Të zgjohesh pa energji elektrike për dy mëngjese radhazi në një fshat turistik në Shqipëri, pasi për ditë me radhë ndërprerja ka qënë më e gjatë se furnizimi e ta thuash publikisht nuk është as antireklamë për turizmin në vendin tim e as dëshirë cinike për t’u qarë ndaj qeverisë.
Madje nuk di kë të mallkosh më parë, paaftësinë e qeverive të djathta a të majta që rropën ç’mundën pa patur as një cipë modeste fytyre për të bërë çdo vit nga pak e për 27 vjet do ishim tek baziket: furnizim i rregullt me energji elektrike dhe ujë.
Që këto çështje janë përdorur elektoralisht kjo tashmë po mësohet me breza në këtë vend.
Që publiku i gjykon partizançe, nuk mund të fajësohet.
E para, sepse e kanë mësuar me përdhunë të mos e meritojë as ujin e rrjedhshëm në rubineta e as energjinë pa ndërprerje. I bënë ca ushtrime të kualifikuara psikologjike për të pranuar depozitat e ujit si pemët në natyrë dhe gjeneratorët si retë në qiell. Krejt të natyrshme për të, duke e zhveshur nga çdo ambicje për të braktisur një formë primitive jete edhe në vitin 2017.
Dhe sot një pjesë publiku shan e shiton qeverinë e demokratëve (me të drejtë për dështimin në zgjidhjet bazike për jetën e qytetarëve), duke justifikuar çdo vendim të asaj aktuale. Pjesa tjetër i hakërrehet aktuales, duke i paragjykuar çdo vendim, nisur nga rekordet e katërvjeçarit të kaluar në konçensione e privatizime.
Dhe gjithçka vijon me kokfortësinë e rutinës, qeveria do bëjë si do pa pyetur e transparencë, publiku do konsumojë mllefin në hapësira virtuale, shoqërinë civile (atë pa parti) do ta lënë pa një vend në tryezë dëgjesash, braktisur nga një pjesë e saj, publiku dhe lënë në mëshirë të paragjykimit.
Dhe në fund do zgjohemi sërish mëngjeseve pa energji, me currilin e ujit mbetur nga furnizimi i fundit rubinetave, duke çjerrë durimin nga zhurma gjeneratorësh e duke shpëlarë gojën me ujë depozitash ambalazhuar në fabrika me teknologjinë më të fundit të paketimit.
Uji dhe energjia janë të mira jetike, menaxhimi i tyre çështje e sigurisë kombëtare. Nuk mund të përdoren e zgjidhen me qasje elektorale. Nuk mund të jenë pjesë e filozofisë më mirë pak se fare, apo të keqes më të vogël. Për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në infrastrukturë, koston tejet të lartë, rëndësinë jetike nuk i lihen në dorë një njeriu a një mandati katërvjeçar. As me idenë se ‘ai burri’ po punon e t’i japim benefitin e dyshimit, as me filozofinë se ata që e dështuan sistemin s’kanë gojë të kundërshtojnë. Dhe t’i hysh konspiracioneve për privatizime e konçensione është kaq e thjeshtë, sepse si ‘ata’ edhe ‘këta’ e bëjnë.
Meqë tashmë e dimë si ujin që nuk pijmë nga rubinetat se populli nuk proteston masivisht rrugëve e institucioneve, se është programuar në dekada të durojë, atëherë le të bëjmë ç’mundim.
Të kërkojmë një pakt kombëtar për menaxhimin e energjisë dhe ujit në vend. Të ngrihet një komision me shkencëtarë e specialistë të njohur, shqiptarë të aftë këtu, apo të edukuar e formuar jashtë dhe në një kohë të dhënë të propozojnë tre plane alternative, shoqëruar me fatura financiare e afate, me përgjegjës konkretë për t’u siguruar banorëve të vendit plot burime ujore, energji e ujë të pijshëm pa ndërprerje.
Pasi kjo të jetë qartësuar, atëherë të kalohet në vendimarrje pa rrahur gjoksin pushtetarë të sotëm e të ardhshëm, sepse do të jenë aty për të shërbyer e zbatuar një plan të kuruar, që kërkon më së pari ndëshkimin e atyre që e dështuan e jo ndëshkimin e qytetarëve me rritje çmimesh në kushtet e cilësisë ende të munguar.
Se në mars u rritën paga e pensione e ja ku po i marrin sërish mbrapsht me një plan ku për zot i del një njeri që ka vetëm dy vjet në menaxhim qyteti e s’mban dot as kusuret e së djeshmes, por as ato të të ardhmes nëse partia e vet nuk do jetë në pushtet.
E si sot një vit më parë kur rriteshin taksa e sërish mllefonim këtyre anëve, pa zgjidhur asgjë, sillja në vëmendje fabulën e famshme: ‘Luani nuk ka nevojë të marrë leje për të ngrënë zebrën. Luani nuk flet dhe zebra nuk degjon’.
Do vijojmë me rregullat e xhunglës?
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu