Lidhu me ne

Aktualitet

100 ditët e mosqeverisjes së Ramës

100 ditët e mosqeverisjes së Ramës
Si po qeveris Rama? Kjo pyetje që më drejtoi disa ditë më parë një njeri i rëndësishëm i biznesit nga Kosova më bëri të reflektoj për t’i shpjeguar më mirë përgjigjen time.
Rama nuk po qeveris fare!
Kur them “nuk qeveris” nuk e kam fjalën që Rama dhe ekipi i tij nuk shkojnë në zyrë; as që nuk bën punët burokratike që bën çdo qeveri. Ajo që them është se që prej rikonfirmimit në krye të Qeverisë, Rama ka rënë në kurthin e mosqeverisjes, amullisë dhe kaosit si asnjë Kryeministër tjetër deri më sot.
Historia politike shqiptare ka treguar që rikonfirmimet kanë qenë më të vështira se zgjedhja rishtare. Fatos Nano qëndroi vetëm 2 muaj e 10 ditë kryeministër pas rizgjedhjes në Mars 1991. Aleksandër Meksi më pak se 7 muaj pasi u rizgjodh në 1996. Ilir Meta nuk kaloi dot 5 muaj më 2002, kur u dorëhoq për t’i lënë vendin Majkos. I vetmi që arriti të mbijetonte ishte Berisha në 2009. Edhe ai prodhoi një qeverisje shumë më pak cilësore se sa ajo që kishte prodhuar në vitet 2005 – 2009. Madje mandati i tij ra në rutinë dhe u ngadalësua herën e dytë. Rama e ka nisur po me këtë këmbë, por shumë më dobët. Sepse konteksti në të cilin vepron është ndryshe nga ai i parardhësve të tij.
Në 100 ditët e para, qeverisjen e kanë dominuar lajmet për Saimir Tahirin dhe Habilajt, ato për kanabisin, përgjimet apo krimin. Thuajse asnjë lajm për rezultate qeverisëse. Historitë me banditë dhe kriminelë u kthyen në telenovelë. Premtimet për aksione spektakolare dështuan ose janë zëvendësuar me lëvizje kaotike nga zgjedhja e zëvendëministrave që duken si “Liza në botën e çudirave” e deri tek Prefektët që nuk e kuptojnë për se janë aty, edhe pse shumë prej tyre janë njerëz me integritet.
Administrata është krejt e paorganizuar dhe shkrirjet apo rikrijimet e strukturave të reja nuk kanë funksionuar në 90 % të rasteve.
Ministrat janë shumica jashtë loje, madje shumë prej tyre, nuk njihen as si emra dhe si imazhe nga publiku.
Rama duket se e ndjen këtë. Statistikat e shtypit, tregojnë se ai ka kaluar në TV, më shumë kohë se çdo spiker lajmesh dhe më shumë se sa çdo drejtues emisionesh televizive (edhe atëherë kur u zhduk 10 ditë në Nju Jork, pa dhënë asnjë shpjegim). Por nëse dikush ju pyet, se çfarë mbani mend nga këto 100 orë/në 100 ditë të Ramës në TV, përgjigja e vetme është: asgjë! Gjithsecili që e lexon këtë shkrim mund ta japë vetë përgjigjen.
Nëse ka një gjë që e simbolizon dështimin e 100 ditëve është largimi i kompanisë së njohur botërore të turizmit, Starwood, tashmë pjesë e Marriot International, që tërhoqi emrin Sheraton nga Tirana. Pak kohë më parë, Rama e konsideroi turizmin një sfidë dhe i tillë duhet të jetë. Ai krijoi lehtësi financiare për të shtuar Hotelet me 5 yje që administrohen nga gjigandët e turizmit botëror, por humbi të vetmin përfaqësues që kishim, Sheratonin. I vendosur në Shqipëri më 2003, ai ishte hoteli i vetëm nga një emër i madh ndërkombëtar turizmi. Sot, pas ikjes së tij, Tirana është i vetmi qytet në rajon dhe ndoshta, i vetmi kryeqytet në botë, ku mungon një emër i hotelerisë botërore. Shkupi ka sot Marriot dhe Courtyard; Prishtina ka Swiss Diamond; Podgorica ka Hilton dhe Ramada; Ljubjana ka Intercontinental; Beogradi ka Hyatt dhe Luxury Collection; madje edhe Sarajeva ka Holiday Inn. Shqipëria është e vetmja që s’ka asnjë. Madje edhe vende të izoluara si Kuba kanë zinxhirin e Hoteleve Melia dhe Luxury Collection dhe Korea e Veriut ka disa kompani të mëdha Japoneze.
Të pretendosh të sjellësh turistë në një vend ku nuk operon asnjë kompani serioze dhe e madhe turizmi, është më shumë se qesharake.
Problem duket se do të jetë edhe integrimi. Pardje, Rama deklaroi që edhe hapja e negociata me BE mund të mos ndodhë. Nëse ky nuk është një truk për t’i dhënë më shumë peshë lajmit nëse negociatat hapen, bilanci i tij do jetë dramatik krahasuar me parardhësin. Në 5 vitet e para, 2005 – 2010, Shqipëria firmosi dhe filloi zbatimin e marrëveshjes së MSA; mori propozimin për Statusin e vendit kandidat; dorëzoi Pyetësorin dhe arriti liberalizimin e vizave. Përtej këtyre, mori ftesën dhe më pas anëtarësim e plotë në Nato. Në këto vite, është marrë vetëm Statusi i Vendit Kandidat dhe asnjë hap më tej. Edhe pse rrethanat ndërkombëtare nuk kanë qenë të favorshme për të, Rama sërish, ka shumë pak çertifikata për t’i varur në murin e zyrës së tij.
Qeverisja ende nuk ka nisur, por 100 ditët e para janë shembulli më i keq se si mund të qeveriset një vend. Ndaj pyetjes se si po qeveris Rama, mund t’i përgjigjesha pa hezitim, që Rama, nuk po qeveris, ose Rama nuk ka nisur ende të qeverisë!
Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix1 ditë më herët

Çfarë ndodh në organizëm nëse nuk hani sheqer për 10 ditë

Sheqeri ka një efekt shkatërrimtar në organizëm dhe nxit shfaqjen e shumë problemeve dhe sëmundjeve shëndetësore siç janë: diabeti i...

Mix1 ditë më herët

Faktori që ndikon në shtimin në peshë – Këshillat që ju duhen

Ushqyerja e keqe dhe shtimi në peshë janë pjesë e një cikli vicioz që rrezikon shëndetin jo vetëm të të...

Mix1 ditë më herët

Përfitimet e pafundme nga lëngu i mandarinës

Kjo është stina e mandarinave. Ky frut i shijshëm pak më i vogël se portokalli mund të hahet në formën...

Mix1 ditë më herët

Speci djegës – Si ta përdorni për shëndetin e zemrës

Speci i kuq djegës është përdorur prej mijëra vitesh kundër disa problemeve shëndetsore. Këtu përfshihet urthi, kllapia, sëmundjet e stomakut,...

Radar1 ditë më herët

-Hej, Siri, a mund të më gjesh një mik të besueshëm?

Nga Ornela Çuçi “Popujt zakonisht i këndojnë virtyteve që nuk i kanë” më tha kolegia ime nga Kosta Rika në...

Mix1 ditë më herët

Spotify publikon listën me këngët më të dëgjuara në historinë e saj

Aplikacioni muzikor Spotify ka ndarë një listë të 10 këngëve më të transmetuara në historinë e tij. Spotify është bërë...

Mix1 ditë më herët

Andrea Toska, 14-vjeçari shqiptar që u shpërblye nga Samsung pasi zbuloi defektin në softuerin e tyre

Andrea Toska është një 14-vjeçar shqiptar, i cili ka arritur të zbulojë një defekt në softuerin e telefonave celularë Samsung...

Mix1 ditë më herët

Qumështi i shtrydhur me pompë më pak i shëndetshëm sesa ushqyerja direkt nga gjiri?

Qumështi i gjirit i shtrydhur me pompë mund të mos jetë aq i shëndetshëm për fëmijët, sa qumështi i dhënë direkt nga...

Kioske1 ditë më herët

Nëse nevojën për politikanë të rinj opozitarë do ta kishte përmbushur PD …

Nga Indrit Vokshi Partitë e reja Lulëzuan sepse degradoi PD-ja. Në raport me to, Fevziu, Sandri, Carlo, Vjollca, Irfani, Ylli,...

Mix1 ditë më herët

Arsyeja absurde pse Mark Zuckerberg eliminoi fact checking nga Facebook

Lajmi për eliminimin e verifikimit të fakteve nga palët e treta nga rrjetet sociale Meta ka ngjallur jo pak komente...

Facebook