Aktualitet
“Zoti Braçe, nuk keni pse bëni konen”
Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, shpërtheu në akuza kundër kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij. Por në reagimin e tij ndaj fjalës së Ramës pati një moment tensioni mes tij dhe deputetit të lushnjes, Erion Braçe. Ky i fundit ndërhyri disa herë dhe Dule iu drejtua duke i thënë: “Zoti Braçe, nuk keni pse bëni konen”. Etiketimi si kone e tërboi Braçen, por Dule vijoi me kritika më të ashpra ndaj kryeministrit, duke mos i kursyer komentet edhe për çfarë po ndodh me qëndrimin e PS ndaj deputetit Ben Blushi. “Kjo ishte një opozitë që erdhi në pushtet duke folur për fjalën e lirë, por linçon edhe deputetët e vet në takimet partiake. Është situatë mjerane. Jeni në një qorrsokak që çon në momente totalitare. Mos u verboni nga interesa të momentit. Vazhdoni të justifikoheni se fajin për dështimet tuaja e ka Saliu që ka qeverisur para 3 vjetësh. Largohuni nga monologjet se edhe para pasqyrës janë bërë të lodhshme”, i tha ai Ramës. Pas fjalës së Dules, Rama doli sërish në foltore, por pa u dhënë shpjegime konkrete akuzave të tij. Ai tha se ishte e turpshme ajo që Dule i tha atij për monologun para pasqyrës apo që i tha Braçes kone. “Është njësoj e turpshme sikur të them unë që ti je kone e Greqisë në parlament”, tha Rama. Debati ka vijuar edhe me tej.
Dule i kërkoi kryeministrit të mos e përmendë paktin detar me Greqinë për të bërë politikë. “Ti e di se strehë e kujt është nacionalizmi”, i tha ai kreut të qeverisë. I përmendi gjithashtu edhe një tjetër shprehje, e cila kryeministrit i dogji jo pak. “Miqtë janë të shtrenjtë, por e vërteta është edhe më e shtrenjtë. E ke lënë personalitetin me koncesion”, iu drejtua Dule. Kreu i PBDNJ iu përgjigj kryeministrit edhe për deklaratën e tij se Dule ishte zemëruar për shkak se nuk fitoi në zgjedhjet vendore. “Nuk mund të fitosh zgjedhjet kur ke përballë hajdutët qeveritarë”, u shpreh ai. I ktheu përgjigje edhe për ftesën për t’u bërë pjesë e PS. “Unë kam bashkëpunuar me deputetët e PS, por ti nuk je PS”. Kryeministri u kundërpërgjigj duke i kërkuar edhe një herë që të bëhet pjesë e partisë që drejton pa mandat prej 3 vjetësh. “Nuk është kohë e humbur të merresh me ty dhe meqë krijove një dritare ku ka vend për të punuar, unë do t’i kërkoj Pandeliut të punojë me ty, që ti ta shohësh PS siç e the vetë, që PS nuk është Edi Rama, që ti të bëhesh pjesë për ta përmirësuar apo për ta larguar kryetari, apo edhe të marrësh pjesë në referendum. Unë jam i bindur që ty të foli tani pjesa më e mirë e jotja, pjesa socialiste. Konsideroje, mos të të errësohen sytë nga një mllef shumë i përkohshëm që ke me mua. Ti nuk je njeri i inateve antike, por njeri i respektit të për antikitetin, dhe ajo që the si frymë dhe si gërmë platoniane, duhet të të udhëheqë. Miqtë janë të shtrenjtë, por e vërteta është edhe më e shtrenjtë. Ndaj bëhu anëtar i PS dhe i lëvizjes së madhë që po ndodh në minoritet drejt kthimit në shtëpi, në familjen socialiste”,tha Rama.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu