dietë, dhe sidomos nëse ushqeni fëmijën me gji. Që një grua të ruajë një peshë të mirë trupore duhet të marrë gjatë ditës 1600-2400 kalori. Që të rrëzoni 1 kg në javë duhet të harxhoni 500 kalori në ditë, qoftë kjo nëpërmjet ushqimit apo nëpërmjet ushtrimeve fizike. Mos harroni se rrëzimi i më shumë kalorive ditore, apo peshe javore do t’ju bëjë të ndiheni të lodhura dhe me humor jo të mirë.
Do t’ju këshillonim të mos i nënshtroheshit në asnjë mënyrë ndonjë diete drastike, e cila do t’ju bënte të binit nga pesha në mënyrë të menjëhershme. Kjo do të ndikonte shumë negativisht në gjidhënie, do ta bënte trupin të shfaqte gjithmonë shenja urie, do të shkaktonte stres, si edhe do ta bënte organizmin të mos ishte në gjendje të prodhonte sasitë e nevojshme të qumështit për fëmijën. Ju duhet të dini se nëse do të mbani dieta të forta do të bëni që fëmija të mos marrë vitaminat dhe yndyrnat shumë të nevojshme për rritjen e tij.