Lidhu me ne

Kritike

Rektori…Kule 3!

Hysamedin Feraj
Mbasi për tetë vite i shkaktoi tragjedinë Universitetit të Tiranës, ish-rektori Dhori Kule rikthehet në skenë si komedian. Komedia shoqërohet me humor. E humori, zakonisht, shkaktohet nga e papritura e sjelljes së personazhit, nga përgjigje logjikisht të papritura, por që nuk janë krejt-krejt pa logjikë: veçse është logjikë absurde. Dhe kjo shkakton të qeshurën. Kështu, komediani Kule, papritmas, për gjendjen e mjerë të Universitetit të Tiranës ia mvesh përgjegjësinë rektorit të tanishëm, pse ky, për një vit, sidomos për tre muaj (!), nuk e paska rregulluar atë që Kule e ka rrënuar sistematikisht për tetë vite! Kjo nuk do me thënë se komedia nuk është gjini serioze arti.
Ajo fshikullon fenomene e personazhe socialë negativë, siç fshikullon në këtë rast komediani Kule personazhin social Dhori Kule, domethënë fenomenin social “rektor i universitetit publik që de facto e ka privatizuar atë në favorin e vet”. Komedia na tregon se personazhi social, që në skenë duket komik, në fakt ka një zgjuarsi të rëndomtë, ndonëse të mbrapshtë, me të cilën arrin “ç’të çajë përpara”, të dalë në krye dhe të shquhet si personazh.
Personazhit Dhori Kule nuk i mungon zgjuarsia e tillë. Pa asnjë punim shkencor, megjithatë personazhi mbante gjithë titujt e mundshëm shkencorë dhe akademikë, një dyzinë titujsh “honoris causa” të marrë andej-këtej, dhe postin e rektorit të universitetit, dikur më prestigjiozi në vend. Mungesa e punimeve shkencore në fushën e mendimit ekonomik, si fusha e tij, nuk e ka penguar aspak që të udhëheqë punime doktorale në fushën e filozofisë! Mirëpo, ndonëse nuk kam gjetur punime shkencorë në fushën e tij të ekonomisë, nuk mundem të them se nuk është ekonomist i zoti.
Këtë përfundim ma ndalojnë publikimet që janë bërë për pasuritë e rektorëve dhe ish-rektorëve. Prej tyre nuk del se Dhori Kule nuk del keq. Prandaj nuk mund të them se nuk ka ditur të bëjë ekonomi! Sigurisht që ka ditur. Veç rektor universiteti, Dhori ka qenë anëtar bordesh, i shumë bordeve.
U përfol publikisht se në disa ishte anëtar në kundërshtim me ligjin, por kjo nuk do të thotë se nuk e paguanin. Dhe pagesa është e rëndësishme; madje aq e rëndësishme se mund të “legjitimojë” edhe shkeljen e ligjeve. Angazhimi në shumë borde, drejtimi i punimeve doktorale në filozofi dhe koha që i ka marrë reflektimi i thellë filozofik, angazhimet politike si këshilltar bashkiak etj., sigurisht i kanë marrë kohë dhe energji që do t’ia kushtonte mbarëvajtjes së universitetit, dhe ndonjë punë si rektor mund t’i ketë shpëtuar pa e bërë. Megjithatë, ndoshta nuk mund të qortohet sepse thuhet se atë punë ia bënte, herë nga para e herë nga pas skene, zëvendësi i përjetshëm i tij, Ervin Demo.
Mund të thuhet kështu sepse ky, më shpesh se vetë Kule, shfaqej herë para ekranit e publikut, e herë pas tyre për të lëvduar arritjet e UT, ndërkohë që UT kishte marrë tatëpjetën. Tatëpjetën e UT e kishin bërë publike shumë pedagogë të UT të shqetësuar sinqerisht. Por rektori Kule nuk donte t’ia dijë për pedagogët, që i ndëshkonte si të donte.
Ai ishte punëdhënësi! Punëdhënësin e konceptonte si strategun bizantin ose pashain osman: ndonëse në pronësi të sovranit, pjesa që i jepej për administrim trajtohej prej tij, ashtu si prej atyre, si pronë private. De facto, ai ishte “zoti”, “lordi” i … Universitetit publik! Çka përfshinë “bizantinizmi” ishte e gjallë në personazhin Kule. Një herë ai e kishte marrë me vete për vizitë zyrtare në Turqi një pedagog (Gj. S.). Vizita kishte shkuar mirë dhe rektori dukej i kënaqur me pedagogun.
Por… Por mbasi u kthyen nga vizita, pedagogut në fjalë, nuk dihet pse, i kërkon nëse kishte marrë leje për vizitën që kishte bërë bashkë me rektorin në Turqi! Pedagogu, sigurisht, nuk mund t’i ishte bashkëngjitë delegacionit pa qenë në listën e miratuar nga vetë rektori. Gjithsesi, Kule kërkoi heqjen e ditëve të punës së pedagogut. Ai ishte punëdhënësi! Në fund të fundit, çka i duhej atij se çka bën ai vetë, çfarë listash miraton dhe kë miratonte. Sovranin nuk e lidhin detyrimet e veta. Bizantinizmi “rron or rron” në personazhin Kule.
Vlerësimi i tashëm i gjendjes së UT është bërë, si për gjithë të tjerët, për gjendjen në periudhën 2012-2016. Në atë periudhë (deri në fillim të 2016) rektor ka qenë Dhori Kule. Gjendja e mjeruar e UT është konstatuar për periudhën e drejtimit të UT nga Dhori Kule. Por Dhori jep përgjigjen e papritur: përgjegjësinë e ka rektori i tanishëm! A nuk qëndron komedia dhe humori në të papriturën!
Mirëpo, në tragjedinë e UT rol kryesor ka Dhori Kule, pavarësisht aspektit komik të tij në rolin e tashëm të komedianit në skenën me titull: “dobi`in te dera”. Kush është “dobi`i”? A pëlqehet nga shikuesit? Nga teatri dilet duke pyetur. Ndoshta shumë pyetje të shikuesve marrin përgjigje po të pyetet regjisori dhe aktori Kule. A do të pyetet?! Nga kush?!

“Panorama”

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix2 ditë më herët

Anita Haradinaj nuk mban dot lotët: Kam kaluar 3 aborte të vështira!

Bashkëshortja e Ramush Haradinaj, Anita ishte e ftuar në podcastin e Orinda Hutës “Mam”, ku beri disa rrefime te patreguara...

Mix2 ditë më herët

Nudo dhe seksi, Belen Rodriguez publikon FOTOT HOT në vaskë

Belen Rodriguez ka publikuar foto nudo në vaskën e shtëpisë së saj të re. Bukuroshja argjentinase shfaqet provokuese dhe e...

Mix2 ditë më herët

Sa para do të përfitojë Donald Trump nga mandati i tij i dytë?

Shkruar nga Jill Filipovic Trump kaloi 1 nga çdo 3 ditë të 3 viteve të tij të para në detyrë...

Radar3 ditë më herët

Stresi i indinjuar me karikaturën e Sokol Ballës në zyrë

Reperi Stresi ka reaguar ashpër ditën e sotme ndaj gazetarit Sokol Balla. Ai ka ripostuar në ‘story’ në Instagram një...

Mix3 ditë më herët

Victoria Beckham reagon pas aludimeve për ndërhyrje në hundë

Victoria Beckham ka reaguar ndaj thashethemeve të vazhdueshme për ndërhyrje kirurgjikale në hundën e saj. Gjatë një interviste në ‘Today...

Kryesore3 ditë më herët

Noka reagon pas sherrit me Agron Shehajn: Ai është ushtar i “Rilindjes”

Flamur Noka ka reaguar për sherrin që ka pasur me Agron Shehajn në foltoren e Kuvendit. Noka e shtyu me...

Mix3 ditë më herët

Çfarë kanë të përbashkët migrena dhe endometrioza?

Sa herë që përmendet fjala “migrenë” apo “endometriozë,” shumica e njerëzve mendojnë për dy probleme të veçanta. Por ja ku...

Sport3 ditë më herët

Si Carlo Ancelotti shkroi historinë me Real Madrid

Carlo Ancelotti Carlo Ancelotti vazhdon të bëjë histori me Real Madridin. Trajneri italian është bërë trajneri me më shumë tituj...

Mix4 ditë më herët

”Televizioni po shkon drejt llumit” – Alketa Vejsiu ‘përballet’ me Dalina Buzin: Po ‘Andale’ yt çfarë është?

Në podcastin e Alketa Vejsiut, Dalina Buzi, producente dhe një figurë e njohur e televizionit shqiptar, ka dhënë mendimin e...

Mix4 ditë më herët

Syzet inteligjente Ray-Ban Meta tani përkthejnë në kohë reale

Lajme nga Meta për syzet e saj inteligjente. Kompania e Mark Zuckerberg në fakt ka njoftuar se Ray-Ban Meta është...

Facebook