Nada Biraçi
Vajza e Linda Ramës flet mbi profesionin, ëndrrat e pasionet, kujtimet në shtëpinë e fëmijërisë, marrëdhënien me vëllain Zaho dhe rëndësinë e Edi Ramës në jetën e saj, me të cilin ndajnë të njëjtin pasion, pikturën
Takimi i parë me Rean ishte i shkurtër, por mjaftueshëm për të kuptuar shumë rreth saj. Do të gënjeja nëse do të thoja se vajza që jeton në familjen kryemistrore, prisja të ishte si Rea. Sepse prisja një Rea paksa të llastuar, pse jo edhe pak mendjemadhe, që do të zgjidhte ajo për çfarë dhe si do të bëhej intervista, dhe fakti që vajza e Linda Ramës nuk kishte dhënë asnjë intervistë, edhe pse shumë media ia kanë kërkuar, m’i përforconte edhe më shumë këto ‘pritshmëri’, që kisha për të. Teksa Rea afrohej në tavolinë e veshur thjeshtë, me tiparet njësoj si mami Linda, e pasi u përshëndetëm, ndjeva se e njihja prej kohësh. U deshën vetëm pak minuta që të ‘ç’armatosesha’, nga gjithçka kisha menduar pak më parë për të. Rea u tregua tejet e gatshme të ndante çdo gjë me ne, lidhur me profesionin si arkitekte, ëndrrat e pasionet, kujtimet e saj në shtëpinë ku është rritur, marrëdhëniën me vëllain e vogël Zaho, raporti që ka me Gregorin, dhe sa e rëndësishme është figura e kryeministrit Edi Rama në jetën e saj, me të cilin për koincidencë ndajnë të njëjtin pasion, atë për pikturën.
Ju jeni bërë pjesë e Biennales së 18-të, të Panairit të Arteve Kontemporane, që u mbajt një muaj më parë. Me çfarë u paraqitët?
Ka qënë një përvojë shumë e vlefshme për mua hedhja e këtij hapi jashtë mureve të studios sime. Tema e Biennale-s së këtij viti ishte shtëpia, duke marrë parasysh sa i përkohshëm është koncepti i saj në vende në ndryshim të vazhdueshëm si Shqipëria, por edhe vendet e tjera të Ballkanit apo Mesdheut. Mora pjesë me një instalacion, një dhomë eksperimentale ku ndërveprojnë me njëra-tjetrën periudhat influente në dizajnin e jetuar të 100 viteve të fundit të historisë së Shqipërisë, përmes objektesh shtëpiake të rivizituara me syrin e të sotmes.
Siç edhe e përmendët, në këtë biennale, tema kryesore ishte koncepti i shtëpisë, çfarë ju frymëzon për këtë tematikë si interior dizajner?
E nisa kërkimin rreth kësaj teme duke pyetur njerëz të ndryshëm mbi çfarë quanin shtëpi, cilat ishin kujtimet në shtëpitë ku kishin jetuar, si e ëndërronin shtëpinë, a do të dëshironin të gjendeshin në shtëpinë e ëndrrave të tyre së bashku me objektet e kujtimeve që kanë. Kjo e fundit qe pyetja që më kuriozonte më shumë, e nga kjo nisi filli i krijimit të instalacionit. Mendoj se ndër vite, kur flitet për shtëpi, jemi shkëputur nga historia jonë dhe e kemi detyruar veten të ecim në një drejtim të paditur, që më së shumti i ngjan revistave dhe fotove që gjejmë në internet dhe historisë së vendeve të tjera, të cilat të parët tanë nuk i kanë jetuar dhe që nuk kanë aspak kuptim në kontekstin tonë. Shtëpia, për mua është pasqyra e indentitetit dhe jetës se atyre që e kanë jetuar dhe e jetojnë atë. Dhe si e tillë, të shfaqet me frymët e saj të padukshme dhe të dukshme që komunikojnë dhe shkëmbehen bukur me njëra – tjetrën.
Çfarë marrëdhënie keni ju me shtëpinë, a mund të zbuloni për lexuesit tanë në ç’formë e keni sjellë në këtë Bienale?
Patjetër që pyetjet e shtruara më lart ia kam bërë edhe më fort vetes time, duke u futur dhe vetë në një botë kujtimesh ku momentet janë të lidhura me objektet e objektet të lidhura me ndjesitë. Në instalacionin e Biennale-s, i titulluar “Strangely familiar”, kujtimet janë sjellë si një endërr e të ardhmes. Kam mbledhur objekte të periudhave të ndryshme që kanë qëndruar në hapësirat e shtëpive tona, otomane, italiane, të komunizmit. Një pjesë të mirë të tyre unë i kam të lidhura me shtëpinë që kishim kur unë isha e vogël, të tillë e kemi patur sobën, edhe komodina në dhomën e prindërve ka qenë e tillë. Tavolinën dhe një minibibliotekë shumë të vjetra m’i dhanë gjyshërit nga shtëpia aktuale e tyre, gramafoni i vitit 1911 nuk kishte se si të mos ishte nga Korça si një element qytetërimi i sjellë nga emigracioni i fillim shekullit të kaluar. Ndërsa portmontoja ka qenë e tillë në të gjitha shtëpitë e kohës së komunizmit. Qilimi dhe mbulesat e kolltuqeve dizenjuar enkas nga unë nën frymëzimin e formave të ballkoneve dhe dhomave të tharjes së një godine që gjendet përballë studios time, është produkt i talentit dhe mjeshtërisë së punës në tezgjah të gruas shqiptare që në dhjetra vite i ka ofruar shtëpive tona estetikë, ngrohtësi dhe dashuri. Gurët e shtruar si një dysheme natyrale, përvec simbolikës së dyshemeve të çimentos apo pllakave të granilit, më kujtojnë gurët në dy anët e lumit Vjosë, i cili rrjedh hijshëm mes per mes qytetit të Përmetit, me të cilin janë të lidhura shumë histori të mrekullueshme që më kanë treguar gjyshërit dhe pasioni i babait për lumin dhe detin. Të gjitha objektet janë rinovuar e ritrajtuar duke u sjellë në kohërat e sotme si objekte moderne, pjesë e një shtëpie të ditëve të sotme, sipas imagjinatës time. Mendoj se ëndrrat dhe kujtimet vijnë tek ne në të njëjtën formë vizuale, gjysmë-transparente dhe me dritë, prandaj instalacioni është ndërtuar me mure polikarbonati, material i cili ka aftësinë të na tregojë nga jashtë njolla ngjyre të asaj që është brenda, sikur të qe në të vërtetë një hologramë e asaj që kemi në mendje. Kjo hapësirë në fakt nuk është një përgjigje e pyetjeve që u shtruan, por një pyetje tjetër në vetvete : po sikur të ishte kështu? Shqipëria është një mozaik kulturash të ndryshme dhe ky mozaik i bukur dhe i vecantë besoj se duhet të pasqyrohet edhe në përjetimin e shtëpive tona.
Sa rëndësi ka zbatimi i një instalacioni në një projekt interior? Dhe a njihet gjerësisht ky term në Shqipëri?
Instalacioni është një term i përdorur gjërësisht në art, si një medium ndryshe nga tradicionalja, në të cilin ndërveprimi midis shikuesit dhe veprës është parësor dhe ku ti je pjesë e asaj që sheh. Sigurisht ka një pafundësi filozofish e mënyrash që mund të zgjedhësh për të bëre dizajnin e një hapësire. Në filozofinë time, koncepti i instalacionit është shumë i rëndësishëm, pasi nuk mendoj se një hapësirë duhet të përmbushë thjesht funksionin e saj, por edhe të ndërveprojë me ata që e përdorin çdo ditë apo që e prekin atë rastësisht me sy. Kështu mundohem të gjej zgjidhje të reja për të krijuar sipas rastit hapësira dhe objekte funksionale, ndërvepruese dhe estetike.
Ndërkohë sa i përket aktivitetit tuaj privat, ju prej një viti keni hapur studion tuaj të dizajnit, të cilën e keni quajtur Re/Lab, çfarë ndodh në këtë laborator?
Në fakt nuk është bërë ende një vit, do dhe pak muaj. Re/Lab është krijuar mbi parimin për të qenë një zgjedhje dhe jo një ofertë mes të njëjtave gjëra të ndryshme, është një mënyrë të pari përtej larmisë së mundësive për të zgjedhur dhe është një ftesë për të menduar ndryshe. Thënë më shkoqur, Re/lab është një laborator ku çdo hapësire i krijohet një koncept identiteti sipas të cilit i ndërtohet çdo objekt ad hoc, i veçantë dhe unik në shumicën e të cilëve nuk mungon dhe prekja me penelin dhe ngjyrat e imagjinatës time. E gjithë kjo është përpjekje për largim nga kultura e blerjes së produkteve në masë dhe një mundësi për të besuar tek ustallarët lokalë, të cilët janë të shumtë dhe të gatshëm që të vënë në dispozicion të gjithë mjeshtërinë e tyre për të mos lënë në letër imagjinatën e dizenjatorit. Univers Reklama dhe Lizard print për shembull janë dy mjeshtrat e realizimit të dhomës time eksperimentale paraqitur në Biennale, të cilët i falenderoj me gjithë shpirt.
Cilët janë punët që ka bërë studio juaj, dhe çfarë stili ju karakterizon ju?
Studio ka bërë për momentin disa projekte që lidhen me mjedise të vogla pune dhe disa instalacione për evente. Nuk di ende të them saktësisht stilin që më karakterizon pasi është një proçes i vazhdueshëm kërkimi midis artit, dizajnit dhe arkitekturës. Siç ka thënë Picasso : Zoti në të vërtetë është thjesht një tjetër artist. Ai shpiku gjirafën, elefantin dhe macen. Ai nuk ka një stil, Ai thjesht ecën përpara duke provuar gjëra të tjera. Por diçka e them me siguri, hapësirat dhe instalacionet që kemi dizenjuar janë shumë funksionale dhe unike.
Një dizajner, apo një arkitekt realizon gjithçka që i kërkon një klient apo përfshin edhe element të stilit tuaj personal në një punim të caktuar?
Mendoj që nëse një dizajner do të realizonte gjithçka i kërkon një klient, atëherë klienti nuk do kishte nevojë për një dizajner.
Cilat janë trendet e dizajnit në tërësi?
Dizajni në këtë moment nuk të ofron trende të caktuara, por një mori zgjedhjesh e zgjidhjesh tek të cilat gjithsecili mund të gjejë veten. Më e rëndësishmja besoj në këtë moment është ndërlidhja e dizajnit me teknologjinë, si për përmirësimin e jetës së njerëzve por edhe në zbulimin e materialeve të reja të cilat janë miqësore si për njeriun edhe për ambientin.
Ju jeni në fillim të karrierës tuaj. Si e mendoni të ardhmen tuaj? Kur parashikoni ta shihni veten të plotësuar në karrierë?
Mendoj se në këtë profesion kaq të bukur është shumë e vështirë të parashikosh të ardhmen, sepse krijon te ardhme çdo ditë dhe nëse një ditë nuk ia del ta bësh këtë, je e shkuara. Në një kuptim s’është karrierë është mënyrë jetese.
Cila është ëndrra juaj, a ka ndonjë person që ju frymëzon me stilin e tij?
Momentalisht jam shumë e frymëzuar nga një dizajner hollandez shumë i ri por me famë shumë të madhe i cili quhet Maarten Baas i cili ka një mënyrë krejt të veçantë të trajtimit të koncepteve që prekim çdo ditë siç është ai i kohës, një nga punët më të fundit që ka realizuar. Është shumë i tërhequr nga teatri e kjo shfaqet duke krijuar situata që tregojnë një histori nëpërmjet objekteve. Në art dhe në dizajnin e modës do përmendja dy japoneze, Yayoi Kusama dhe Rei Kawakubo, e para duke treguar në kërkimin e saj të pafundësisë dhe e dyta në trajtimin e tradicionales në mënyrën e saj krejt origjinale dhe të ndryshme. Kurse nga arkitektët do përmendja atë të cilin më ka magjepsur qyshse e kam parë para tre vitesh në Biennale-n e Venecias, Moon Hoon, një korean, eklektik dhe i çmendur do thoja.
Përveç profesionit tuaj, cilat janë pasionet e tjera që keni?
Më pëlqen të lexoj për koncepte abstrakte, të shoh filma që s’tregojnë veç histori por të tregojnë ndjesi, dhe sigurisht piktura është pasioni im i hershëm të cilin tani e shfaq në mënyra të tjera.
Rea ju jeni pjesë e familjes kryeministrore. Ç’raport keni me z. Rama?
Ne nuk jemi familje kryeministrore po prej tre vjetesh e gjysmë kemi një kryeminister në familje! Kjo do të thotë se për mua Edi është kryeministër si për gjithë të tjerët, po ndryshe nga të tjerët unë e kam dhe do ta kem gjithnjë të rëndësishëm në jetën time, pavarësisht nga statusi i tij zyrtar apo social.
A këshilloheni ju me të, si dy artistë dhe a shkëmbeni ide për ndonjë projekt?
Në kohën shumë të kufizuar që e gjej pa telefonin që nuk i ndahet as kur është duke kaluar orët shumë të rralla të pushimit, është kënaqësi të flas me Edin për artin, modën, filmin dhe patjetër edhe për idetë e mia. Por, padyshim Linda është shoqja ime e pandarë e bashkëbisedimeve të gjata dhe këshilluesja ime më e mirë.
Ju postoni shpesh foto me më të voglin e familjes, Zaho. Kaloni shumë kohë me të? Si është Zaho kujt i ngjan më shumë?
Di të them se sa herë kam mundësi e kaloj kohën me të e nuk ngopem dot me Zahon! Është një rreze drite dhe një super çun, po jam shumë xheloze për ta ndarë me të tjerët kur kërkojnë të shuajnë kuriozitetin lidhur me të. Kështu që asnjë fjalë më tepër për vëllaçkon tim!
Po me Gregorin, djalin e madh të Kryeministrit çfarë raporti keni krijuar, në fillim jeni shfaqur shpesh bashkë në publik?
Gregu është njish! I talentuar, gjithë humor të veçantë, shumë shok i mirë për mua.
Intervistë e dhënë për revistën Bordo në numrin, Qershor 2017
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu