Rreth 17 milione euro jane shpenzuar ne punimet per sheshin “Skënderbej”. Pa u marrë me procedurat dhe korrupsionin e përfolur, dhe lidhjet e kryetarit të bashkisë me interesat e firmës ndërtuese, dëshiroj të paraqes 10 argumente pse ky shpenzim i madh nuk sjell dobi, por në disa aspekte sjell dëm afatgjatë.
Së pari, përballemi me konflikt interesi galopant. Kompania që zgjodhi Edi Rama për projektimin e sheshit është e njëjta që projektoi sarajet e tij në Surrel. Duke pasur parasysh që z. Rama nuk ka treguar asnjë faturë për shpenzimet e Surrelit, ka dyshime të bazuara se kësaj kompanie, pa qenë e njohur si kompani urbanistike dhe trafiku por veç arkitekture, iu dha pa garë projekti i sheshit “Skënderbej” si pagesë për projektin e Surrelit. Për më tepër, kjo kompani ka si punonjëse të paguar të bijën e gruas se Edi Ramës. Pra, paratë që dalin nga buxheti i shtetit në mëngjes i kthehen në mbrëmje z. Rama në shtëpi nga e bija e gruas. Për shumë më pak konflikt interesi se kaq në Belgjikë miqtë e z. Rama u shkarkuan nga puna dhe u përballën me ndjekjen penale. Në një vend normal do të zgjidhej një kompani e mirënjohur urbanistike jashtë konfliktit të këtillë të interesit.
Së dyti, sheshi “Skënderbej” i tanishëm ka krijuar disa “gryka shishesh” me trafik të rënduar dhe hera-herës thuajse të ndaluar. Kemi grykë shishe të krijuar mes Bashkisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe deri te qendra “Toptani”, pastaj grykë tjetër shishe te Partizani i panjohur dhe 9-katëshet, grykë shishe tjetër te “Piazza” dhe dalja për në Rrugën e Durrësit dhe grykë tjetër shishe te bashkimi me Rrugën e Kavajës. Të gjitha këto kanë përkeqësuar trafikun e Tiranës, gjë që nuk ishte më parë, duke shkaktuar shpenzime në karburant, humbje kohe dhe stres.
Së treti, kjo pasqyrohet në cilësinë e ajrit në qendër të Tiranës. Pas riparimeve të Bashkisë së Bashës (nderim të veçantë arkitektit Bakellbashi) kishte një lëvizshmëri të mirë të makinave, gjë që solli që në vitet 2012–2014 cilësia e ajrit në këtë shesh të ishte brenda normave të BE-së dhe OBSH-së për cilësinë e ajrit. Ndërkaq, sipas literaturës, në secilën grykë shishe emetimi i gazrave toksike NOx, SOx, PM10, PM2.5 shumëfishohet.
Pra, aty ku kemi përqendrimin më të madh të njerëzve po krijojmë edhe ndotjen më të madhe të ajrit! Bashkia mund të mburret se po përmirëson cilësinë e ajrit në majë të kodrës së sheshit, por në një qytet me 330 ditë me diell njerëzit nuk rrinë majë kodrës që të rrezatohen nga lart dhe poshtë nga pasqyrimi i pllakave, por kalojnë në rrugët kryesore që tani janë kthyer në gryka shishesh me 3-fishim të emetimeve të gazrave kancerogjene nga makinat e bllokuara në trafik.
Së katërti, u përkeqësua mikroklima, pasi u prish një pyll urban që kishim mes bankës dhe muzeut, dhe u krijua një tepsi gjigante betoni me pllaka sipër. Hijet dhe mikroklima që krijohej poshtë këtyre pemëve zbusnin pak efektet e një sheshi të stërmadh me diell, ndërsa sasia e pemëve dhe livadhi i madh te Skënderbeu llogaritej të hiqnin rreth 30 tonë CO2 në vit. Efekti i rrezatimit diellor për qytetarët gjithashtu dyfishohet në një tepsi pa pemë, ku rrezitesh nga dielli lart dhe të pasqyrohet mbrapsht edhe nga pllakat poshtë.
Së pesti, kthimi i sipërfaqeve të tokës natyrore (siç ishte livadhi te Skënderbeu apo pylli urban), në sipërfaqe betoni të papërshkrueshme nga uji, shkakton rritje 5-fish të përmbytjeve (sipas Shoqatës Amerikane të Urbanistëve), pasi që zvogëlohen vektorët e penetrimit të ujit në shtresat e sipërme dhe të thella të tokës, duke rritur 5.5-fish vektorin horizontal të përmbytjes. Kjo pritet të përkeqësojë situatën me përmbytjet në Rrugën e Durrësit, Rrugën e Kavajës dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, dhe deri parkimi nëntokësor, i cili duhet të ketë në funksion çdo minutë pompa shkarkimi të ujërave për mospërmbytjen e parkimit, por nxjerrjen te rrugët e mësipërme.
Së gjashti, ndërhyrja e tanishme pamundëson futjen e tramit në Tiranë dhe dëmton në mënyrë afatgjatë planifikimin e sheshit për forma të shumëfishta trafiku me kate. Trami ishte një projekt madhor dhe për t’u përshëndetur, pasi hiqte nga qarkullimi deri 2600 autobusë në ditë brenda qytetit dhe për pasojë përmirësim galopant të cilësisë së ajrit, nga e cila vdesin deri 500 qytetarë në vit. Për fat të keq, drejtuesit e tanishëm e hodhën tej idenë e tramit vetëm pse e kish propozuar kundërshtari!
Tirana do të vijojë të ketë mijëra autobusë që ndotin me emetime kancerogjene ajrin e Tiranës, por ata janë një lob i fuqishëm biznesi aq sa të detyrojnë bashkinë të rrisë biletën e autobusit dhe të detyrojnë shtetin të heqë dorë nga trami për ca miliona më shumë për ta.
Së shtati, kjo ndërhyrje e shtrenjtë u krye pa konsultime me ekspertët dhe publikun, pavarësisht tam-tameve propagandistike të bashkisë për qindra takime. Bashkia nuk tregon dot asnjë procesverbal të shënimeve të mbledhjeve me ekspertët e fushës, as me urbanistë, as inxhinierë transporti apo ambientalistë.
Kjo është shumë e rëndë, sidomos kur mendon që Plani Rregullues i Tiranës i z. Basha pati me dhjetëra mbledhje të grupeve strategjike dhe teknike, dhe ku edhe militantë të flaktë të PS-së si z. Lame morën pjesë në të paktën 4 mbledhje, u shprehën me të paktën 5 komente dhe morën përgjigje për shqetësimet e tyre. I ftoj këta kolegë, qoftë edhe kundërshtarë politikë, që të tregojnë një procesverbal të vetëm të paktën të një mbledhjeje profesionale të zhvilluar.
Së teti, parkimi gjigand i ndërtuar në shesh është pa dyshim pozitiv, por ama pa leje ndërtimi! Në një vend ku janë burgosur dhe kanë humbur jetën e fëmijëve disa hallexhinj për meremetim ballkoni pa leje, një investim kaq i madh pa leje ndërtimi flet për një standard të dyfishtë dhe shpërfillje flagrante të ligjeve të shtetit.
Së nënti, ky parkim në qendër fton gjithë vizitorët nga jashtë Tiranës që të vijnë në qendër të Tiranës, pra edhe më shumë trafik, gryka shishesh dhe ndotje të ajrit! Plani i kryetarit pararendës së bashkisë për një stacion multimodal pasagjerësh te kthesa e Kamzës do ishte zgjidhje më e mirë për cilësinë e jetës, së transportit, dhe të ajrit në Tiranë. Pra, që vizitorët (me tren, autobus apo makina private) të linin mjetin e tyre në këtë Terminal Pasagjerësh në periferi dhe të vinin në Tiranë përmes tramit, autobusit brendaurban cilësor, taksive apo biçikletave ditore.
Pse u hoq dorë nga ky plan që shmangte mijëra automjete dhe qindra tonë emetime kancerogjene të shkarkuara çdo ditë nëpër Tiranë? A ka ndonjë që e mendon punë të mirë këtë gjë?
Së dhjeti, a ishte investim i duhur për të shpenzuar 17 milionë euro? Me këto para mund të ndërtoheshin 7 spitale nëse do ishte prioritet shëndetësia falas, të zbutej varfëria ndjeshëm në Tiranë, apo të mbaronte autostrada Tiranë-Elbasan etj. Nuk ishin këto prioritetet që na thanë? Pra, kjo ndërhyrje e shtrenjtë (17 milionë euro) në sheshin “Skënderbej” po kryhet për interesa të vogla dhe pa kryer asnjë studim hidrogjeologjik, modelim gazrash të dëmshëm dhe gjithashtu pa asnjë diskutim të hapur me ekspertët.
Nuk po sjell dobi përveç parkimit nëntokësor, ndërsa pasojat i ka shumë të rënda qoftë në shëndetin e qytetarëve, edhe në dëmin afatgjatë për bllokimin e prezantimit të formave moderne të trafikut me kate, përfshi pamundësinë e futjes së tramit apo lëvizshmërisë së lehtë të qytetarëve qofshin këmbësorë, biçiklistë apo shoferë. Kur punët bëhen shpejt, pa leje dhe pa debat me profesionistë, rezultati nuk ka gjasa të jetë i duhuri.
*Lektor i Planifikimit Mjedisor të Përdorimit të Tokës
**Titulli i Podiumi.com
“Panorama”
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu