Për të mos bërë specialisten e rrugëve kur nuk jam, një arsyetim ekonomiko-financiar mund t’ja lejoj vetes, kur nuk arrij të logjikoj disa detaje:
1.Një rrugë e ndërtuar nga buxheti i shtetit (paratë e taksapaguesve shqiptarë) dhe ende e papërfunduar, bëhet e kalueshme me pagesë për mirëmbajtje. Një rrugë ekzistuese dhe jo e re. Ndërkohë nuk ekziston asnjë konçesionar që duhet të rimarrë investimin për ndërtim, ndaj asnjë shqiptar nuk mund të qe i pregatitur për këtë ‘futje duarsh’ në xhepat e tyre, për herë të dytë
2.Shqiptarët e paguan shtrenjtë këtë rrugë, madje sipas akuzave të pushtetarëve të sotëm shumë më shtrenjtë se ç’vlente në të vërtetë (gati trefish). Patën mundësi 5 vjet t’i nxirrnin ujin e zi kësaj historie dhe jo vetëm që nuk vërtetuan asnjë akuzë, por popullit i ranë kokës edhe me një taksë mbi atë shpenzim, duke vërtetuar se sa ‘të drejtë’ e ‘të majtë’ janë.
3.Vlera prej 10 euro për rreth 70 km rrugë është penalizuese për qarkullimin në raport me të ardhurat mesatare të shqiptarëve. Si u vendos kjo vlerë që shkon në xhepat e privatit? Sa u diskutua publikisht? Kush na sqaroi? Pse u vendos ende pa nisur mirëmbajtja?
4.Megjithëse e quan veten të majtë e në bashkëqeverisje me popullin, kjo maxhorancë sapo vuri një taksë regresive. Ajo rëndon më shumë ata që kanë më pak të ardhura. Mendoni një makinë super luksoze të një bosi dhe një Tata që mezi mbahet të një familjeje me një pagë nga puna e kryefamiljarit, që paguajnë 10 euro secila për një vajtje-ardhje!
5.Çfarë politikash sociale, ekonomike u morën parasysh kur u vu kjo taksë? Kur udha mban një emër simbolik, të bashkimit të kombit, kur në dy anët e kufirit ka shqiptarë, kur çon në rajone të varfra të vendit?
6.Rruga alternative është kalvar i mundimshëm, ç’ka do të thotë se qytetari do gjendet përballë faktit të kryer, lëviz, ose jo. Atëherë si do t’ja bëjë qeveria me fondet për subvencionimin e privatit nëse ky i fundit nuk realizon të ardhurat e pritura nga ulja e trafikut? Sërish ua merr shqiptarëve që zgjedhin mos e bëjnë atë rrugë.
7.Çfarë lehtësish ka për ata që udhëtojnë më shpesh? A do sqarojë kush gjë? Sepse penalizohen padrejtësisht ata që punojnë në një drejtim gjeografik.
8.Në këtë vend ku shteti është lëshuar tek privati, i pamundur për të investuar, i etur për të përfituar, sa besim mund të kemi tek autoriteti mbikqyrës i mirëmbajtjes? E për më tepër kur koncesionarët e mirëmbajtjes së saj s’kanë lënë sektor pa ia marrë shtetit për administrim?
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu