Tre kompani celulare nën hetim për kartel/ AK: Dyshime se rritën çmimet me marrëveshje
Autoriteti i Konkurrencës vendosi të hapë hetim ndaj tre kompanive celulare për rritje të koordinuar të tarifave në dëm të konsumatorëve. Në vendim Komisioni i Konkurrencës deklaron se ka dyshime që rritja të jetë bërë e dakordësuar mes kompanive.
“Referuar informacionit të mbledhur gjatë monitorimit, rezulton se tre shoqëri kanë ndryshuar paketat standarte në periudhën 27 mars 2017? 4 prill 2017 në një sjellje të mundshme të koordinuar dhe që sipas Ligjit të Konkurrencës mund të përbëjë një marrëveshje të ndaluar,” deklaron Komisioni në vendim.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, bazuar në të dhënat nga AKEP, rezulton se tregu i telefonisë celulare ka strukturën e një tregu oligopol me një kompani, e cila zotëron pozitën dominuese dhe dy shoqëri të tjera që kanë pjesë të qëndrueshme tregu, shkruan Syri.net.
“Të tre ndërmarrjet zotërojnë bashkërisht rreth 95 për qind në tregun përkatës të shërbimeve celulare dhe sipas ligjit të Konkurrencës ekziston mundësia edhe për të abuzuar me pozitën dominuese në treg,”- thuhet në vendim.
Për shkak të këtyre dyshimeve, Komisioni vendosi të hapë proçedurën e hetimit paraprak, i cili do të qëmtojë sjelljen e tre kompanive nga 1 janari 2016 deri në 23 maj 2017.
Si u rritën tarifat
Gati dy muaj më parë, tre kompanitë më të mëdha të telefonisë celulare në Shqipëri, Telekom Albania, Vodafone dhe Albtelecom rritën në mënyrë gati të njëtrajtshme tarifat për paketat standarde.
Bëhet fjalë për paketat standarde me parapagim. Si rezultat, paketa 1 000 lekëshe u shtrenjtua me 10 për qind në 1 100 lekë. Po kështu paketa me vlerë 1200 lekë u bë 1 400 lekë ndërsa paketa me vlerë 1 600 lekë u rrit në 2 000 lekë.
Nëse hetimi paraprak do të dalë në përfundimin se kompanitë i kanë rritur çmimet në mënyrë të koordinuar në marrëveshje me njëra tjetrën, atëherë Autoriteti do të çelë hetimin e thelluar, për marrëveshje kartel, që përbën formën më të rëndë të shkeljes së konkurrencës. /SYRI.net/
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu