Radar
Sa kushton patenta?
Patenta në internet, si bëhet aplikimi dhe sa kushton
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka inauguruar shërbimin “e-Patenta”, i cili jep mundësinë e aplikimit përmes internetit për patentat e reja, për rinovimin tyre, si dhe për zëvendësimin kur ato janë humbur apo dëmtuar.
Burimi |
: BalkanWeb |
Shërbimi gjendet në portalin unik qeveritar www.e-Albania.al dhe ofrohet nga DPSHTRR. Në faqe shpjegohen në mënyrë të detajuar, edhe përmes ilustrimeve me video, hapat që duhet të ndjekë një qytetar për të aplikuar dokumentacionin që duhet të paraqesë, ashtu si edhe tarifat përkatëse për secilin prej veprimeve. Sipas kryeministrit Sali Berisha, i cili inauguroi shërbimin, për realizimin e tij janë investuar 2,6 milion euro, ndërkohë janë përpunuar për këtë qëllim të dhënat e lejeve të drejtimit të arkivuara që para viteve 1990 dhe deri në ditën e sotme.
Siti në internet
Në faqen zyrtare të e-Patenta-s, në sitin www.e-Albania.al, sqarohet se aplikimi për Leje drejtimi është një shërbim elektronik, i cili mundëson aplikim për pajisje me leje drejtimi për herë të parë (Aplikim për regjistrim në përgatitjen teorike dhe Aplikim për regjistrim në përgatitjen praktike). Gjithashtu, faqja ofron edhe tri shërbime të tjera, që janë: aplikimi për rinovim leje drejtimi, për zëvendësim leje drejtimi të dëmtuar, si dhe aplikim për zëvendësim leje drejtimi të humbur. Shërbimi e-Patenta, si fillim është i disponueshëm për zyrën rajonale të Tiranës dhe brenda muajit qershor do të përdoret nga qytetarët në të gjithë Shqipërinë. Gjithashtu, brenda 10 ditëve, shërbimit për aplikim për patentë të re do t’i shtohen edhe tri shërbime të tjera për aplikim për rinovim leje drejtimi, aplikim për zëvendësim leje drejtimi të dëmtuar dhe aplikim për zëvendësim leje drejtimi të humbur.
Aplikimet dhe tarifat
Na portal pasqyrohen gjithashtu hapat që duhen ndjekur për secilin nga aplikimet, dokumentacioni i nevojshëm për secilin prej tyre dhe tarifat përkatëse për secilin veprim. Për të aplikuar për rinovimin e lejeve të drejtimit kërkohet dokumentacioni i mëposhtëm (i tëri i skanuar): fotokopje e kartës se identitetit, vërtetim banimi, raporti mjeko-ligjor, 4 fotografi me ngjyra dhe vërtetim i grupit të gjakut (vetëm për lejet e drejtimit format i vjetër). Pajisja me autorizim për kryerjen e kursit teorik kushton 500 lekë, po aq sa ç’kushton provimi i njohurive teorike. Provimi i njohurive praktike për patentat e klasit “C”, “D”, “C+E” kushton 1300 lekë, ndërsa riprovimi i tyre 600 lekë. Ndërkohë që tarifa për pajisje me leje drejtimi për të gjitha kategoritë është po aq sa edhe tarifa për rinovimin e lejeve.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu