Shtatoret, “mania” për ta paraqitur Hajdarin me muskuj si Stallone
Këto ditë u inugurua në Tropojë, një shtatore e Azem Hajdarit.
Për ish-studentin të cilin Berisha së gjalli e quajti si të futur nga Sigurimi i Shtetit në lëvizjen e dhjetorit, kurse pas vdekjes e heroizoi kjo është e dyta shtatore që ngrihet.
Vec vendlindjes Tropojë, një tjetër shtatore e deputetit të vrarë në shtator 1998, qëndron prej dhjetorit 2012 në Qytetin Studenti në Tiranë.
Ajo që të bie në sy në të dy këto shtatore është mënyra se si është gdhendur në bronz ish-studenti i lëvizjes së dhjetorit ‘90.
Mënyra e paraqitjes së pjesës së sipërme të trupit lë shumë për të dëshiruar.
Hajdari i QS është paraqitur pa këmishë fare, me muskujt abdominalë sikur sapo ka dalë nga palestra. Detaji i pardesysë së bardhë që identifikonte “heroin e demokracisë” në ato vite është ruajtur shumë mirë, por kjo nuk mbulon aspak gafën e bërë me pjesën e brendshme.
Në fakt, ngjan sikur pardesyja është veshur direkt mbi trupin lakuriq, gjë që të kujton më shumë fotot provokuese të meshkujve në revistat e modës, sesa një prej drejtuesve të lëvizjes studentore që thuhet se përmbysi komunizmin.
Edhe në shtatoren e Hajdarit në Tropojë bien në sy muskujt po të paktën aty i kanë veshur një këmishë.
Në QS, ndoshta autori ka dashur të luajë me detajin e muskujve për të treguar forcën e Hajdarit dhe studentëve të tjerë që u bashkuan në ato vite, po duket qartë që nuk ia ka arritur, madje ka bërë të kundërtën.
Berisha asokohe kryeministër u shpreh se “Skulptori e ka derdhur atë me një mjeshtëri të rrallë në bronz dhe unë dua ta falënderoj shumë për këtë punë kryevepër që ka bërë”.
Por në fakt shumica e atyre që kalojnë përditë përpara shtatores në QS nuk kanë gjetur tek ajo heroin e ditëve të para të demokracisë, e aq më pak një kryevepër.
Më shumë të mbeten në mendje muskujt “six pack” të ish-studentit të dhjetorit se mesazhi historik që duhet të mbartë një shtatore.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu