E gjithë opozita dhe krerët e saj nën logon e PD në zgjedhjet e 25 Qershorit. Ky është plani i kreut të demokratëve Lulzim Basha, të cilën e ka pasyruar në mbledhjen që zhvilloi me aleatët. Në këtë mbledhje, ku janë diskutuar listat e kandidatëve dhe marrëveshja me Ramën, Basha u ka bërë të ditur aleatëve se emrat e tyre do të vendosen në listat e PD. Kjo referuar pakënaqësive që krijoi një nga pikat e marrëveshjes Rama-Basha, ku të gjitha partitë duhet të futen të vetme në zgjedhje dhe jo në koalicion. Po ashtu gjatë mbledhjes Basha ka kërkuar mobilizim të të gjithë strukturave të PD dhe aleatëve të tij për të marrë sa më shumë vota dhe deputetë më 25 Qershor.
Në mbledhje janë diskutuar dhe bërë të ditur edhe emrat e 6 ministrave teknikë, zv/Kryeministrit teknik, dhe 6 drejtorëve po teknikë që janë përcaktuar në marrëveshje, emra të cilët kanë gjetur edhe dakordësinë e Ramës dhe ku pritet të zbardhen në ditët në vijim.
Pas përfundimit të mbledhjes me Bashën, aleatët Nard Ndoka dhe Agron Duka kanë shfaqur pakënaqësinë e tyre lidhur me marrëveshjen e bërë nga Basha, pasi ky pakt dëmton partitë e vogla. “Nuk kishte zgjidhje tjetër në këto kushte. Nuk është zgjedhja më e mirë por jemi para një fakti. Është një goditje për pluralizmin dhe partive politike, por është një lëvizje më tepër nga krahu i majtë. Aty është problematika më e madhe, ngjalat nuk janë të përshtatshme për këtë stinë. Jemi më tepër tek mishi”, tha Nard Ndoka.
Ndërsa kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka pohoi se është në tratativa për të përfshirë deputetë të PAA në listat e Partisë Demokratike. Sipas Dukës, partia e tij ka mundësi të nxjerrë më shumë se një deputet në Durrës, por po mat forcat për të marrë më shumë mandate. Edhe Duka nga ana e tij e quajti këtë marrëveshje një goditje për partitë e vogla, por sipas tij kjo ishte më e mira që mund të arrinte Basha përballë presioneve të Ramës. “Kjo lloj marrëveshje i dëmton partitë e vogla, pasi ky kod zgjedhor është që të ketë koalicione që partitë e vogla mund të ndihmojnë partitë e madhe. Kodi zgjedhor e do që të regjistrohen 140 kandidatë në 40 qarqe. Në këto kushte ku ngrihet pragu elektoral, mund të kemi pretendime në dy ose tre qarqe”, është shprehur Agron Duka, një prej organizatorëve të tryezës ku u arrit marrëveshja
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu