Nga ARDIAN VEHBIU/ Pamë një video që është mëkat ta quash amatoriale, dhe ku një grua (e luajtur nga Mirela Topulli) kërkon të rrahë një burrë (i luajtur nga Genci Angjellari): gruaja prezantohet si pronare e një firme, burri si gazetar. Dy homines sapientes në kacafytje të trishtuar.
U tha se ky gazetari po bënte një “investigim” për një punë të pistë të kompanisë që drejtonte agresorja, dhe se kjo e fundit deshi t’i tregojë vendin. U shtua se Topulli “e dhunoi kafshërisht” Angjellarin.
Më pas u kundër-tha, nga pala tjetër, se videoja i ish dhënë publikut e edituar rëndë, dhe aty ish lënë jashtë fakti që gazetari në fjalë, i paraqitur si viktimë, e kish nisur “investigimin” duke e fyer atë gruan dhe duke e qëlluar në mjekër me mikrofon.
Pamë edhe hematomat në mjekrën e viktimës tjetër. Tashmë jemi mësuar me këto gjurmë që ia lëmë njëri-tjetrit në trup, kur duam të komunikojmë me zor: ia shkruajmë tjetrit dhunën në lëkurë, si të thuash.
Vështirë të thuash se çfarë ka ndodhur; ose më mirë, shumë e lehtë të thuash se çfarë ka ndodhur: kemi parë median në veprim.
Publiku i përfytyron këta guerrilas të medias si “syrin dhe veshin” e vet; nëpërmjet tyre, shpreson të marrë vesh se çfarë ndodh.
Këtij publiku i duhet uruar, megjithatë, mirëseardhja në raportimin post-modern të realitetit, ku mediat nuk mjaftohen me kronikën e ngjarjes, por e krijojnë këtë ngjarje vetë.
Nuk është hera e parë, që gazetaria “investigative” paraqitet kështu – një gazetar kamikaze, që i vërsulet dikujt me pyetje të tipit: “kur do të hiqni dorë nga vjedhja e popullit?” dhe një kamerë dore, që regjistron në video reagimet e tjetrit.
Ky farë zhurnalizmi e përdor mikrofonin si armë të ftohtë: çfarë e bën ironik pretendimin e administratores Topulli, se Angjellari e kish goditur në mjekër me mikrofon.
(Po sikur ta kish goditur me kamera?)
Konfliktet në vijën e frontit mediatik ndonjëherë përfundojnë edhe kështu; çfarë është e re, në historinë e trishtuar të medias shqip, është se këto konflikte tashmë u zënë vendin lajmeve.
Po të jetë i vërtetë pretendimi i Topullit (dhe i mjekrës së saj të lënduar), atëherë kemi një gazetar që mësyn qytetarin dhe pastaj reagimin e këtij të fundit e paraqet si lajm.
Dhe meqë lajmin e rrëfen gazetari vetë, ndonëse i “agresuar” në krye të detyrës, atëherë kemi të bëjmë me atë që, në narratologji, e quajnë unreliable narrator – ose në rrëfimtar që nuk i zihet besë.
Prandaj fola më lart për gazetari post-moderne.
Do të pyetet: po cili është lajmi këtu, sa kohë që palët kanë dhënë versione të kundërta? E kam përgjigjen gati: lajmi është që ky lajm është dhënë; nuk duhet pretenduar për më tepër.
Dhe një investigim i një çështjeje aq serioze sa eliminimi abuziv i mbetjeve spitalore, dëshmon më shumë nevojën që vetë gazetarisë “investigative” (këtë fjalë do ta shkruaj gjithnjë në thonjëza), në Shqipëri, i duhet të eliminojë mbetjet trash në stilin me të cilin u qaset temave të mëdha.
Thelbi i këtij skandali – nëse mund ta përdor ende një fjalë si prej GABI – është prova e sjellë nëpërmjet videos; meqë publiku ende e ka ruajtur besimin tek imazhi, si më afër së vërtetës se fjala.
Por që publiku e ka ruajtur besimin tek imazhi, kjo veç do të thotë se sot përpjekjet më të mëdha për ta mashtruar po bëhen nëpërmjet imazhit.
Tek e fundit, hetimi dhe raportimi i çështjeve me interes kushton më shumë se inskenimi i një videoje çfarëdo, të filmuar me kamera dore, e cila sakaq merr vlera dokumentare dhe përhapet më shpejt se fruthi.
Sa kohë që është pranuar roli i mediave si teatër për dëfrimin e publikut dhe kur infotainment-i ka zënë kryet e vendit në portalet dhe vend-grumbullimet e tjera të plehrave, çfarë do të pengojë që edhe lajmi t’i nënshtrohet produksionit?
Kjo do të ishte edhe ana e përkundërt e lektisjes pas reality shows, edhe pse pjesë e së njëjtës prirjeje madhore për t’i shkrirë kufijtë midis raportimit dhe realitetit.
Brenda këtij produksioni, “gazetari” do të zërë vend qendror – meqë lajmi jo vetëm do të rrëfehet në vetën e parë, por edhe vetë rrëfimtari imponohet si personazhi kryesor i rrëfimit.
Madje jo vetëm: misioni i këtij personazhi, a i këtij heroi në daçim, do të ishte ai i ndëshkuesit – ose një version soft i inkuizicionit.
Le ta quajmë këtë funksionalitet të papritur ana e pasme e vetting-ut, të paktën për nga efektet populiste të garantuara.
Dikur media totalitare ruante monopolin ndaj përzgjedhjes së lajmit dhe sidomos ndaj interpretimit të tij – sipas filozofisë se “kuptimi” a “domethënia” e një ngjarjeje kish përparësi ndaj rrëfimit vetë, sa kohë që ishte “kuptimi” dhe “domethënia” që vërtetonin drejtësinë e vijës ideologjike, etj.
Sot media post-totalitare nuk ka më fuqi të interpretojë; e ka më të lehtë ta sendërtojë realitetin, ashtu siç kujton se ia kërkon publiku.
Media është mesazhi, thoshte McLuhan-i. Tashmë i rrëfyer në vetën e parë nga një unreliable narrator, do të shtoja. (Peizazhe.com)
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu