Lidhu me ne

Kritike

Hape atë rrugë, zoti Basha!

 

Nga Fabian Topallaj 
Partia Demokratike u krijua në vitin ‘91 si partia e mundësive dhe shpresës. Populli më i shtypur në Europë, për kohën më të gjatë të periudhës moderne të kontinentit, e përjetoi lindjen e Partisë Demokratike si zhvillimin më të rëndësishëm epokal, aq sa gabueshëm unifikonin emrin e kësaj partie me sistemin e ri qeverisës në vend, atë të “Demokracisë”. Siç barazonin fjalën “çamçakëz” me markën “Orbit”, demokratët barazonin Partinë Demokratike, që në fund të fundit ishte vetëm një nga partitë e sistemit pluralist, me lirinë e tregut, me mundësitë e individit për ta ndërtuar jetën sipas zgjedhjeve personale dhe me vetë të drejtat themelore të njeriut.
Jo vetëm të gjithë votuesit e kësaj partie ishin adhurues të demokracisë si sistemi i organizimit shoqëror që garanton shanset e barabarta, liritë e njeriut dhe shpërblen guximin dhe sipërmarrjen e individit (aq sa sot e kësaj dite ekziston një legjendë se, nëse do të ushtronin të drejtën e votës shqiptarët që guxuan të parët emigracionin, 90% e tyre do të votonin PD-në dhe rezultatet zgjedhore do t’iu ngjanin në vijimësi atyre të ‘92-shit), por edhe liderët e saj ishin njerëz që të gjitha gjërat në jetë i kishin arritur vetëm falë meritave personale. Pse ishte një parti që mision bazik kishte ndërrimin e kastave sunduese dhe ndryshimin e sistemit të vlerave në shoqërinë shqiptare postkomuniste, nuk kishte si të ndodhte ndryshe me drejtuesit e saj në vite, që duke nisur nga Azem Hajdari, të gjithë drejtuesit qenë individë të spikatur për meritat e tyre individuale dhe aspak pinjolle të familjeve apo shtresave shoqërore të privilegjuara. Këtu, sigurisht, dallon rasti i liderit historik të PD-së, të riut që erdhi nga zonat më të thella të Tropojës dhe arriti jo vetëm të bëhej një mjek i jashtëzakonshëm, por edhe të drejtonte lëvizjen politike kundër monizmit, duke shënjuar historinë e vendit të paktën për 25 vitet në vijim.
Një rregull i pashkruar midis mbështetësve dhe drejtuesve të saj u krijua që në nisje të këtij formacioni politik. Militantët e PD-së mbështetën çdo prurje të re në parti, përkrahën pa rezerva çdo aksion dhe vendim politik të liderëve të tyre, nuk refuzuan asnjë vendimmarrje qeverisëse edhe kur ato binin ndesh me ideologjinë e djathtë, me kushtin e vetëm që të gjitha këto të mund të shërbenin si fitore për siglën e partisë së tyre. Është e çuditshme se si njerëzit e strukturave të kësaj partie kanë pritur gjithmonë në mënyrë entuziaste prurjet e reja në parti, pa i shoqëruar asnjëherë me ndjenjën njerëzore të xhelozisë. Drejtues historikë të kësaj partie i lëshuan vendin pa asnjë ekses një grupi gazetarësh dhe profesionistësh të rinj të së djathtës pas vitit ‘98. Fillimi i ri si slogan i zgjedhjeve të 2001-shit ishte në vetvete edhe një hapje e re e Partisë Demokratike, që kulmoi me ripranimin e pothuaj të gjithë të larguarve në vite nga PD-ja. Krijimi i KOP dhe afirmimi i menjëhershëm i një grupi të rinjsh në fushatën e 2005-ës ishte qershia mbi fitoren e 2005-ës; përfaqësuesit e tij korrën rezultatet më spektakolare në zonat më të vështira të vendit dhe me të drejtë u shpërblyen me postet më të larta partiake dhe ekzekutive pavarësisht kohës dhe kontributit të shkurtër në politikë. Pas 2013-ës, zëvendësimi i të gjithë drejtuesve partiakë nga baza në qendër sipas parimit që humbësit duhej t’u linin vendin rishtarëve, nuk u shoqërua me asnjë hemorragji në strukturën e PD-së nga Saranda në Vermosh.
Po ashtu është mbresëlënëse se si votuesit më kapriçozë të mundshëm të pranojnë me aq lehtësi vendimmarrje të vështira politike, si koalicioni me LSI-në e Ilir Metës, i cili për një periudhë jo të shkurtër kishte qenë kundërshtari direkt i demokratëve, si marrëveshja “Nano-Berisha”, që garantoi zgjedhjet e së ardhmes duke kapërdirë dhunën ekstreme që ishte përdorur ndaj demokratëve për vjedhjen e atyre të 2001-shit, apo ajo midis Ramës e Bashës, që i dha fund sakrificës ekstreme të çadrës 90-ditore pa përmbushur asnjë prej kërkesave të shpallura me ngritjen e saj.
Të përndjekurit e mirëkuptuan PD-në edhe kur ajo nuk realizonte dot kërkesat e tyre morale për dëmshpërblim të menjëhershëm apo një lustracion të plotë të jetës publike shqiptare. Pronarët nuk e braktisën asnjë ditë PD-në pavarësisht Ligjit 7501 dhe atij të legalizimeve. Dhe, më e çuditshme ishte mbështetja pa rezerva e demokratëve të thjeshtë ndaj një sërë reformash të domosdoshme që pas viteve ‘90 shpërblenin shkelësit e ligjit dhe penalizonin ata që e kishin zbatuar atë në mënyrë rigoroze.
Por demokratët minimalisht braktisën dhe maksimalisht ndëshkuan me vetëdije Partinë Demokratike në zgjedhjet e 2017-ës. Pas një rritjeje modeste të PD-së në zgjedhjet vendore të 2015-ës dhe pas rezistencës epike 90-ditore të demokratëve për zgjedhje të lira, ata braktisën Partinë Demokratike dhe lidershipin e saj në mënyrë të menjëhershme, pikërisht në betejën finale. Çfarë kishte ndodhur, cila qe arsyeja e këtij bojkoti masiv të demokratëve, kush i kishte detyruar të arrinin deri në flirt me kundërshtarin e tyre, atë që kurrë nuk e kishin imagjinuar as në vitin e vështirë ‘97 kur kjo iu kërkohej nën kërcënimin e armëve? Sigurisht, nuk qe një akt i vetëm, as një vendimmarrje rastësore apo e gabuar, por qe një proces i gjatë që u dallua të merrte jetë në PD të paktën pas zgjedhjeve vendore dhe kulmoi më 25 qershor, qe një filozofi e tërë e drejtimit të opozitës. Sipas saj, morali nuk do duhej të ishte më shtylla e aksionit politik të opozitës së vendit; ai konsiderohej i paaftë për të përmbushur qëllimet politike, ndaj duhej t’i lëshonte vendin pragmatizmit të ftohtë se pushteti mund të arrihet vetëm nëse përdoren instrumentet e vetë atij. Kjo qe arsyeja që oligarkët filluan të harroheshin në diskursin e opozitës; ligji i arsimit të lartë apo vendimmarrje të tjera ekzekutive si plani urbanistik i Tiranës, koncesionet korruptive etj., jo vetëm nuk u goditën në mënyrë gjyqësore, por u kthyen në teatrin e aksionit opozitar, ndërsa lidershipi i Partisë Demokratike nuk po përzgjidhej më nga demokratët në funksion të një aksioni frontal të opozitës, por nga vetë kryetari i partisë, me qëllim forcimin e pozitës së tij personale në krye të strukturës partiake.
Protesta e 18 shkurtit dhe çadra e rezistencës u duk se rikthyen moralitetin dhe frontalitetin e aksionit opozitar, ndaj dhe demokratët shpresëplotë mbushën sheshet dhe qëndruan në mënyrë epike në protestën më të gjatë dhe të lodhshme të periudhës së pluralizmit në vend.
Demokratët e mirëkuptuan zgjidhjen me marrëveshje të krizës politike, por ata nuk mund të pranonin djegien brenda natës të kartës më të fortë të Partisë Demokratike, opozitarizmin, që e kishin ndërtuar me mund për katër vite të tëra. Demokratët e festuan sulmin që Partia Demokratike filloi t’i bënte LSI-së së Ilir Metës, që ishte kursyer për katër vite të tëra nga podiumi i opozitës, por nuk mund të pranonin që këtë privilegj ta gëzonte tani vetë Edi Rama. Demokratët do të amnistonin edhe heqjen nga listat e drejtuesve historikë të asaj partie, nëse ata të paktën do të zëvendësoheshin me të rinj të sprovuar në opozitë dhe jo me anonimë që, edhe pse s’dinë ende derën e selisë së partisë, përsëri u vunë në krye të përfaqësimit të saj në të gjitha qarqet e vendit. Ndoshta demokratët do të mirëkuptonin çdo gjë, edhe humbjen e zgjedhjeve madje, përveçse flirtit të Lulzim Bashës me Edi Ramën, mundësisë që për pak pushtet ata të shtriheshin në krevatin qeverisës me kundërshtarin e tyre më të madh, me vetë Rilindjen. Sepse, nëse do të pranonin këtë, demokratët s’do duhej të pranonin veten, identitetin e tyre, faktin që janë demokratë.
Lulzim Basha, pavarësisht se i drejtoi për 4 vite demokratët, pavarësisht se pati besimin e tyre absolut çdo ditë të vështirë të drejtimit të opozitës, për çdo vendim dhe aksion politik, përsëri nuk arriti t’i kuptonte kurrë demokratët shqiptarë, këtë formacion social dhe shoqëror sa të bindur aq edhe kapriçoz, sa liberal aq edhe konservator, sa të lexueshëm aq edhe të pakuptueshëm. Ndoshta Basha është i keqkuptuari i madh në këtë histori, por ai sot është vetëm përballë të gjithë demokratëve, ndaj i takon atij të dëshmojë që është vërtet demokrat, të paktën me një akt të fundit, largimin me dorëheqje nga kreu i partisë. Po s’pate guxim as për këtë, nuk meriton më të jesh as anëtar në PD Zoti Basha!
Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix2 ditë më herët

Anita Haradinaj nuk mban dot lotët: Kam kaluar 3 aborte të vështira!

Bashkëshortja e Ramush Haradinaj, Anita ishte e ftuar në podcastin e Orinda Hutës “Mam”, ku beri disa rrefime te patreguara...

Mix2 ditë më herët

Nudo dhe seksi, Belen Rodriguez publikon FOTOT HOT në vaskë

Belen Rodriguez ka publikuar foto nudo në vaskën e shtëpisë së saj të re. Bukuroshja argjentinase shfaqet provokuese dhe e...

Mix2 ditë më herët

Sa para do të përfitojë Donald Trump nga mandati i tij i dytë?

Shkruar nga Jill Filipovic Trump kaloi 1 nga çdo 3 ditë të 3 viteve të tij të para në detyrë...

Radar3 ditë më herët

Stresi i indinjuar me karikaturën e Sokol Ballës në zyrë

Reperi Stresi ka reaguar ashpër ditën e sotme ndaj gazetarit Sokol Balla. Ai ka ripostuar në ‘story’ në Instagram një...

Mix3 ditë më herët

Victoria Beckham reagon pas aludimeve për ndërhyrje në hundë

Victoria Beckham ka reaguar ndaj thashethemeve të vazhdueshme për ndërhyrje kirurgjikale në hundën e saj. Gjatë një interviste në ‘Today...

Kryesore3 ditë më herët

Noka reagon pas sherrit me Agron Shehajn: Ai është ushtar i “Rilindjes”

Flamur Noka ka reaguar për sherrin që ka pasur me Agron Shehajn në foltoren e Kuvendit. Noka e shtyu me...

Mix3 ditë më herët

Çfarë kanë të përbashkët migrena dhe endometrioza?

Sa herë që përmendet fjala “migrenë” apo “endometriozë,” shumica e njerëzve mendojnë për dy probleme të veçanta. Por ja ku...

Sport3 ditë më herët

Si Carlo Ancelotti shkroi historinë me Real Madrid

Carlo Ancelotti Carlo Ancelotti vazhdon të bëjë histori me Real Madridin. Trajneri italian është bërë trajneri me më shumë tituj...

Mix4 ditë më herët

”Televizioni po shkon drejt llumit” – Alketa Vejsiu ‘përballet’ me Dalina Buzin: Po ‘Andale’ yt çfarë është?

Në podcastin e Alketa Vejsiut, Dalina Buzi, producente dhe një figurë e njohur e televizionit shqiptar, ka dhënë mendimin e...

Mix4 ditë më herët

Syzet inteligjente Ray-Ban Meta tani përkthejnë në kohë reale

Lajme nga Meta për syzet e saj inteligjente. Kompania e Mark Zuckerberg në fakt ka njoftuar se Ray-Ban Meta është...

Facebook