Jurgen Uldedaj i pamposhtur në ring, korr suksesin e 7-të si profesionist
Boksieri lezhjan Jurgen Uldedaj ka korrur fitoren e shtatë në karrierën e tij si profesionist, duke qëndruar i pamposhtur në ring. Lezhjani mundi me “KO teknik” në raundin e tretë çekun Redek Geismann, përballje e zhvilluar në shtëpinë e këtij të fundit. Kjo nuk ka trembur aspak boksierin shqiptar, që ka treguar një formë të shkëlqyer, duke e dominuar sfidën dhe fituar atë. Kjo është fitorja e parë e Jurgen Uldedaj me “KO”, pasi përballjet e tjera i ka siguruar me vendim unanim të gjyqtarëve.
Uldedaj, 20 vjeç, po i ngjit një e nga një shkallët e karrierës si profesionist, çka konfirmohet nga vetë boksieri lezhjan, që shprehet i kënaqur me këtë rezultat dhe paraqitjen ndaj rivalit 25-vjeçar çek, Geismann. “Gradualisht po konsolidoj rrugën drejt ndeshjeve më të rëndësishme për titull. Një falënderim të veçantë për trajnerin tim Dirk Dzemski dhe skuadrën SES Boxing, ku garoj dhe stërvitem”, u shpreh Uldedaj, që rikthehej në ring 8 muaj pas sfidës së fundit.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu