Kryesore
Fotogaleria magjike: Fundi i erës së Klitschko-ve
Ishte një natë magjike ajo e mbrëmshmja për boksin botëror.
U vlerësua si ndeshja e vitit në boks, por ajo u ngrit në nivelet më të larta të këtij sporti burrëror ku britaniku 28-vjeçar, Anthony Joshua, hodhi në tapet “gjyshin” ukrainas Wladimir Klitschko.
Një ndeshje e jashtëzakonshme, ku në tapet fillimisht përfundoi Klitschko që në raundin e tretë, por kurrsesi ai nuk mund ta pranonte këtë gjunjëzim që në fillim dhe arriti të ngrihet e të rikthehet fuqishëm.
Më pas ishte radha e Anthony Joshua të provonte për herë të parë rënien në tapet, por edhe ai tregoi se është një boksier me një ta ardhme të madhe dhe gjeti forca e u rikthye.
Wladimir Klitschko ishte ai që dominoi ndeshjen deri në raundin e 11, por e gjitha rezultoi një strategji pasi Joshua rikuperoi energjitë dhe u rikthye fuqishëm në raundin e parafundit.
28-vjeçari arriti ta hidhte dy herë në tapet ukrainasin, ndërsa më pas ishte arbitri ai që e ndali në furinë e grushteve të pambarimta drejt fytyrës së Klitschko-s, duke e mbyllur ndeshjen me nokaut.
Anthony Joshua i bëri të tijtë 3 gjerdanë nga kjo fitore, ndërsa ruajti vazhdimësine e jashtëzakonshme në karrierën e tij, tashmë me 19 fitore me nokaut në po kaq duele.
Disa media thonë se ky është fundi i erës së Klitschko-ve, dy vëllezërve ukrainas që dominuan këtë sport për një dekadë e gjysmë.
Pasi Vitali i ka hyrë politikës prej kohësh dhe drejton Kievin si kryebashkiak, Wladimir vazhdonte të luftonte.
Mbrëmja e djeshme mund të jetë e fundit për të në boks, ndërkohë që Joshua mund të bëhet i pari miliarder në këtë sport.
Djaloshi që jeton me mamanë i ka mahnitur të gjithë./Mapo
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu