Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur në postin e Zv. Kryeministres, deputeten e Qarkut të Shkodrës, zonjën Senida Mesi.
Emri i 40 vjeçares nuk është i dëgjuar për publikun, ndaj më poshtë mund të njiheni më gjerësisht me formimin e Zv.Kryeministres së re shqiptare.
Senida Mesi ka lindur në Shkodër më 16 Dhjetor 1977. Ajo është e martuar me Dr. Artanin dhe kanë 3 fëmijë, Erlind, Iris dhe Edan.
Znj. Mesi është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Administrim-Biznes, në vitin 2000. Në vitin 2009 ka përfunduar Masterin Ekzekutiv në Frankfurt të Gjermanisë, për Financë dhe Bankë.
Në vitin 2013 certifikohet Kontabël i Miratuar dhe në 2016, certifikohet në lidership dhe qeverisje nga Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike, financuar nga Bashkimi Europian.
Znj. Senida Mesi ka hyrë në politikë në vitin 2015, kur edhe u bë Anëtare e Këshillit Bashkiak Shkodër. Ajo ka një eksperiencë 17 vjeçare si drejtuese në sistemin bankar dhe është eksperte në fushën e ekonomisë dhe financës, njëkohësisht lektore e jashtme në Fakultetin Ekonomik.
Një konsulente biznesi, e cila eksperiencën e saj ia ka kushtuar zhvillimit të biznesit. Aktualisht administratore në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.
Ajo është trajnuar në fusha të ndryshme, si bankare, burimeve njerëzore, administrimit, manaxhimit të riskut, kredidhënies, zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme, sipërmarrjes, lidershipit, financave publike, qeverisjes vendore dhe zhvillimit ekonomik lokal.
Folëse në Konferencen Ndërkombëtare të EFSE (Fondi Europian për Europën Juglindore për Zhvillimin e SME-ve) dhe pjesëmarrëse në Forumin Botëror për Demokraci në Strasburg.
Znj. Mesi zotëron gjuhën angleze dhe italiane.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu