Jenny Hill, BBC
Angela Merkel dukej e lodhur dhe e tensionuar, kur mbërriti në selinë e partisë së saj në mbrëmje, pas përfundimit të zgjedhjeve.
Teksa dilte nga makina, ajo sajoi një buzëqeshje fillimisht për kamerat, më pas për besnikët e partisë, që ishin mbledhur jashtë selisë së CDU.
Kancelarja e dinte se do ti fitonte këto zgjedhje.
Por nuk ishte kjo fitorja për të cilën kishte shpresuar.
Ky është rezultati më i keq i konservatorëve nën drejtimin e saj.
Një verdikt, ndoshta, lidhur me vendimin e saj për të hapur dyert e Gjermanisë për 1 milion refugjatë.
Duke iu adresuar partisë, Merkel pranoi se katër vitet e shkuara kanë qenë të vështira.
Megjithatë partia e arriti qëllimin e saj, të dilte e para.
Por brohoritjet nuk ishin shumë entuziaste.
Kjo për shkak se historia e suksesit në këto zgjedhje i përket AfD-së.
Në anën tjetër të qytetit, në një dhomë të mbushur me tollumbace blu dhe të bardha, anëtarët e partisë anti-emigracion, anti-Euro, po brohorisnin pasi u bë e qartë se jo vetëm do hynin në parlament, por do jenë partia e tretë në Bundestag.
Alexander Gauland është një prej liderëve të AfD- tashmë deputet.
Ai i tha turmës se partia e tij do vazhdojë gjuetinë pas zonjës Merkel.
“Ne do rimarrim vendin dhe popullin tonë”, tha ai, një retorikë e jashtëzakonshme për Gjermaninë e post-Luftës së Dytë Botërore.
Fushata e hapur ksenofobike e AfD-së, si dhe incidentet në disa tubime të zonjës Merkel, janë thuajse pa precedent.
Jashtë selisë, policia po mbante nën kontroll protestuesit anti-AfD, që po demonstronin kundër asaj që për shumë njerëz është një zhvillim shokues politik.
Ishte një ditë kaotike për politikën gjermane.
Dhe për Berlinin, që organizoi maratonën e përvitshme, teksa votuesit shkonin te kutitë.
Ka një ndarje dhe pakënaqësi në zemër të këtij vendi.
Mes turmës që po ndiqte maratonën, një burrë më tha se është i terrorizuar nga rritja e nacionalistëve të krahut të djathtë.
“Ata janë si nazistët nën Hitlerin. Kam lindur në vitin 1939. Isha fëmijë i luftës. Jam rritur në rrënoja dhe tani e kemi sërish këta. Ata janë kriminelë. Gjithmonë kam votuar CDU-në dhe dua kancelaren Merkel”.
Zonja Merkel duhet të gjejë tani partnerë për koalicionin.
Mos prisni që të ketë ftesë për AfD.
Ajo duhet të bindë vendin, ndoshta edhe disa brenda partisë së saj, se është njeriu i duhur për atë punë.
Ka qenë një fushatë e gjatë dhe e lodhshme.
Merkel mund të ketë fituar zgjedhjet, por nuk ndjehej si një fitore.
Zgjedhjet do futen në librat e historisë për dy arsye. Angela Merkel mund të ketë fituar një mandat të katërt, por është rezultati më i keq i saj.
Dhe nacionalistët e djathtë tashmë janë pjesë e establishmentit gjerman.
Ajo që është normë politike në shumë vende europiane, konsiderohej e paimagjinueshme në Gjermaninë e pas-luftës.
Jo më!
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu