Çfarë është fizioterapia, sëmundjet që trajton dhe ç’duhet të keni kujdes
Terapia fizike apo fizioterapia është një profesion i kujdesit shëndetësor që ofron shërbime për individë për të zhvilluar, mirëmbajtur dhe restauruar lëvizje maksimale dhe aftësi funksionale gjatë gjithë jetës. Kjo përfshin dhënien e shërbimeve në rrethana ku lëvizja dhe funksioni janë të kërcënuar nga plakja, lëndime, sëmundje të lindura apo të fituara dhe faktorë ambientalë.
Ka të bëjë me identifikimin dhe rritjen e cilësisë së jetës dhe potencialin e lëvizjes brenda sferave të promovimin, parandalimit, diagnostifikimit gjithashtu dhe sferën rehabilituese. Kjo përfshin anën fizike, psikologjike, emocionale dhe sociale të secilit person/pacient.
Por si ka filluar fizioterapia?
Mendohet që mjekë të antikitetit si Hipokrati dhe më pas Galeni mund të quhen si praktikantët e parë të fizioterapisë. Ato propozonin trajtime si masazhi, teknika manual dhe hidroterapi që në vitin 480 para erës sonë. Megjithatë fizioterapia ashtu si e njohim ne sot mori hov gjatë luftës së dytë botërore ku lindi nevoja për trajtimin e të plagosurve të luftës.
Kush është fizioterapisti?
Fizioterapia është e praktikuar nga Doktori në fizioterapi (fizioterapist), profesionist shëndetësor i cili ka kryer arsimin bazë, ku në vendin tonë është 3-vjeçar. Gjithashtu çdo person që mbaron studimet në degën e fizioterapisë duhet të pajiset me licensë për të ushtruar profesionin në territorin e Shqipërisë, i cili konsiston në një provim teorik dhe praktik, dhe pasi kalohet me sukses, fizioterapisti pajiset me licencën përkatëse. Gjithashtu mund të vazhdojnë me diplomat e nivelit të dytë, kurseve të azhornimit, stazheve të ndryshme.
Kompetencat e fizioterapistit. Ai identifikon problemin, dhe në bashkëpunim me specialistë të fushës mjekësore vendosin programin dhe zbatimin e tij për të arritur një rezultat sa më të mirë.duhet theksuar se fizioterapisti duhet të bashkëpunojë me figurat e tjera shëndetësore, sepse vetëm kështu mund të arrijë atë rezultat që dëshiron. Por në qendër të gjithçkaje duhet vendosur pacienti i cili duhet të bashkëpunojë, gjithashtu edhe familjarët e tij. Fatkeqësisht në shumicën e rasteve në vendin tonë fizioterapisti duhet të veprojë në autonomi pikërisht nga mungesa e komunikimit dhe bashkëpunimit me figurat e tjera.
Trajtimi fizioterapeutik bazohet mbi kërkimet shkencore dhe etikën mjekësore. Trajtimi udhëhiqet nga vlerësimi, bazuar në nevojat e pacientit, duke përdorur metoda teknike të ndryshme, që shërbejnë në përmirësimin e gjendjes. Përdoren teknika të trajtimit për të nxitur aftësinë dhe cilësinë e lëvizjes, për të ulur dhimbjen, për të rikthyer funksionin dhe për të parandaluar kufizimin e lëvizjeve. Punohet me programe të orientuara për mbarëvajtje shëndetësore dhe jetë aktive. Duhet të ofrohen shërbime për të ruajtur dhe rivendosur aftësi funksionale dhe lëvizje maksimale.
Puna e fizioterapistit fillon që me prezantimin e pacientit, vlerësimin funksional, sepse nuk mjafton vetëm diagnoza, por me anën e vlerësimit fizioterapisti mund të vendosë objektiva dhe planin e trajtimit. Në fund është zbatimi i planit.
Fizioterapia mund të praktikohet:
-në klinikat e fizioterapisë
-në qendra ambulatore dhe spitalore
-në qendra sportive stërvitore
-në palestra rehabilitimi
-në shtëpi
-në mjedise të tjera profesionale.
Vlen të theksohet që rreth 85% e patologjive kanë nevojë për trajtim fizioterapeutik. Disa fusha ku ndërvepron janë: në sëmundjet neurologjike, ortopedike, pediatrike, reumatologjike, kardiorespiratore, dëmtimet sportive, traumat e ndryshme, nëpërmjet metodave rehabilituese që mund të klasifikohen në nëngrupet e mëposhtme:
-Vlerësimi ose diagnoza fizioterapeutike, që përfshin anamnezën, vlerësimin e rastit, caktimin e objektivave dhe programimi i trajtimit. Përfshin vlerësimin e protezave dhe ortezave dhe përshkrimin e mjeteve ndihmëse kur i sheh të nevojshme.
-Terapia manuale, që trajton problemet muskuloskeletike nëpërmjet manipulimit të indeve të buta, të fashës, dhe të strukturës neuromuskuloskeletike.
-Hidroterapia
-Linfodrenazhi
-Riedukimi neuromotor, që i përgjigjet problemeve që janë zhvilluar nga patologjitë e rënda neurologjike central dhe periferike. Në këto teknika mund të përmendim: metodën Vojta, Kabath, konceptin Bobath dhe pas viteve 70’ metoda Perfetti. Të mos harrojmë metodën Grimaldi, e lindur për trajtimin e pacientit hemiplegjik të thellë.
-Riedukimi postural që përfshin teknika gjimnastike korrigjuese, ku mund të përmendim metodën Mezieres dhe riedukimin postural global Souchard.
-Riedukimi respirator
Dhe një sërë metodash dhe konceptesh të tjera të cilat fizioterapistët ipërdorin në mënyrë që të zgjidhin problemet e ndryshme.
Abuzimi në fizioterapi
Edhe në vendin tonë ashtu si në vendet e industrializuara ekziston dhe abuzimi në fizioterapi. Persona të ndryshëm deklarojnë se janë fizioterapistë dhe bëjnë trajtime të ndryshme pa marrë parasysh se mund të dëmtojnë seriozisht personat që ato trajtojnë me qëllimin e vetëm përfitimin ekonomik. Duke përfituar dhe nga mos njohja e kësaj disipline mjekësore nga një pjesë e mirë e popullsisë ato vetëdeklarohen fizioterapistë. Ekzistojnë organet kompetente për të ndaluar këtë fenomen dhe duhet një mobilizim më i madh për të minimizuar këtë fenomen. Megjithatë njerëzit çdo ditë po sensibilizohen dhe po i drejtohen profesionistëve të cilët disponojnë arsimin përkatës dhe licencën.
Në fund dua të bëj një thirrje për ato persona që kanë nevojë për fizioterapi. Kur të drejtoheni tek fizioterapisti, qendra e fizioterapisë, etj. kërkoni nëse ai person disponon licencën përkatëse ose të paktën arsimin përkatës sepse ka të bëjë me shëndetin tuaj.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu