Besmir Semanaj
Angazhimi im politik me Partinë Demokratike daton që ne vogëli në vitin 1996, me fushatën e parë ku im atë kandidonte dhe fitonte si kryetar bashkie në një qytet të vështirë. Ishte koha kur vota nuk blihej, por njerëzit vlerësonin personin, intelektin dhe moralin. Vij nga një familje, antarët e së cilës nuk kanë qenë asnjë herë pjesë e Partisë së Punës, dhe nuk i bënë lajka dhe poezi “kurvit”. Kam qenë dhe kam punuar për PD pa përjashtim në çdo fushatë. Në këmbim të kësaj nuk kam kërkuar dhe përfituar qoftë dhe një rrogë shteti. Kam zgjedhur të jem profesionist dhe i suksesshëm në profesionin tim dhe të ardhmen time mos ta lidh me politikën.
Nga ana tjetër, kam vendosur të merrem me politikë për të ardhmen e fëmijëve të mi që të kenë mundësi jetese, shkollimi, mirëqenie sociale, më shumë seç kemi ne sot.
Bëra një hyrje për vete, për t’u shpjeguar disa personave, që shohin si kontribues në PD vetëm ata që kafen e mëngjesit e pinë te Selia e PD, ngaqë në jetën e tyre nuk kanë punuar qoftë edhe një ditë; për ata që kane defiçencë intelektuale dhe mungesë të theksuar karakteri.
Megjithëse i djathtë dhe pjesë e PD, kam qenë nga ata që e kanë kritikuar z. Basha, si në zyrë në takim kokë më kokë, dhe në takim elektoral para 9 muajsh te Njësia 7. Kritika ime kishte vetëm 1 pikë që i kam qëndruar për vite me radhë. “Z. Basha çfarë do bëni ju për të rinjtë dhe te rejat, ekspertë në fushat e tyre, në mënyrë që të bëhen pjesë e PD, kur shumë prej tyre po pengohen dhe nuk po ju hapet rrugë që të shpalosin vlerat e tyre?”. I thashë dhe që pengesë në këtë rrugëtim janë njerëzit që ti i ke në krah, edhe momentalisht.
E gjitha salla ngeli dhe Basha nuk ktheu përgjigje. Përgjigjen e mora gjatë rezistencës 3 mujore në çadër dhe gjatë fushatës 1 mujore. Të rinjtë ishin ata që u vunë në ballë të punës dhe sakrifikuan nga koha dhe jeta e tyre për një Shqipëri më të mirë. Të rinjtë ishin ata që u desh të rikuperonin dhe votat që po sabotoheshin nga ish-drejtorë, ish-ministra, ish-tender përfitues, ‘mjelës’ të PD dhe zhvatës të Shqipërisë.
Kur demokratët e vërtetë kritikonin, ju lëpiheshit se donit te kishit emrin në listën e sigurt; kur demokratët kritikonin ju i quanit ‘blasfemistë’; kur ne kritikonim, ju nënqeshnit duke thënë ‘jeni të rinj dhe se kuptoni politikën’.
Të dashur demokratë: kur them të rinjtë e PD, nuk them 18- 20 vjeçarët, nuk them as 35 vjeçarët, por të gjithë ata që punuan me mish e me shpirt për Shqipërinë pa pasur qëllim xhepin, postin dhe përdorjen e njerëzve si skllevër politik.
Unë e mbështes zotin Basha për shumë arsye:
1. Z. Basha diti të afrojë njerëzit e papërlyer dhe intelektualët.
2. U bë shpresë për të varfërin dhe të shtypurin; dha siguri që administrata e nesërme e PD nuk do ju përplaste derën në fytyrë.
3. Z. Basha diti të vendosë prioritete dhe ishte iniciator i shumë reformave.
4. Z. Basha nuk i vlerësoi demokratët sipas numrit të selfie-ve, por sipas punës, përpjekjes dhe përkushtimit.
5. Z. Basha ndërthuri historikun e partisë me të rene dhe risinë.
6. Z. Basha ka një program partie, program ekonomie, program për ndryshimin e kodit dhe sjelljen e Partisë Demokratike në pushtet.
7. Z. Basha ka mbështetjen e demokratëve të thjeshtë dhe kjo tregon çdo gjë.
Ju që kërkuat dorëheqjen e tij në kulmin e fushatës, dhe nuk pritët të mbaronte as numërimi i votave, nuk keni të drejtë morale as të kërkoni llogari. Si mund të kërkojë llogari një person që, kur të gjithë ishim në fushatë bënte pushimet në vende ekzotike? Si mund të kërkojë llogari një “ish” ministër, tani drejtor që vjen me makinë 100 mije euro dhe më thotë ‘çuni je i vogël për këto gjera’? Si mund të kërkojnë llogari ata persona që gjatë një muaji fushate punuan kundër, sabotuan, nuk lanë gjë pa thënë, sepse pas 27 vitesh në karrike nuk e imagjinonin që mund të kish të tjerë që do i zëvendësonin.
Mos harroni pse humbëm në 2013; mos harroni si e tradhtuat Berishën; mos harroni prepotencën dhe votën kundër që mori PD! Mos harroni që, dhe sot pas 4 vitesh, po lajmë gjynahet tuaja. Dje tradhtuat Berishën, liderin historik të PD, sot si çakej doni të shqyeni shpresën e mijra demokratëve./Politiko.al
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu