Shkrimtari dhe figura ushtarake britanike Vandeleur Robinson (1902-1990), emri i vërtetë i të cilit ishte Vivian Dering Vandeleur Robinson, ishte djali i një koloneli anglez.
Studimet i kreu në Kolegjin Cheltenham.
Për një kohë ishte kadet në akademinë ushtarake Woolwich. Më pas, studioi për histori në kolegjin Emmanuel në Kembrixh.
Me sa dihet, Robinson-i jetoi disa kohë në Çekosllovaki, ku u martua për herë të parë me një çeke.
Në vitet 1930, Robinson-i punoi në Lidhjen e Kombëve si organizator rajonal për Evropën juglindore. Aty u njoh me gruan e tij të dytë, gazetaren britanike Clare Hollingworth (1911- ), me të cilën qëndroi i martuar nga viti 1936 deri në vitin 1951.
Muajin e mjaltit çifti e kaloi në Ballkan, ku Robinson-i shkoi përsëri dhe qëndroi disa muaj përpara se të fillonte Lufta e Dytë Botërore. Ishte pikërisht gjatë kësaj kohe kur vizitoi edhe Shqipërinë për herë të parë.
Kjo vizitë shërbeu si frymëzim për Robinson-in për të shkruar librin e tij, Albania’s Road to Freedom (Rruga e Shqipërisë drejt Lirisë, Londër 1941).
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Robinson-i shërbeu si kapiten në ushtrinë britanike ku, me sa duket punoi për organet e zbulimit. Ai erdhi në Shqipërinë në tetor të vitit 1944, ku takoi udhëheqësit e ardhshëm komunistë.
Në mars të vitit 1945, Robinson-i ishte atashe shtypi në misionin ushtarak britanik në Tiranë.
Gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në Shqipëri, si vëzhgues i huaj diplomatik, ai pati mundësi të merrte pjesë në Gjyqin Special të zhvilluar kundër gjashtëdhjetë përfaqësuesve të regjimit para-komunist, gjatë të cilit të pandehurve iu dhanë dënime të ashpra me vdekje, ose me burgim të gjatë si kriminelë luftë dhe armiq të popullit.
Në maj dhe qershor të vitit 1945, ai bëri një udhëtim të gjatë me një xhip ushtarak në jug të vendit të shkatërruar nga lufta.
Për disa dhjetëvjeçarë informacionet dhe fotografite për Shqipërinë ishin të pakta, prandaj fotot e viteve 1944-1945 janë me një rëndësi të veçantë.
Robinson-i e kaloi pleqërinë në Italinë e veriut ku thuhet se ka shkruar edhe disa pjesë teatrore. Arkivi i tij ruhet në School of Slavonic and East European Studies në Londër.
Koleksioni fotografik i Vandeleur Robinson-it ndahet në dy pjesë: (1) fotot e vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1939, të cilat u botuan në librin Albania’s Road to Freedom (Londër 1941) dhe sigurisht nuk ishin të gjitha nga Robinson-i vetë, dhe (2) fotografitë – deri tani të panjohura – të bëra në Tiranë dhe në Shqipërinë e jugut në fund të vitit 1944 dhe në mes të vitit 1945, para dëbimit të tij nga Shqipëria.
Pjesën e dytë e fotografive familja Mellet ia dhuroi Qendrës për Studime Shqiptare (Centre for Albanian Studies) dhe tani ruhet në arkivin e Royal Geographical Society në Londër.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu