Kryesore
Ja arsyeja pse provimet e Maturës Shtetërore do të zhvillohen në palestra dhe korridore
Më katër qershor nisin provimet e maturës për 40 mijë maturantë në gjithë vendin. Këtë vit, provimet nuk do bëhen nëpër klasa. Ministria e Arsimit ka vendosur që provimet të bëhen në korridoret e shkollave apo palestra, për arsye sigurie ose, e thënë ndryshe, për të penguar kopjimin.
“Si asnjëherë më parë, provimet e Maturës Shtetërore do të zhvillohen në korridoret dhe palestrat e shkollave, siç është edhe korridori ku ne ndodhemi në shkollën “Petro Nini Luarasi”, ku do të sistemohen nxënësit maturantë, të cilët do të testohen për të ndjekur më vonë edhe studimet e larta. Konkretisht, në këtë shkollë numërohen 355 maturantë, për rrjedhojë nuk do të mjaftojë që të shfrytëzohen vetëm korridoret dhe palestra, kështu që do të shfrytëzohen 9 klasa ku do të shpërndahen 15 nxënës në çdo klasë. Kjo do të ndodhë në ato shkolla ku numri i maturantëve është i lartë, në të tjerat do të vijohet normalisht me këtë udhëzim të ri të ministres së Arsimit”,- shkruan Top Channel.
Gjithsej, në të gjithë Shqipërinë janë rreth 40 mijë maturantë, që do testohen në 4 provime të detyruara të Maturës Shtetërore. Sipas Ministrisë së Arsimit, testimi i maturantëve në ambiente të mbyllura si korridoret do të bëhet për arsye sigurie, pra për të eliminuar mundësinë e kopjimit.
Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit ndodhet tanimë në të gjitha shkollat, ndërsa institucionet arsimore janë duke përgatitur të gjitha pajisjet e nevojshme, por edhe planimetrinë sipas korridoreve që kanë shkollat përkatëse, e cila tregon se ku do të pozicionohen tavolinat dhe nxënësit që do të zhvillojnë provimet e maturës nga data 4 deri në datën 20 qershor.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu