Temporal
30 ditë në “hije”, sot kërkojnë të kryqëzojnë Bashën
Nga – Ndue Kalthi
Zakonisht pas përfundimit të zgjedhjeve dëgjojmë të gjithë liderët politikë të flasin për fitore dhe deri në certifikimin e zgjedhjeve nga KQZ asnjëherë nuk e dimë se cili është realisht fituese, duke marrë parasysh edhe bindjet politike dhe shpresën që vdes e fundit. Por këtë radhë rezultatet ishin të qarta. PS fitoi, PD humbi dhe bashkë me të edhe LSI, pavarësisht arritjeve. Në zgjedhje dikush do fitojë e dikush do humbë, nuk mund të fitojnë të gjithë, por demokratët prisnin që Partia e tyre këtë radhë të fitonte ose të paktën të siguronte mandatet maksimale si opozitë për shkak të zhgënjimit që ekziston nga Rama. Kjo nuk ndodhi de jure, por de facto PD dhe Lulzim Basha kanë fituar maksimumin. Me gjithë ato hiena që u sulën para zgjedhjeve kur u publikua dhe lista “Basha”, me gjithë fushatën kundër PD-së nga ana e ish-ministrave, deputetëve që ngelën jashtë e me gjithë paratë e hedhura nga PS-LSI për të ushqyer një popull të varfër, të lodhur e të këputur Basha fitoi shumë. E tani sërish ai është fajtori, për shumë. Por kush ka më shumë kredibilitet në PD sot për të marrë drejtimin e partisë? Jozefina Topalli, Arben Imami, Eduart Selami, Majlinda Bregu, Astrit Patozi apo ndonjë tjetër (me gjithë respektin)? Zgjidhni vetë se cilin! Ai që është demokrat dhe nuk ka pritur nga Partia Demokratike ta ushqejë dhe pasurojë veten dhe fisin, nuk është i zhgënjyer nga Basha por nga të gjithë këto hiena që nuk punuan për PD në këto zgjedhje. Çdo lider politik bën gabimet e veta dhe nuk ka pak faje as Berisha por ama ai drejtonte me dorë të hekurt dhe askush nga këta që flasin sot deri dje nuk mund të shoshin gjysmë fjale kundër vendimeve të Berishës, e sot pikërisht nga ajo demokraci e liri që iu ka lënë Lulzim Basha ka sjellë jo vetëm kundërvënien por edhe tradhtinë. Kjo ka ndodhur dhe është e faktuar në disa zona të vendit në fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit. Ata që kërkojnë dorëheqjen duan shpërbërjen e PD-së. Nëse ata të pakënaqurit do kishin punuar këtë fushatë për demokracinë e largimin e Ramës që ua qan syri, PD do kishte sot mbi 60 mandate. Basha mund të ngrijë funksionet por sërish në zgjedhjet e ardhshme do të zgjidhet në krye të PD-së sepse demokratët e vërtetë dinë të bëjnë dallimin. Kështu që të nderuara ‘hiena’ dështimi është juaji!
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu