Sapo hyn në Qytet Studenti shikon ndërtesa të stërmëdha rrethuar me lokale te tejmbushura plot të rinj.
Mirëpo dallimi mes asaj që shohim nga jashtë edhe asaj që një konvikt ka nga brenda është me të vërtetë si nata me ditën. Është thënë se para disa kohësh konviktet u rregulluan, por sot do ju tregoj, historinë time në burgun e konviktorëve.
Muret me lagështirë, tualete që duhet te shkosh nga halli, kushte të vështira për të jetuar brenda një dhome, por edhe frika nga sherret që shpesh krijohen, është makthi i çdo personi në këto konvikte.
Ambientet ruhen me kamera në çdo cep, por kjo nuk pengon askënd të hyjë e dalë, sipas qejfit.
Studentët shprehen se kamerat janë i vetmi investim qe është bërë, për të mbikëqyrur kush hyn e kush del, por në të vërtetë edhe ata vetë nuk e dinë nëse punojnë apo jo.
“Pamjet i sheh drejtoria, ne nuk jemi të autorizuar të kemi akses në kamera. Ne bëjmë punën tonë”-shprehet një prej kujdestareve që luante me lojëra në telefon.
Para një viti një student u gjend i masakruar me grushte, nga njerëz që as sot nuk dihen se kush janë, por drejtoria e konviktit po punon akoma për kapjen e autorëve.
I vetmi rregull që kanë vënë në konvikte janë uniformat e reja të punonjësve. Askush nuk lejohet pa qenë i veshur në atë mënyrë. Por si për ironi, ata shprehen se edhe këto uniforma i kanë blerë me lekët e tyre. “M’i kanë mbajtur nga rroga, gati 20 mijë lekë të vjetra shprehet kujdestarii vendosur për dushet.
Oraret e dusheve janë 12 e drekës deri në 7 të pasdites, Para apo pas këtyre orareve askush nuk mund të lahet, sepse dhomat e dusheve qëndrojnë të mbyllura me çelës.
Imagjinoni një dhomë më të ngushtë të mundshme, edhe aty të banojnë 3 vetë, ku secili prej tyre të këtë krevatin e tij të shkatërruar, në pak metra katror.
Një pjesë ka ballkone, një pjesë jo, vajzat edhe djemtë bashkë detyrohen t’i thajnë rrobat e lagura nëpër karrige apo dollapë nëse kanë. Mendojeni vetë, të shumtën e rasteve larjen e rrobave e bëjnë me dorë, pasi lavanteria u kërkon para për të ofruar këtë shërbim.
Pavarësisht sigurisë së lartë që presupozohet se ofron nga vënia e kamerave që nuk punojnë, ka edhe nga ata banorë të konvikteve që nuk u binden.
Siç ndodh rëndomtë në çdo godinë ka një orar hyrje edhe një orar për dalje. Saktësisht lejohen hyrjet edhe daljet nga ora 6:30 deri në orën 23:30. Ndodh që nuk respektohet sepse ka edhe nga ata prej një serë arsyesh dalin apo hyjnë në orën 23:30.
A ia vlen te jetosh kështu?
Kaos, rrëmujë, tualete të përbashkët, burgosja brenda dhomës prej tre vetash, një palë rroba, laj-thaj kjo ishte gjendja e mjerueshme. A jetohet kështu?
Jo, mjafton të qëndrosh për të kuptuar, por nga halli edhe ekonomia detyrohemi të qëndrojmë, të përshtatemi dhe fitojmë imunitet ndaj kushteve skandaloze. E dini pse nuk bëjmë zë? Qiraja është disi më lirë se një shtëpi më qira.
Nuk bëjmë zë për të vetmen arsye, jo për ata që quhen “kujdestarë” apo “drejtori” por për prindërit tanë që torturohen për të na mbajtur në shkollë, kjo është arsyeja pse ne heshtim. Dhe siç heshtim për konviktin, heshtim edhe për Shqipërinë./dritare.net
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu