Koliti, moshat e rrezikuara, faktorët, simptomat dhe kurimi
Dr. Entela Labaj
Nga Dr. Entela Labaj
Koliti spastik ose sindroma e zorrës së irrituar, është një ndër patologjitë më të shpeshta që shpjegohet me çrregullimin e motorikës normale të zorrës si pasojë e gjendjes emocionale, dietës (ushqimet e skuqura, qumësht, çokollata, alkooli, domatet, kafeja), hormoneve të tubit tretës, toksinat nga mikrobet e ndryshme. Stresi emocional është një ndër faktorët kryesor që shkakton tek personat që vuajnë nga koliti kontraksione të zorrës dhjetë herë më shumë sesa në ata persona të shëndoshë. Burimi kryesor i kësaj sëmundjeje është përzgjedhja e ushqimeve të yndyrshme dhe të thata, kombinimi i ushqimeve të papërshtatshme me stresin emocional dhe fizik çon drejt shfaqjes së kolitit.
Faktorët dhe moshat e rrezikuara nga koliti
Kjo sëmundje thuhet që nuk ka moshë, por në përgjithësi fillesat e koltitit shfaqen rreth moshës 15-vjeçare, duke u bërë të shpeshta me kalimin e viteve. Faktorët hyn: stresi emocional, ushqimi me yndyrë dhe i thatë, kafeja, alkooli, domatja, hormonet e aparatit tretës , si dhe bakteret e ndryshme në aparatin tretës.
Simptomat e kolitit
1. Dhimbje barku dhe diarre ndonjëherë dhe me përmbajtje hemorragjike. Dhimbja lokalizohet në pjesë të ndryshme të barkut dhe ndryshon intensitet duke kaluar nga format e lehta deri ato më të rënduarat.
2. Gazra në aparatin tretës dhe kapslliku. Simptomat mund të shfaqen të gërshetuara ose të veçuara me periudha të gjata kapsllëku, ndërpriten dhe pasohen nga diarreja që mund të zgjasë dhe për shumë ditë. Karakteristika është shfaqja e diarresë në orët e para të mëngjesit.
3. Çrregullimet e zorrëve dhe jashtëqitja e shtuar e gazrave, rëndimi i stomakut, vështirësia në tretjen e ushqimeve, si dhe hemorragjia janë disa shenja të tjera të kolitit.
4. Shenja të tjera që shoqërojnë sëmundjen janë: dhimbje koke, dhimbje muskujsh, debulesë, rrahje të shpeshta të zemrës , prishje të gjumit dhe humorit.
5. Sëmundja karakterizohet dhe me rënie në peshë, lodhje e vazhdueshme, anemia si pasojë e humbjes së gjakut në jashtëqitjes (kur koliti është ulçeroz).
Tipet e kolitit
Ekzistojnë dy tipa kolitesh : koliti nervor dhe koliti ulçerativ
a. Koliti nervor: nervat e caktuara për zorrën e trashë tek disa persona , janë shumë të ndjeshme, gjë e cila çon në çrregullimin e saj si pasojë e ngrënies së disa lloje ushqimesh të veçanta, ose si pasojë e një çrregullimi nervor si : ndonjë frikë e madhe apo zemërim i madh. Atëherë gazrat mblidhen në zorrë në përmasa të mëdha dhe ngrihen lart duke shtypur të dyja anët e barkut ose njërën prej tyre, sidomos anën e majtë dhe kjo shkakton shtypje të stomakut dhe ndjenjën e ngopjes dhe fryrjes dhe si pasojë, shtypjen e shtresës ndarëse dhe kjo e fundit shkakton ngushtim në gjoks dhe frymëmarrje. Jashtëqitja del e ngurtë, me vështirësi. Por në disa raste, zorrët lëvizin shumë dhe shkaktojnë diarre.
b. Koliti ulçerativ. Është një inflamacion i pjesës më të madhe të zorrës së trashë. Kjo sëmundje prek më tepër të vegjlit dhe të rinjtë sesa të rriturit. Ka disa shkaqe përsa i përket kolitit ulçerativ, ku disa mendojnë se ato janë imune dhe të tjerë mendojnë se janë disa toksina të mikrobeve të ndryshme. Simptomat e këtij koliti ndryshe nga koliti nervor janë: diarre e forte me gjak, anemia, dobësimi i përgjithshëm fizik, etj.
Si vihet diagnoza e kolitit?
Përveç shenjave klinike dhe ekzaminimit objektiv, bëhen këto ekzaminime: gjak komplet, ekzaminimi i feçeve, gjak okult apo për parazit, sigmoidoskopia dhe kolonoskopia, ekzaminimi radiologjik i zorrës, ECHO barku.
Parandalimi i kolitit
– Ndjekja e një diete të ekuilibruar ushqimore që përmban fibra dhe duke eliminuar erëzat djegëse, pijet me gaz, alkoolin, yndyrnat, ushqimet e thata.
– Pirja e ujit para ushqimit, sidomos në mëngjes, 1 apo 2 gota ujë.
– Eliminimi i stresit, frikës, gjendjes emocionale
– Të eliminohen ushqimet që shkaktojnë gazra të shumta në zorrë: lëngjet e gazuara, lakrave, mollëve, kumbullave, bizeleve, fasuleve, qumështit.
– Ushqimet e thata të eliminohen, ushqimi për çdo vakt të jetë në sasi të pakët që të tretet mirë dhe lehtë, ushqimet të jenë të ziera mirë ose të pjekura mirë dhe sidomos përtypja të bëhet e ngadaltë.
– Relaksimi në kohën e ngrënies. Të hahet darkë të paktën tre orë para gjumit. Ngrëniet afër kohës së gjumit shkaktojnë sekretim të acidit gastrik gjatë natës dhe për pasojë shfaqjen e kolitit dhe ulçerës.
– Alkooli dhe nikotina nxisin dhe rrisin acidin gastrik pasi është parë se koliti ulçeroz është më i shpeshtë tek këta pacientë.
– Kufizimi i ushqimeve pikante ka rëndësinë e vet.
– Karotat ulin në 30 % rrezikun nga koliti.
Medikamentet
Përfshin preparate qetësuese të sistemit nervor, anksiolitikët dhe antidepresivët nëse është e nevojshme.
Duhet theksuar se nevojitet një psikoterapi e kujdesshme, jetë aktive dhe e qetë, shëtitjet dhe ushtrimet relaksuese ndikojnë në lehtësimin e dukurive klinike. Në format me kapsllëk rezultate të mira arrihen nga përdorimi i krundeve të grurit, apo bukës së zezë, apo përdorimit të rreth 1,5 l lëngjeve në ditë dhe ushqimeve me fibra.
Në rast se kapsllëku nuk korrigjohet me dietë, mund të përdoren dhe medikamente si: Duphalaxit në formë tretësire apo pluhurit të tretur në ujë.
Në format me diarre, përveç heqjes nga dietat e ushqimeve që e provokojnë atë, vend të rëndësishëm zënë dhe preparatet antidiarreike si p.sh imodium. Ndërsa për dhimbjen adominale, përdoren preparatet antispastike si p.sh buscopan.
Box
Ushqimi, çfarë duhet të dinë pacientët me kolit
Dieta dhe përzgjedhja e ushqimeve që duhet t’i servirim çdo ditë organizmit tonë luan një rol vendimtar në përmirësimin e simptomave të kolitit, si dhe problemeve të tjera që dëmtojnë zorrën.
Duhet të hiqet dorë nga ideja nga kufizimet e pajustifikuara të ushqimeve të ndryshme. Kështu, pacientët duhet të rendin drejt ushqimeve të lehta dhe që nuk formojnë shumë celulozë, të cilat nuk e lodhin organizimin gjatë tretjes së tyre.
Pacienti duhet t’i nënshtrohet një diete rigoroze, jo shumë të rreptë e të kufizuar, por e tillë që t’i japë atij të gjitha lëndët ushqyese, vitaminat dhe kripërat e nevojshme. Kështu dieta e përditshme duhet të mbizotërohet kryesisht nga ushqime të lëngshme, supëra me zarzavate.
Duhet të eliminohen ushqime që ndikojnë në shtimin e gazrave në zorrë siç janë përdorimi i tepruar i lëngjeve të gazuara, lakrave, mollëve, kumbullave, bizeleve, fasuleve dhe qumështi.
Ushqimet e thata janë kategorikisht të ndaluara. Ushqimi për çdo vakt duhet të jetë në sasi të paktë që të tretet lehtë e të mos shtyhet në zorrën e trashë pas tretjes së çdo vakti, pasi e dëmton atë. Ushqimet duhet të jenë të ziera ose të pjekura mirë, dhe sidomos të përtypen sa më mirë. Hani ngadalë dhe përtypini mirë ushqimet. Evitoni ushqimet e skuqura dhe me yndyrë.
Hani 3 vakte të lehta dhe midis vakteve te hani përsëri lehtë. Kjo është e rëndësishme për të mënjanuar periudhat e urisë dhe mbingarkesën në ushqim të cilat janë që të dyja të dëmshme për stomakun.
-Relaksohuni në kohën e ngrënies. Hani darkë të paktën 3 orë përpara gjumit. Ngrëniet afër kohës së gjumit shkaktojnë sekretim të acidit gastrik gjatë natës e për pasojë shfaqje të kolitit dhe ulcerës.
-Ndërprisni pijet që përmbajnë kafeinë (çaj, kafe, kola); madje dhe kafeja dekafeinato, pasi shkaktojnë rritje te prodhimit të acidit gastrik, që mund të rëndojë dhimbjen në një ulcer ekzistuese dhe të shfaqin kolit. Në qoftë se këto pije tolerohen mirë nga i sëmuri, atëherë mund të merren ne sasi të moderuara dhe afër vaktit ushqimor.
-Alkooli dhe nikotina rrisin acidin gastrik, pasi është parë se koliti ulceroz është më i shpeshtë tek pacientë. Duhani ul mundësinë për shërimin e ulcerës dhe kontribuon në rishfaqjen e ulcerës.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu