Analisti që parashikoi koalicionin PS-PD: Ja pse i duhet vendit
Më shumë se një muaj përpara se të arrihej një marrëveshje mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, dikush e kishte parashikuar diçka të tillë.
Ndërkohë që analistët ishin përfshirë në debate të ethshme dhe të egra, Mentor Nazarko shkruante se vendit i duhet një koalicion PS-PD si zgjidhje afatgjatë.
Në dy shkrime të publikuar më 11 dhe 12 prill në portalin e tij, Konica.al, ai analizonte nevojën e një koalicioni PS-PD.
“Qeveria me bazë të gjerë do të zgjidhte njëherësh disa probleme.
Nga pikëpamja elektorale do krijonte dinamika të reja. LSI si parti që ka në emërtim, integrimin do duhej të përfshihej në të, por nëse jo, do kishte mundësinë të bënte opozitën. Do merrte fund loja e të tretit me dy të parët, do ndryshohej Kodi zgjedhor, do krijoheshin garanci për hyrjen në lojë të partive të reja, etj, etj. Sipas ligjeve të ekuilibrit, vendi nuk do mbetej pa opozitë.
Do të votohej vetingu menjëherë. Pra do të realizohej kushti i parë i çeljes së negociatave në verë. Pushteti i drejtësisë do të fitonte frymëmarrje tjetër dhe do të ndihej më i pavarur nëse pushteti politik do ishte dy ngjyrësh. Mbase do duhej të bëhej njëlloj aministie, për të qetësuar ato individë që ndihen të kërcënuar.
Do të miratoheshin me shpejtësi ligjet e integrimit sipas modelit kroat.
Do ndalonin shumë gryka zjarri të palëve kundër njera tjetrës, me lajme të rrejshme, sulme, etj, etj. Do humbte kuptimi i disa mediave, i disa lloj analizave, i disa lloj analistëve, etj, etj.
Klima politike do të qetësohej shumë, dhe nëse do të acarohej më vonë mbase do të ndodhte me standarte të tjera. Më të larta.
Klima për investime do të ishte shumë më e mirë. Qoftë për investime të brendshme, qoftë për ato të jashtme. Do çliroheshin energji pozitive të reja, e keqja do kishte më pak hapësirë. E kaluara do shihej me sy të përafruar, por dhe e ardhmja gjithashtu. Dy partitë përfaqësojnë njëherësh dy kampe armiqësore me prejardhje historike. Do i vendoseshin kapakë të rëndë historisë, në emër të projektimit të së ardhmes,” shkruan Nazarko.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu