Kushedi sa do të ofendohej Ardit Gjebrea nëse do t’i jepej titulli “Mjeshtër i Madh” pas qametit të 13 Qershorit? Apo Olta Daku? Apo Neritan Liçaj? Këta super aktorë, që i japin kuptim çdo shfaqjeje në të cilën interpretojnë. Aktorë nga më aktivët në skenën e teatrit dhe që hyjnë dhe dalin me duartokitje nga publiku “Jo bashkëkohor shqiptar” (haa). O zot nga ta nisësh e nga ta përfundosh kryengjarjen e ditës së martë. Nga disa prej emrave që morën titull (respekt për shumicën e tyre!)? Apo nga motivacioni skandaloz përshkrimi i të cilit të fyen inteligjencën? Po citoj dy motivacionet i pari i dhënë për Rozana Radin; “Me mirënjohje dhe vlerësim të lartë për veprimtarinë e saj të spiktatur dhe kontribibutet e vyera të dhëna si aktore e talentuar dhe këngëtare mjaft origjinale në skenën bashkëkohore artistike shqiptare”. Vijojmë me Julian Deda: “Në vlerësim të interpretimeve origjinale e të spikatura, në skenat teatrore dhe ekranet televizive, duke arritur me meritë të shndërrohet në njërin prej aktorëve më të vlerësuar e të duartrokitur të publikut bashkëkohor shqiptar”. Si gazetare do doja ta intervistoja Rozin dhe Julin pas këtij titulli dhe pyetjet rutinë do të ishin: Cili është roli më i spiktur i juaji në Teatër? Po roli që ju dha më shumë famë? Po roli më i dobët? Po roli që jeni duartrokitur më shumë? Po ai që ju kanë fyshkëllyer? Po ata rolet që t’i duartroket “publiku bashkëkohor shqiptar”… Më falni çfarë kuptoni ju me “publikun bashkëkohor shqiptar”? Po ne që nuk i kemi duartrokitur, pasi nuk i kemi parë në skenën e teatrit (sepse as ata vetë nuk e dinë kur kanë dalë!) mos jemi publik jo bashkëkohor. Çfarë kriteresh duhet të kesh që të jesh publik bashkëkohor shqiptar?! Hyra në tema të mëdha… Këto i takojnë Presidencës…!
Nuk di ç’të them më parë… Të martën morën tituj emra dhe jo emra. Mori dhe Gëzim Myshketa, baritoni i mrekullueshëm, por s’mjafton për atë titull. Po hajde sevap gjithandej. Është hapur qesja e titujve. Mori dhe Anisa Markarjan. Ka bërë pesë role me numërim në kinemanë e viteve ’90. Mjaftueshëm për titullin “Mjeshtër i Madh”?! Por mori dhe Redon Makashi, Eli Fara e Aurela Gaçe, që me siguri janë turpëruar kur pas tyre e ka marrë dhe Rozana Radi. Aleksandër Gjoka e Elton Deda ju shpëtoi Zoti të mos ishit pjesë e kësaj estrade. Pale si mund të jenë bërë akorët e shkretë kur kanë parë të marrë titullin njëherësh Viktor Zhusti dhe Julian Deda. Këtu nuk po flas për xhelozi. Se ne shqiptarët përgjithësisht kemi xhelozi dhe për zogjtë që këndojnë, por po flas për merita, për vlera. Çfarë vlere kanë në kulturën shqiptare këta individë? Çfarë i kanë sjellë artit shqiptar, përveç tallavasë dhe humorit banal? Në çfarë kriteresh bazohen bordi, stafi a njerëzit e kësaj pune kur zgjedhin të shpërndajnë tituj.
Në rrjetet sociale pashë tangent që Rozana merrte titullin, dhe mendova me siguri do t’i kenë dhënë pas vdekjes titull Françesk Radit dhe po e merr Rozana. Por kur pashë, e kthjellët statuset kundër këtyre titujve dhe emrave konkretë të Rozanës e Julianit u shokova. Rozana je vajzë shumë e mirë, babaxhane, njeri që ke punuar për të arritur ku je… ke zgjedhur të bësh artin tënd, i cili fatkeqësisht është sezonal, pasi vetë ti ke zgjedhur të jesh komerçiale dhe deri më dje nuk më është dukur se ke pretenduar të dukesh ndryshe. Por sot më vjen keq për ty! Dhe më kujton atë humorin durrsak, ku i mbushën dajren me lekë (Fadil Hasës), por edhe pse nevojtar nuk dinte si t’i shpenzonte. Ndaj i ktheu pas! Rozana, të dua gjithmonë të mirën, por, po të isha në vendin tënd do t’a kisha refuzuar!
Kjo puna e titujve është bërë kaq e turpshme tani, sa të duket vetja e rëndomtë dhe kur komenton. E nisi ish Presidenti Bamir Topi dhe ka arritur pikun presidenti Bujar Nishani, që gëzoi që nga Bujar Cici e deri tek këngëtarët e lagjes, para se të kujtohej për të vlerësuar Frederik Ndocin. Kishte thënë mirë dikush në një portal “Tani nuk ka mbetur veç të dekorojë parukieren e gruas”!
Është e pandershme, e turpshme, e rëndë, që me të njëjtin titull paradoksalisht vlerësohen në të njëjtën ditë; Albert Verria (pas vdekjes), Shehri Mita (pas vdekjes), Vasillaq Vangjeli (pas vdekjes), Kujtim Laro (pas vdekjes), të cilët do ktheheshin përmbys dhe në varr po ta dinin çfarë titulli pa vlerë u është dhënë!/Bordo
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu