Kryesore
Tri Xhisiela dhe një Rexhep
Bilbil Beqiri – Podiumi.com
Në kohën e internetit çudia nuk zgjat vetëm tre ditë, ose më saktë varet nga lloji i çudisë.
Në lidhje me ngjarjen Xhisiela – Rexhep, nuk ka mbetur më asgjë pa thënë. Janë thënë të gjitha, absolutisht të gjitha, sepse është interneti që ta mundëson këtë gjë. Kam konsumuar komente pafund për të kuptuar se me kë janë njerëzit në këtë histori të denjë për emisionin antipatik ‘Me zemër të hapur’
Këtu kemi të bëjmë me tri Xhisiela
E para ajo që denoncon dhunën e ushtruar ndaj saj, arsyeja pak rëndësi ka, asgjë në këtë botë nuk e legjitimon dhunën. Sepse gjithmonë ka një arsye dhe një kuptim sasior në ngjarjet që ndodhin. Pra pse është ushtruar dhuna, dhe sa dhunë është ushtruar nuk ka rëndësi. Pak apo shumë dhunë, apo për ndonjë tjetër arsye jemi përballe faktit që Xhisiela ka bërë një denoncim.
Xhisiela numër dy, është vajza e dilemave që nuk di si të veprojë me faktin që Shqipëria po merret me të, ndërkohë që me të po merret edhe Rexhepi.
Dhe Xhisiela numër tre është papritur ajo vajza krejt e sigurtë në vetvete, një siguri që na kthen përmbys gjithë solidarizimin qe ne ia ofruam falas nëpërmjet rrjetit. Kemi papritur Xhisielen si puna e atij bariut që alarmoi fshatin për ujk por ujk nuk kishte. Dhe unë mendoj se pikërisht këtu vjen dhe zgjidhet vetë ekuacioni. Te fakti se vajza denoncuese bëhet papritur pishman për çfarë ka bërë dhe thënë. Por ndërkohë që Xhisiela shfaqet përpara publikut me dilemat e saj, aty qëndron Rexhepi, që me shumë mundësi ka emrin e gjyshit të tij, pa asnjë dilemë, si një person që qëllon me shpulla, që është djalë deputeti dhe që pi cigare.
Disa konkluzione të sigurta nga kjo ndodhi
Xhisiela nuk e do më Rexhepin dhe Rexhepi nuk e do më Xhisielën
Portalet kanë marrë super klikime nga kjo ngjarje
Si Xhisiela dhe Rexhepi ka plot raste dhune por që mbeten pa u bërë publike
Televizionet kanë pasur super audiencë po ashtu
Pati protestë përpara kryeministrisë në lidhje me këtë ngjarje, tregues ky i demokracisë në vend. Bota perendimore proteston vazhdimisht për arsye herë herë edhe qesharake.
Baballarët deputetë kanë paralajmëruar edhe një herë bijtë e tyre që të kenë kujdes me cigaret dhe shpullat, me motivacionin – ‘ E pe ç’i ndodhi birit të Rrahmanit nga Kruja?’
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu