Ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, thotë se PD lindi si parti e fjalës së lirë dhe sot ka përfunduar kundër çdo kujt që flet i lirë.
Ajo ironizoi Bashën, duke e cilësuar si liderin e humbjeve.
“S’dua të përsëris veten me asgjë që kam thënë këto vite. E kam ditur që do të vijë kjo ditë dhe e kam thënë me dhjetëra herë. PD lindi si parti e fjalës së lirë dhe sot ka përfunduar në lincim kundër kujtdo që flet i lirë.
Lindi duke dëgjuar zërin e shqiptarëve, e sot përfundoi duke mbytur zërin e arsyes brenda vetes! E kam kërkuar mbledhjen e Këshillit Kombëtar në shtator të 2015-ës pas humbjes që ishte më e madhe se Dibra vetë.
I ringriti hijenat e portaleve e tavolinave të intrigave për sulmin e radhës.
Të gjithë në politikë duan të jenë lider të fitoreve, Luli do të jetë lider i humbjeve! Urime! Këtu e ka fituar vendin e parë!”, është shprehur ish-ministrja Bregu.
Më herët kritika ndaj Këshillit Kombëtar pati edhe nga Topalli, Patozi dhe Imami.
Ish nënkryetarja e kësaj force politike, Jozefina Topalli, e konsideroi mbledhjen e Këshillit Kombëtar si një të premte të zezë për selinë blu. Sipas saj, ndryshimet e bëra në statut e bëjnë Lulzim Bashën kryetar të përjetshëm.
Ndërsa Astrit Patozi thotë se, krahasimet e statutit të ri të Partisë Demokratike edhe me ndryshimet në kushtetutën kineze nuk gjejnë pika takimi.
Sipas tij, “në Pekin i kanë dhënë mundësi për të qëndruar pa kufizim në pushtet fituesit, kurse në partinë e Lulit është shenjtëruar “fitorja” e përjetshme e humbësit”.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu