Kryesore
Fushatë e tipit të ri: Kryeministri qan me popullin hallet e qeverisë
Videoja e takimit të kryeministrit në Peshkopi në një kafene ja kalon të gjithave. “Kryevepër” e përpjekjes për spontanitet, thjeshtësi, përballje mes intelektualit dhe masës. Në kafenë kaq shumë të sharë e përgojuar kryeministri më shumë dëgjoi sesa foli: për tokën, bujqësinë. Aty pushtetari takoi Hallin e zakonshëm. Duke tërhequr herë pas herë hundët, shenjë e një zgjimi të vonë nga gjumi, Rama I veshur sportiv dhe nën qitjen e dubluar të kamerave të ERTV-së dhe fotografes që njësoj si te Gjuetia e Fundit e Koço Devoles shfaqej dhe humbiste pas shkurrnajës së krasitur, pozoi në një muhabetosje të lezetshme, dekor i të cilës ishte kryetari i bashkisë.
Rrotullohu e rrotullohu nëpër hallet e zonës, llafi u nga te PD-ja dhe kandidatët e saj. “Si janë këta kandidatët e PD-së këtu se unë nuk i njoh?”
Me siguri që Rama e ka hedhur fjalën nëse këta të zonës dinë gjë si e kanë Dëshminë e Penalitetit njerëzit e Lulit, se po të jetë për të tjerat e mori ferra uratën. Nga ky muhabet i lezetshëm kafeje, në një mjedis me dritë, Rama e prish duke nisur e duke u folur disa njerëzve që qajnë hallin e një ndihme sociale, a ndonjë pune bujqësore, për projektin e Rrugës së Arbrit. Puna është vënë në vijë: çështjet po ecin, brenda javës vihet në veprim Ministria e Financës. Nisin pastaj llafet për milionat e dollarëve, qindrat e milionë dollarët e zullumeve të Saliut të cilat diskutohen si “hall i kryeministrit” në një kafe në Peshkopi, aty te Hotel Korabi.
Mesazhi është kumbues: Unë hallet i qaj me ata që punojnë, me njerëzit. Me ata që njohin vendin dhe Shqipërinë. Ja pra pse “nuk bëmë kaq shumë ne”.
Një rromuz nga fundi dhe “urdhëro, ja politika. Ajo e vërteta”. Kritika e artit mund të merret me aktorët në tavolinë: fundja dibranët janë më të natyrshëm se hallet i kanë vërtet halle aty. Kurse për Ramën mund të thuhet se ka probleme në impostim, kalon shpesh shikimin nga kamera duke e trajtuar një “takim spontan” si dubël kinematografik. Skenari është më i arriri: thjesht, troç dhe përherë me Saliun kryefjalë.
Këtu ka dy pasoja: së pari ERTV-ja është live dhe nuk ka kaseta. Pra ec e thuaj ti gjithë ditën se “jemi kundër praktikës së kasetave” kur ky boti është në transmetim direkt.
Së dyti: shansi është që edhe ne të kërkojmë një kafe me Kryeministrin. Për muhabet jo për pyetje.
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10154797548526523/
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu