Avokati Spartak Ngjela, ka komentuar përformancën e punës dhe rolin e ish-ministrave teknikë të Partisë Demokratike në qeverinë “Rama 1”.
Ngjela deklaron për gazetën “Sot” se ministrat teknikë të PD-së ishin të dështuar që kur u bënë pjesë e qeverisë, pasi erdhën me frymën dhe logjikën e Sali Berishës.
Avokat Ngjela, u shpreh se, këta ministra gjithashtu ishin njerëz të kotë, që kryeministri Edi Rama i injoroi duke mos i mbledhur asnjëherë si pjesë të qeverisë, të cilët e kishin të garantuar humbjen e zgjedhjeve në 25 qershor.
Sa i takon publikimit të raportit të zgjedhjeve, Ngjela u shpreh se ky raport nuk duhet marrë në konsideratë pasi nuk ka asnjë fakt me emër, se cilët janë shitësit apo blerësit e votës.
“Që të kesh mendimin e saktë se zgjedhjet janë blerë, duhet të më tregosh blerësit dhe shitësit! Ke kapur ndonjë blerës? Ke kapur ndonjë shitës? Jo! Kjo është logjika juridike, të tjerat janë logjikë alla Sali, që vijnë nga hardhitë e komunizmit primitiv. Nuk flitet pa prova. Le të nxjerrin provat e vjedhjes së votave, megjithëse i kanë kundërshtarë absolutë. Asnjë muzë nuk mund të pranohet. Këta po shijnë se nuk ka filluar reforma në drejtësi.
Pasi të nisë reforma, nuk do dëgjoni asnjë fjalë nga kjo çerdhe kalamajsh që i prodhon Sali Berisha. Ishte shkolla e Enver Hoxhës, tani është shkolla e Saliut. Politika amerikane i futi ata të çadrës me forcë në Parlament. Sepse iu nxori të gjitha faktet se çfarë kishin bërë ata në hundë e nën hundë, bile edhe në funksion ndërkombëtar.
Ata u rrasën brenda por që të mos i nxirrnin të fyer, i thanë Ramës hajde pranoji këta ministra dhe i pranoi si kërkesat e McAllister me përjashtim të presidentit të ri, i cili është zgjedhur. Dhe ata nuk e diskutuan më. Këta ishin kot, njerëz të kotë dhe zgjedhjet i kishin të humbura.
Të gjitha ato kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit ishin mendime të Saliut, se Rama nuk tërhiqet dhe në do destabilizojmë Shqipërinë. Se çfarë u duhej këtyre “ministrave” të rrinin në një qeveri që Rama nuk i thirri asnjëherë? Zgjedhjet i kishin të humbura”, – u shpreh Ngjela./SOT/
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu