Ja një listë këshillash sa argëtuese aq edhe të vlefshme për të mësuar sa më shpejt gjuhët e huaja: nga filmat, këngët e deri te komunikimi i përditshëm për të pasuruar fjalorin. Por mbi të gjitha, mos kini frikë nga gabimet.
Të mësosh një gjuhë të huaj, përveçse domosdoshmëri në kohën e globalizimit, është edhe një eksperiencë shumë e bukur. Të bën të njohësh kultura të reja dhe të dish të komunikosh me njerëz të rinj. Në fillim interesi është shumë i madh, por më vonë me kalimin e kohës prioritetet ndryshojnë dhe të duket gjithmonë e më e vështirë që të bësh “llogaritë” me librin e vështirë të gramatikës, që duhet patjetër ta lexosh. Ajo që të duhet është një strategji ndihmëse, e cila të ndihmon të mos humbasësh për asnjë ditë “stërvitjen”. Kjo disiplinë mund të ndihmojë, por për ata që nuk e kanë një virtyt të tillë kemi edhe një listë këshillash sa argëtuese aq edhe të vlefshme.1. Të dëgjosh këngë.
Mundohuni të gjeni tekstet e këngëve në gjuhën që ti kërkon të mësosh. Përpiqu t’i fiksosh fjalët dhe pastaj këndoje. Kjo do të ndihmojë shumë të kujtosh shprehje të reja, por edhe gramatikën. Truri yt do të mësojë të njohë modele linguistike, që më pas gjatë ndonjë bisede do të rikthehen në mendje me shumë lehtësi. Kjo mënyrë është shumë e mirë, sepse përsërit, dëgjon dhe vendos në praktikë jo vetëm fjalët dhe gramatikën, por edhe ritmin dhe tingullin e gjuhës. Ndërkaq, të kënduarit mund t’ju bëjë të ushtroheni në mënyrën se si duhet t’i thoni fjalët.2. Të lexosh libra për fëmijë.
Është një mënyrë shumë e mirë, sidomos nëse sapo ke nisur të mësosh një gjuhë të huaj. Pikërisht kështu fëmijët nisin të ushtrohen. Mendja jote do të memorizojë imazhet dhe do t’i lidhë me fjalët e përdorura.
3. Leximi i librave.
Lexo libra të shkruar në gjuhën që dëshiron të mësosh. Nxirri të gjitha fjalët e reja që nuk i di teksa lexon. Në fillim do të jetë e vështirë, mos mendoni se do të arrini të kuptoni çdo fjalë apo frazë. Me kalimin e kohës do ta kuptosh se fjalori juaj do të nisë të pasurohet pak nga pak.
4. Lexo revista dhe materiale në internet
Lexo revista apo artikuj në internet. Mjafton një artikull i shkurtër çdo ditë. Pastaj mund ta printosh dhe ta lexosh edhe para se të flesh. Zgjidhni zakonisht tekste të thjeshta që e keni më të lehtë t’i kuptoni.
5. Mos ki frikë nga gabimet.
Nga gabimet mund të mësosh shumë. Nuk duhet të kesh frikë apo turp. Nuk duhet të jesh perfekt. Kujto që të gjithë kështu e kanë mësuar gjuhën në fillim. Përpiqu të mësosh disa fraza për t’u përdorur gjatë një bisede në gjuhë të huaj.
6. Shihni shumë filma
Mirë do të ishte që filmat të kishin titra. Përpiqu të gjesh një nga filmat e preferuar në gjuhën që do të mësosh. Kërko filma të shkurtër dhe argëtues. Të mësosh një gjuhë të huaj duhet të jetë gjithmonë një eksperiencë që ju kënaq pa masë.
7. Komuniko me të huaj
Zër miq të huaj. Shoqëria dhe bisedat me ta, qofshin ato edhe virtuale, janë një mënyrë e mirë për të mësuar shpejt dhe rrjedhshëm. Çdo ditë një bisedë e shkurtër të ndihmon të ushtrohesh në gjuhën që do mësosh.
8. Një mësues i mirë i huaj
Metoda më efikase, por edhe më e kushtueshmja për të mësuar një gjuhë të huaj, është të gjesh një mësues të mirë. Por nëse nuk ke mundësi të paguash shumë, atëherë përpiqu të bësh ndonjë shkëmbim: mësoji dikujt gjuhën tënde dhe ti mëso gjuhën e tij.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu