Dy vitet e fundit, shtesa natyrore e popullsisë shqiptare ishte rreth 10.3 mijë persona, më e ulëta që nga viti 1990. Me rreth 32 mijë lindje në vit dhe 22 mijë vdekje, ky tregues është larg fillimit të tranzicionit, kur Shqipëria shtohej me 60-80 mijë persona në vit, sipas të dhënave të INSTAT.
Emigracioni masiv i viteve 1990-2000 dhe rigjallërimi i tij vitet e fundit, e kanë bërë Shqipërinë një nga vendet me erozionin më të lartë njerëzor në botë, në raport me popullsinë e saj. Sipas të dhënave të OKB-së, Shqipëria është vendi i tretë në botë për përqindjen e lartë të banorëve të saj që jetojnë jashtë vendit, me 39% të totalit.
Rënia dramatike e lindshmërisë dhe plakja graduale e popullsisë janë të tjerë faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në këtë trend. Viti 2016 shënoi rekordin më të ulët të lindshmërisë që nga viti 1990 kur raporton të dhënat INSTAT, me 31.7 mijë lindje.
Edhe numri i martesave ka ardhur në rënie, ose është vonuar në kohë. Në Shqipëri, në vitin 2016, kishte 22.5 mijë martesa, nga rreth 25 mijë vitin e mëparshëm. Vetëm në kryeqytet, numri i martesave ishte rreth 5600, më i ulëti që nga viti 2013.
Një tjetër parashikim i zymtë afatgjatë vjen nga pritshmëria e popullsisë, i publikuar nga pyramid.net, që përpunon të dhënat e Kombeve të Bashkuara. Sipas tij, në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të zbresë në vetëm 1.75 milionë banorë, nga rreth 2.9 milionë që është sot. Pesha e popullsisë mbi 50 vjeç, nga 31.1% që ishte në vitin 2015 pritet të rritet në 52.5% në më pak se 100 vjet.
Po cili është modeli ekonomik i Shqipërisë në këto kushte? Çfarë prodhojmë, konsumojmë dhe eksportojmë ne? Të dhënat demografike e bëjnë të zymtë perspektivën afatgjatë të Shqipërisë në drejtim të konsumit, apo tregut të pasurive të paluajtshme. Ky “treg” piramidal vetem sa po shpëlan burimet ekstraligjore që qarkullojnë në vend! Kjo nuk i ka penguar sipërmarrësit të rendin drejt ndërtimit të kullave në kryeqytet, në kuadër të planit të ri rregullues të Tiranës, duke rrezikuar krijimin e një mbioferte në tregun e pasurive të paluajtshme, si për apartamente banimi, zyra, hotele e sidomos për hapësira tregtare.
Teksa oferta për apartamente, zyra, sipërfaqe tregtare e hotele pritet të shtohet ndjeshëm në kryeqytet me ndërtimin e qiellqërvishtësve, ndërtuesit paralajmërojnë se mund të hapet një gropë që do t’i përpijë të gjithë dhe tregu mund të shkojë në kolaps.
Në vend që të mendohet afatgjatë, po vijon të shkohet drejt rendjes afatshkurtër drejt fitimeve të shpejta dhe shtimit falso të ofertës për pasuri të paluajtshme, që nuk i sjell asnje vlerë të shtuar ekonomisë. Parashikimet e zymta për reduktimin e popullsisë, përballë rrezikut të një fluske të pasurive të paluajtshme në kryeqytet, po na çojnë drejt një kolapsi piramidal ekonomik social dhe politik!
*Artikulli botohet me shkurtime. Marrë nga revista Monitor. Titulli në origjinal: Qiellgërvishtësit në Tiranë, ndërtuesit paralajmërojnë flluskën.
http://www.monitor.al/qiellgervishtesit-ne-tirane-ndertuesit-paralajmerojne-fllusken/
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu