Aktualitet
Moralisht përgjegjës, penalisht të pastër
Bëri bujë në media shkarkimi publik i drejtorit të Aluizn-it të Beratit nga vetë kryeministri Rama që shpjegoi edhe arsyet në Fejsbuk pse drejtori i Legalizimeve të Beratit nuk mund të qëndronte më në detyrë. Sipas tij nuk mund të kishte asnjë justifikim zvarritje prej 5 vitesh e një të moshuara për të marrë lejen e legalizimit.
Ndërsa drejtori i madh i ALUIZN-it, Artan Lame dy ditë më pas komunkoi shkrirjen e gjithë zyrës rajonale të Beratit dhe hapjen e aplikimeve për të rinj e të reja që duan të punojnë në Agjencinë e Legalizimeve si shërbëtorë të shtetit dhe jo si taksidarë.Përgjegjësitë e Drejtorit të Aluizn-it të Beratit për rastin në fjalë nuk mund të diskutohen dhe largimi nga detyra është i merituar, pavarësisht mënyrës që u zgjodh për ta bërë shkarkimin përmes një gjyqi publik.
Në rastin më të mirë çështja që çoi në shkarkimin e drejtorit të ALUIZN-it të Beratit është shpërdorim detyre dhe përgjgjegjësitë në këtë rast nuk janë vetëm administrative por edhe ligjore.Por fushata që ka nisur kryeministri për të pastruar administratën nga të korruptuarit apo të papërgjegjshmit nuk po shohim të shoqërohet edhe me padi penale për njerëzit që kanë shkelur ligjin dhe që deri dje kanë përfaqësuar shtetin që drejtohej nga i njëjti kryeministër.
Edi Rama ka ripërsëritur shpesh se do qeverisë me forcën e shembullit dhe jo shembullin e forcës, por drejtësia nuk rivendoset vetëm me gjyqe publike por me mbajtjen e përgjegjësive ligjore të atyre që kanë shkelur kontratën me shtetin dhe qytetarët. Dhe rasti i Beratit tregoi se shembulli vlen më shumë për drejtorët që diskretitojnë pushtetin sesa për drejtësinë e shtetit ndaj qytetarëve të tij.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu
Për të postuar një koment, duhet të jeni i futur.