Nikolla Gruevski ka dhënë dorëheqje nga drejtimi I partisë, VMRO-DPMNE. Ai e ka paraqitur dorëheqjen para Komitetit Qendror të partië ku morën pjesë 111 anëtarë. VMRO ka njoftuar përmes sekretarit të Përgjithshëm, Hristijan Mickovski mbajtjen e një kongresi të jashtëzakonshëm në datat 22-23 dhjetor, por duke shtuar se rendi i ditës së tij nuk është përcaktuar ende.
Ndërkohë mediat shqip në Maqedoni përcjellin informacione mbi arsyetimin e vetë Gruevskit për këtë akt.
“Dorëheqjen e dorëzoj si akt moral sepse është e natyrshme që secili të ketë besimin më të madh në vetvete për të marrë përgjegjësinë për humbjen pavarësisht nga të gjithë faktorët që e kanë prekur atë. Këto zgjedhje ishin një ndër më të parregulltat ku kishte shembuj eklatant për presione, shantazhe, blerje dhe kërcënime, por edhe zhgënjim në mesin e disa prej votuesve tradicionalë të VMRO-DPMNE. Pikërisht për shkak detektimit të korrigjimit të të gjitha mangësive, duhet të bëhet analizë e detajuar të rezultateve zgjedhore”, raporton portalb.mk.
Largimi i Gruevskit është një zhvillim i ri politik në Maqedoni në kushtet kur qeveria e drejtuar nga Zoran Zaev po merr mbështetje të madhe nga Perëndimi. Po kështu, ajo ka kapërcyer mosmarrëveshjet me Bullgarinë duke firmosur edhe një Traktat të Miqësisë.
Duket se qëndrimi nacionalist i Gruevskit dhe ngjarjet e famshme të dhunës në Parlament, kanë izoluar një parti që duhet thënë se qëndroi gjatë në pushtet dhe që sot ka nevojë për një fytyrë të re.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu