Kush ka nevojë për propagandë dhe këmbëngulje propagandistike? Mund të merret me mend, ose pushtetet e reja që duan të legjitmohen, ose pushtetet që janë në krizë. Shqipëria e ka përjetuar këtë fazë me fundin e pushtetit të PPSh-së, por edhe atëherë në mbledhje dhe takime kërkohej të diskutoheshin probleme.
Ka qenë një kohë në Tiranë, diku në vitet 2000 e më pas, kur rehabilitimi I një rruge, vendosja e ndriçimit, krijonte gëzim dhe shihej me entuziazëm. Punë të bëra nga bashkia e aso kohe, por edhe pasojë e strukturimit ekonomik që solli pushteti I PS-së pas vitit 1997. Por a mund të thuhet se punët e tjera nuk vlejnë? Se reformat, ndërhyrjet ligjore, ristrukturimet, nuk janë të rëndësishme? Po thamë këtë, atëherë më së paku do të kemi mbivlerësuar punët kozmetike me të cilat edhe sot një përfaqësues politik si Erjon Veliaj, përmbyt ekranet dhe mediat online. Dhe me këtë mbivlerësim nuk bëjmë gjë tjetër veçse kapërdijmë një gënjeshtër, për të ulur standardin e gjykimit të punëve të vërteta.
Shembull i përpjekjes për manipulim është patjetër kryeministri Edi Rama, i cili ka nisur fushatë të vërtetë në Facebook ku përmes fotomontazheve që fyejnë inteligjencën e kujtdo, na thotë se punë të mëdha janë bërë nga viti 2013 e më pas. Sigurisht që edhe punë janë bërë, por të krijosh standard krahasimi me një vit në të cilin PS-ja u akreditua në parlament me një million vota, është të tradhëtosh me dorën tënde atë sukses që pretendon se ke arritur. Në mbarim të zgjedhjeve të vitit 2013, një përfaqësuese e PD-së, deklaroi se vota ishte e çuditshme, duke sjellë si shembull rrugën Tiranë – Elbasan, të sapopërfunduar – një punë vërtet e madhe, por që nuk solli asnjë benefit elektoral për qeverinë e asaj kohe. Përkundrazi. Çfarë shtyn atëherë një kryeministër të vendosë këtë metë krahasimi, kur mesazhi I 2013-ës ishte “shikojmë përpara?”
Me siguri që mbajtja gjallë e dikotomisë “ne” dhe “ata” është mënyra më e mirë për të manipuluar të pakënaqurit, por edhe ndoshta e vetmja mënyrë për të nxjerrë në pah punët. Më poshtë disa foto të postuara nga kryeministri montimi I të cilave është fare i papranueshëm: foto bardh e zi, kënd I ngushtë për fotot e vitit 2013, pamje nga lart, ndriçim, ngjyra për vitin 2017. Kartolina të këtilla janë fyerje, kuptohet për ata që kanë dinjitet dhe janë të aftë të fyhen, ato me siguri janë të dobishme vetëm për ata studentë ekselence që kanë pranuar stazhin e partisë si pikënisje të karrierës. Është fatkeqësi të mendosh se këto kartolina gëlltiten si tagse kundër – Berishë, ndërkohë që gjykimi mbi një qeveri do të duhet të jetë pak më objektiv. Të kujtojmë të gjithë se vetëm dje prokuoria mbylli hetimet për konçesionet e shëndetësisë duke pastruar figurën e një njeriu të superakuzuar si Ilir Beqja. Nëse nuk kemi të drejtën e akuzës, kemi patjetër të drejtën e dyshimit në një vend të vogël, ku transformimet e disave janë të kapshme edhe në hollësi banale./Respublica.al
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu