Ministri i Jashtëm i Austrisë Sebastian Kurz, ka kërkuar që Bashkimi Europian të ndërpresë menjëherë bisedimet për anëtarësimin e Turqisë në union:
“Vërejtja për udhëtimet në Gjermani nga ana e Turqisë është një dëshmi e re se duhet të ndërpriten menjëherë bisedimet për anëtarësim me këtë vend. Do të ishte gabim nëse vazhdojnë bisedimet me Ankaranë”, u theksua në kumtesën e lëshuar nga Kurz.
Ai me këtë rast nënvizoi se Turqia ka disa vite që me hapa të mëdhenj po largohet nga Europa. Që nga tentim-puçi vitin e kaluar, më shumë se 100 mijë persona janë arrestuar apo larguar nga puna, vuri në pah Kurz, duke shtuar se Turqia me këtë nuk përmbush kriterin e parë të Kopenhagës, që është baza për të nisur bisedat me Bashkimin Europian.
“Për këtë arsye do të vazhdoj të angazhohem për ndërprerjen e bisedimeve dhe më gëzon fakti se tani ka ndryshuar mendim edhe kandidati i socialdemokrat për kancelar të Gjermanisë, Martin Shulc dhe ministri i Jashtëm, Zigmar Gabriel”, u theksua më tutje në komunikatë.
Shefi i diplomacisë austriake gjithashtu qartësoi se ndërprerja e bisedave për anëtarësim nënkupton se Turqisë nuk do t’i ndahej më ndihma para anëtarësimit në vlerë prej 4.4 miliardë euro, duke shpjeguar se sa më shumë që pret unioni, aq më shumë para do t’i jepen Turqisë.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu