Presidenti i zgjedhur dhe ish-kryetari i LSI Ilir Meta bisedoi dje në mbrëmje me gazetarin roland Qafoku.
Biseda u përqëndrua kryesisht në akuzat e kryeministrit Rama se LSI nuk ka mbajtuar asnjëherë përgjegjësi si kur ka qenë në qeveri me PD-në,ashtu dhe me PS-në.
Në përgjigje të këtyre akuzave Zoti Meta sulmoi ashpër Kryeministrin Rama duke e quajtur të vetmin fajtor për kanabizimin e vendit dhe futjen e kriminelëve në parlament.
Lidhur me akuzat e kryeministrit Rama, Zoti Meta u shpreh:
LSI-ja ka marrë të gjitha përgjegjësitë e saj. LSI-ja ka reflektuar. LSI-ja ka bërë edhe zëvendësime ministrash, madje edhe në funksione të tjera.
Përgjegjësinë për çështjen e drogës e ka Rama dhe askush tjetër dhe LSI-ja nuk ka asnjë lidhje sepse zgjedhja e Saimir Tahirit në krye të Ministrisë së Brendshme ka qenë një zgjedhje e tij personale, edhe pse ka pasur kundërshtime të mëdha edhe nga brenda nga PS-ja, por edhe unë i kam shprehur rezervat e mia atij dhe personit në fjalë.
Përgjegjësinë për futjen e shumë elementeve me rekorde kriminale në parlament e ka vetëm Rama dhe nuk ka asnjë përgjegjësi LSI-ja. Edhe një deputet që kishte LSI-ja që nuk e dinte se ishte me këto probleme, e kishte marrë Rama.
LSI-ja mund të marrë përgjegjësi pse i votoi Ramës “Crown Agent’s” në Parlament në një mënyrë jo shumë të ndershme, për arsye se do të duhej të ishte shpallur një garë, por e votoi, sepse mori garanci, besoi Ramën që do të bënte mrekulli me doganat. Kjo mrekulli nuk ndodhi, apo jo?
Nuk e di se për çfarë ka marrë përgjegjësi zoti Rama? Për zotin Rama gjithmonë përgjegjësinë e ka ose Berisha, ose Luli, ose LSI-ja.
Gjithmonë ai fajin do ta gjejë diku, asnjëherë nuk do ta gjejë te vetja e tij. Unë mendoj se kjo arrogancë e tij do të ndëshkohet në mënyrë të pandalshme më 25 qershor.
Ndërsa për marrëveshjen Rama-Basha të 18 majit, Zoti Meta komentoi:
Kjo marrëveshje është bërë në një mungesë transparence, sepse marrëveshja realisht duhet të ishte bërë në tryezën e partive parlamentare, të cilat e organizuan këtë tryezë…
Kjo marrëveshje duhet të ishte transparente, nuk duhej të cenonte as Kushtetutën, as Kodin Zgjedhor dhe as mundësitë e koalicioneve ndërmjet partive të tjera.
Natyrisht që ishte një marrëveshje me idenë dhe me mendimin për të dëmtuar forcat e tjera politike, përfshirë edhe partitë aleate, përveç LSI-së, e cila nuk dëmtohet nga kjo marrëveshje.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu