Këngëtarja e mirënjohur Myfarete Laze u ngjit në skenë që fëmijë, numëron 17 çmime në festivale dhe së fundmi ka marrë nga Presidenti i Republikës titullin “Mjeshtër i Madh”. Bashkë me këngën, prej nëntë vitesh, këngëtarja e njohur sfidon prangat që marrin lirinë e kujtdo që shkel ligjin.
E punësuar pranë drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, këngëtarja evidenton çdo të dënuar që ka prirje për pikturë, letërsi, aktrim dhe natyrisht dhe për këngë.
“Vargjet e tyre janë shpirtërore, ndoshta nuk janë poezi, por janë shpirt. Dikush i lutet edhe Zotit, thotë “O Zot ty po të kërkoj të falur se njerëzve nuk mund t’u kërkoj, kam qenë i ri”. Është një Taulant që ka shkruar 4 libra, është një Amadeo, i cili kur ka dalë në liri ka bërë 12 romane. Ai është cilësuar vjet dhe shkrimtari më i mirë i vitit. Të jep kënaqësi kjo pjesë kur evidenton talente të tilla, të cilët ndoshta rastësisht zbulojnë diçka nga vetja”- shprehet Laze.
Këngëtarja ka një arsye të fortë që e shtyu drejt misionit për të zbuluar e për të mbajtur gjallë të bukurën në shpirtin e çdo të dënuari. Është takimi me kolosin e muzikës Luk Kacaj, i cili gjatë komunizmit përfundoi në burg.
Nën ndikimin e këngëtares gjatë këtyre viteve, një grup të dënuarish konkurruan në festivalin e Gjirokastrës si dhe të tjerë u ngjitën në skenë. Aktualisht të dënuarit kanë ngritur grupe të këngës polifonike labe dhe me çifteli.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu