Vizita njëjavore e Galileo Galileit ndër shqiptarë – Veton Surroi
1.
Brenda kohëzgjatjes së një dite më rastisi të jem në Prishtinë, Tetovë dhe Tiranë. Dhe, në që të tria vendet, bashkëbiseduesit e mi më pyetën se si e shoh gjendjen ndër shqiptarët.
Përgjigjja nuk ka mundur të jetë më befasuese sa për mua, ashtu edhe për bashkëbiseduesit:
– Më mirë se javën e kaluar.
Në të tria shtetet e shqiptarëve, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, kishte një krizë të stërzgjatur. Në Maqedoni një pritje disamuajshe për formimin e një qeverie të shumicës që do të respektojë kërkesat e shqiptarëve. Në Shqipëri, një krizë disamuajshe që kërcënohej me lënien të opozitës jashtë zgjedhjeve të qershorit. Dhe, në Kosovë, një krizë disavjeçare, më saktësisht prej vitit 2014, e filluar prej vendosjes së një parimi (për pak dhe Kushtetues) se në Kosovë o do të ketë qeveri të PDK-së o nuk do të ketë qeveri fare. Kjo formulë krijoi një krizë trevjeçare në raporte të jashtme dhe të brendshme; në proceset e lidhura me negociatat në Bruksel u pa se edhe pse me PDK-në në të, nuk ka qeverisje fare.
Por brenda një jave (ndonjë ditë më shumë a më pak të kësaj jave metaforike) ndodhi ndryshimi. Në të tri shtetet u vendos që të dilet prej atij cikli të krizës dhe të krijohet një gjendje e re. Kjo gjendje e re, ende e padefinuar, mund të jetë një marrëveshje e re politike në ato vende, një lloj konsensusi i ri shoqëror.
2.
Një perspektivë e një konsensusi të ri më duket se ka gjasa në Maqedoni. Atje u bë përpjekja nga partia e cila prej vitesh kishte kapur institucionet shtetërore të imponohet modeli Thaçi (Hashim, jo Menduh) se o do të jetë ajo parti (dhe ideologji ) në pushtet o pushtet (madje edhe shtet) nuk do të ketë. Si kundërpërgjigje u krijuan dy rrathë konsensusi. U krijua një Platformë e interesave shqiptare, që do të përcaktojë se cilado parti shqiptare të jetë e ftuar për të formuar pushtetin paszgjedhor do të ketë të njëjtat kërkesa si dhe partia që nuk është ftuar për bashkëqeverisje; interesat e definuara nuk janë për Pazar. Dhe u krijua një konsensus i ri shoqëror mes Socialdemokratëve (LSDM) dhe partive shqiptare, që mund të jetë një pikë konsensuale për Maqedoninë si tërësi. Po të ketë sukses, do të ishte kalim i një pike të mbetur pezull që nga Marrëveshja e Ohrit, ajo e shqipes si gjuhë të barabartë (pa kuota kufizuese) në vend. Dhe, kjo, ndonëse e përkrahur nga forcat e mëdha Perëndimore, në masë të madhe do të ishte një e arritur e vetë forcave politike të Maqedonisë.
Ky hap do të mundë të prodhonte shpejtim të integrimeve: të shqiptarëve në Maqedoni, të Maqedonisë në NATO dhe BE, që është sa interes strategjik i Republikës së Maqedonisë, aq edhe i shoqërive shqiptare.
3.
Shqipëria mbërriti brenda një nate dy vendime që mund të kenë potencial zhvillimi në konsensus. I pari, një vendim afatshkurtër, që zhbllokoi mbajtjen e zgjedhjeve me një formulë që do të ketë pak efekt praktik në qeverisje, një qeverisje e përbashkët PS dhe PD për një muaj. Por ky çmim u pagua për një proces që mund të dalë pas zgjedhjeve, e që mund të jetë konsensusi i PS-së dhe PD-së për vetingun e masat e tjera që i nevojiten vendit për t’u normalizuar.
Pas çerekshekulli transicioni, ajo që mund të ndodhë, figurativisht, pas zgjedhjeve është që PS-ja dhe PD-ja (si blloqe rreth të cilave mblidhen partitë e tjera) të përcaktojnë një lojë të re. Loja e re është kjo: dimë që kushdo që vjen në pushtet do të fusë gjykatësit e vet, policët e vet, drejtorët e vet të shkollave. Të pajtohemi kësaj here bashkërisht, se nuk do ta bëjmë dhe këtë ta zbatojmë në praktikë.
Loja quhet çkapja e shtetit, dhe partitë në Shqipëri, nëse arrijnë konsensusin, kanë potencial të madh ndryshimi të vendit. Dhe, nëse edhe kanë vetëm intencë ta bëjnë, ta befasojnë Shqipërinë e të gjithë të tjerët.
4.
Moda e çkapjes së shtetit, që në Maqedoni merr formën e fitores së përbashkët të Socialdemokratëve dhe Platformës së interesave shqiptare, e në Shqipëri me deklarim intencash për bashkëveprim (ndoshta edhe bashkëshortësi) për çkapjen e shtetit, duket se ka mbërritur në Kosovë. Dhe, siç ndodh në vendin “sui generis”, ka ardhur në formën sui generis.
Pika e parë e konsensusit është se Kosova nuk ka nevojë domosdoshmërisht për një Qeverisje të PDK-së. Këtë e pranuan të gjithë, madje në radhë të parë PDK-ja, e cila kërcënoi partnerin e vet bashkëqeverisës deri në vdekje klinike, e pastaj edhe fizike të Qeverisë në mocionin e mosbesimit. Pra, PDK-ja kërkoi që kjo qeveri, e formuar me kërkesë kushtëzuese të PDK-së, të mbërrijë fundin.
Dhe, pika e dytë e konsensusit është që qeveria e ardhshme e Kosovës nga kushdo që të formohet, do të ketë si cak primar çkapjen e shtetit. Kundër një shteti të kapur janë sot të tria blloqet shqiptare, Vetëvendosja, koalicioni LDK-AKR-Alternativa dhe koalicioni PDK-AAK-Nisma. Pra, PDK-ja që lehtësisht mund të identifikohet si mjeshtër i kapjes së shtetit, në këto zgjedhje pajtohet me konsensusin shoqëror që po krijohet se shteti duhet çkapur. Një formulë tukaka dhe stukaka njëkohësisht.
Por përderisa blloqet shqiptare janë të zëna duke proklamuar konsensusin e arritur, se duhet çkapur shtetin, edhe një zhvillim tjetër po ndodh në pjesën e politikës së serbëve të Kosovës. Për herë të parë në këtë pjesë të politikës po arrihet një konsensus i ri. Përderisa në zgjedhjet e kaluara, me ndihmën e madhe të politikës së Hashim Thaçit, u bë uniformizimi i politikave serbe në Kosovë nën direktivën e Aleksandar Vuçiqit në Beograd, me formimin e “Listës Sërpska” në këto zgjedhje u ndërtua një parim i ri, pluralizmi.
Dhe me këtë, ndoshta po ndërtohet një pikë e re konsensusi mes serbëve: Beogradi është i rëndësishëm, por ka mënyra të tjera të mbrojtjes së interesave të serbëve të Kosovës pos shndërrimit në ushtarë të devotshëm të Vuçiqit. E kjo mund të thotë se mund të jenë ushtarë të interesave të serbëve, por jo domosdoshmërisht të shtetit të Serbisë.
5.
Çka ndodhi në këtë javë?
Një fjali që e kishte thënë Galileo Galilei, ndonëse në rrethana jo kaq të favorshme sikur ne (i shqiptoi pas torturës së Inkuizicionit):
– Eppur si muove.(Megjithatë lëviz)
Shqiptarët, me gjithë besimin e gjithëpërhapur se janë zhytur në baltë, përzier me gurë e çimento deri në gju, megjithatë po lëvizin. Po japin shenja të këtilla.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu