Temporal
Aktualiteti këtu ngjan me njoftimet e një agjencie funerali
Ajo është një vajzë e drejtpërdrejtë. Hueyda El Saied, si mjet më të mirë mbrojtës ka buzëqeshjen.
Por pavarësisht pozitivitetit që përçon, ka edhe ajo momentet kur mërzitet dhe mezi pret të ndryshojë mjedis. Këto çaste i ka përjetuar disa muaj më parë, ku gjatë qëndrimit në Tiranë, reagoi nëpërmjet një statusi në Facebook ku shkroi: Jam munduar të ndaj me ju momente të këndshme të jetës sime si dhe të përcjell mesazhe pozitive.
Një nga ato ishte ai kur para 2 muajsh vendosa të kaloja së bashku me tim bir disa muaj në vendlindjen time (në Tiranë), kjo për arsye profesionale si dhe të isha pranë gjyshes sime 79 vjeçare. Por sonte dua t’ju them që mezi po pres që të kthehem në vendin tim adoptiv, Luksemburgun, se nuk paska gjë më të tmerrshme se të jesh e rrethuar nga varfëria shpirtërore e disa individëve të palumtur, toksikë, fallco, pa kurajo, xheloz, që shesin mend nga mëngjesi deri në darkë, që kanë bërë një flluckë sapuni, e që për më tepër, edukatën ta marrin për dobësi, pozitivitetin për mendjelehtësi, pasionin për çmunduri…”. Janë të shumtë ata që gjejnë vetën në fjalët e saj. “Ata njerëz që mundohen dhe arrijnë të realizojnë projekte me vlerë në Shqipëri për mua janë “heronj”- thotë kaçurrelsja me ngjyrë çokollate.
Megjithatë Hueyda, tashmë nënë, gjithmonë ka arritur të marrë energji në çdo gjë që bën.
Prej dy vitesh jeton në Luksemburg së bashku me bashkëshortin dhe djalin e saj të vogël. Mëmësinë e konsideron si gjënë më të bukur që i ka ndodhur në jetë.
Në jetë ka provuar disa forma të artit. E ka filluar me balet në fillim të viteve ‘90 ku ka shkëlqyer. Ka kënduar, shkruar, ka patur disa përvoja televizive si prezantuese dhe së fundmi është ndalur në pikturë ku thotë se e gjen veten më mirë.
Vajza më tipare të veçantë ka treguar për Dita-n jetën e saj të momentit dhe ka ndarë me ne disa mendime mbi Shqipërinë.
Hueyda, këto kohë keni qenë e pranishme në Tiranë, pasi ju kemi parë të angazhuar në një program televiziv. E viziton shpesh Shqipërinë?
Që prej 2010-ës, kisha kohë që nuk kisha qëndruar kaq gjatë në Shqipëri. Ishte një eksperiencë interesante si profesionale ashtu dhe personale. Besoj se çdokush, kur mbërrin në vendin e tij, e ka një ndjesi që i vjen së brendshmi pas ka munguar për disa kohë.
Çfarë të shkon në mendje kur kthehesh në Tiranë?
Sa herë kthehem, them: “Është e nevojshme të largohesh nga vendlindja për të rënë në dashuri me të më shumë”.
Ke njerëz këtu, gjyshen, si i ke marrëdhëniet me të?
Shumë të mira. Gjyshet janë gjithmonë të dashura. Tema jonë kryesore tashmë është im bir Gabrieli, i cili është shumë i lidhur me stërgjyshen e tij. Kur është pranë saj unë pothuajse nuk ekzistoj për të.
Folëm për Tiranën, po me Parisin e Luksemburgun çfarë të lidh?
Parisi është qyteti i zemrës. Është vendi ku unë kam realizuar ëndërrat e mia profesionale. Kam më shumë se dy vite që nuk jetoj më aty, dhe sa herë kthehem lumturohem. Luksemburgu është qyteti ku vendosa të krijoj familjen time.
Gjatë qëndrimit tënd në Shqipëri, je shprehur në rrjetet sociale se “Nuk rrihet më në Tiranë…” Çfarë të ndodhi dhe çfarë të ngarkoi emocionalisht duke të detyruar të shprehje mërzinë? (Kujtojmë këtu që Hueyeda shkruan: Nuk paska gjë më të tmerrshme se të jesh e rrethuar nga varfëria shpirtërore e disa individëve të palumtur, toksikë, fallco, pa kurajo, xheloz, që shesin mend nga mëngjesi deri në darkë, që kanë bërë një flluskë sapuni, e që për më tepër, edukatën ta marrin për dobësi, pozitivitetin për mendjelehtësi, pasionin për çmenduri…)
Nuk duhet të kesh mbaruar tre universitete për të kuptuar atë që kam shprehur në lidhje me Shqipërinë dhe marrëdhëniet njerëzore. Ndonjëherë kam ndjesinë që gjatë periudhës së komunizmit ne ishim të varfër dhe të izoluar, por ama marrëdhëniet njerëzore ishin më të vërteta dhe më të rëndësishme. Më vjen keq nëse ndodh që Shqipëria arrin e merr tatëpjetën, aq sa të humbasë shpirtin e saj nën pretekstin e lirisë dhe kapitalizmit.
Ke ti një këshillë për t’u dhënë të gjithë atyre që e përjetojnë shpesh gjendjen që je shprehur, por janë të detyruar të jetojnë në këtë ambient… toksik?
Ata njerëz që mundohen dhe arrijnë të realizojnë projekte me vlerë në Shqipëri për mua janë “heronj”. Ndërkohë le të shpresojmë që problemet thelbësore aty të jenë të përkohshme.
Prej disa kohësh je bërë nënë. Çfarë është mëmësia për ty dhe si po e jeton këtë periudhë?
Të bëhesh nënë është një eksperiencë shumë e bukur dhe marramendëse. Tashmë mund të them që e njoh veten më mirë.
Dukesh një person që lumturinë e gjen edhe në gjërat e vogla…
Lumturia vjen nga brenda nesh, ajo varet nga mënyra sesi vështrojmë situatën ku ndodhemi. Eksperienca e jetës më ka mësuar të buzëqesh shpesh, se buzëqeshja të ndihmon të futesh në një botë më të qetë dhe pozitive. Kur lumturia troket në portën tonë, duhet shijuar, vlerësuar dhe ndarë me të tjerët.
Je marrë me balet, ke shkruar, ke kënduar, pikturon, ke bërë televizion. Kë nga këto bën më mirë dhe nga cila nuk do të ndaheshe asnjëherë?
Padyshim piktura. Ajo përmbledh gjithçka që kam bërë deri më tani.
Na trego pak për familjen tënde?
Kam dy familje të vogla. Jam fëmijë i vetëm. Prindërit e mi jetojnë në Dubai dhe Roterdam. Ndërkohë gjyshja dhe tezja jetojnë në Tiranë. Në Luksemburg jetoj me Michelin dhe Gabrielin.
A je ti një vajzë që bën jetë luksi, apo Hueyda vrapon çdo ditë për të patur një ekonomi më të mirë në familje?
Vrapoj që të mos mungojnë ato që i kam të nevojshme si dhe për t’i ofruar tim biri më të mirën. Vrapoj çdo ditë se në jetë nuk është e mjaftueshme të kesh një fillim të suksesshëm, duhet të dish të jesh konstant, të përparosh dhe të shtysh limitet e tua.
Si reagojnë të huajt kur u thua se je shqiptare?
Mendojnë që Shqipëria është në Afrikë. (Qesh) Bëj shaka, thonë që duhet ta vizitojnë atë.
Sot, të merr malli për baletin?
Jo, se dhe pse baleti më hapi dyer të tjera artistike, ai i përket të kaluarës.
Ke frikë nga plakja?
Ndonjëherë, ndoshta nga që dua të shoh tim bir të rritur, një baba të suksesshëm.
Cilën konsideron si gjënë më të çmendur që ke bërë në jetë?
Asgjë. Realizimet e mia janë frut i dashurisë dhe pasionit.
Je penduar ndonjëherë për diçka?
Ende jo…
Me çfarë po merresh aktualisht dhe kur do të kthehesh sërish në Tiranë?
Po përgatis dy ekspozitat e ardhshme një në Luksemburg dhe tjetra në Dubai, si dhe linjën e çantave dhe bluzave po me pikturat e mia.
E ndjek aktualitetin në Shqipëri, lajmet, zhvillimet politike, çfarë mendimi ke?
Jo çdo ditë, shpesh aktualiteti në Shqipëri ngjason me njoftimet e një agjencie funerali.
Nëse një ditë do të ishe kryeministre e Shqipërisë, cila do të ishte puna e parë që do të bëje?
Do të pikturoja me ngjyra më të ngrohta dhe shumë dritë të përditshmen shqiptare. (Qesh).
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu