Lidhu me ne

Letersi

Ara e pakorrur

The warm summer sun rises over a sea of wheat near Cottonwood, Montana.

 

Geg Alia trokiti fort në portën e madhe të avllisë së shtëpisë së tij pikërisht në çastet kur po mbuzej nata. Ai shquajti mes plasave të dërrasave të vjetra të portës rrezimet e dritës se oborrit që u ndez, dëgjoi të hapej dera e brendshme, si dhe ndjeu zhurmën e lehtë të hapave të nxituar të së shoqes. Së fundi, llozi kërciti dhe porta u hap me një gërvimë vajtuese.

Margjela u shfaq para tij me duart gjithë brumë. Duke buzëqeshur me një ndjenjë të vockël faji dhe duke picërruar sytë ngase vazhdonte të përtypte të kafshuarën e një ftoi, si të deshte të kërkonte ndjesë për vonesën, ajo tha:

– Po rrihja brumin.

Kali i ngarkuar me dru hyri në oborr duke rrahur fort kalldrëmin me patkoin e së djathtës, që mbahej vetëm me një thumb.

– Nuk dua ta gjej edhe njëherë portën mbyllur, – tha prerë ai ndërsa zgjidhte litarët e barrës, – Ti e di që unë në këtë orë vij gjithmonë.

– Ta kam thënë përse e mbyll, – ia pat gruaja teksa përpiqej ta ndihmonte. – Tani ka pllakosur nata. Nuk dua ta humbas qenin.

E hodhën në tokë barrën e druve dhe e lanë kalin të endej oborrit me litarët e gjatë nëpër këmbë.

Ai mori sëpatën dhe, teksa u nis të hynte në shtëpi, e urdhëroi gruan t’i varte kalit në qafë torbën e tagjisë.

Para dy ditësh, Margjela i kish thënë se në arën e tyre me misër të pakorrur që gjendej prapa shtëpisë, fshihej një ujk. E kish parë teksa përvidhej ngadalë e gjithë zoritje përgjatë vijës së ujit me bishtin nën shalë. “M’u duk si i cokatun. Ecte mundimshëm a thua se kish ndonjë plagë pushke në trup”, pati deklaruar Margjela.

Geg Alia nuk e kishte besuar. “Qeni i Has Brovinës të është dukur si ujk”, i pati thënë ai gruas. Por të nesërmen, Margjela e hasi sërish egërsirën mu në mes të ditës. Kish dashur të korrte, kur befas, vetëm pak metra larg saj, qe shfaqur i njëjti ujk. Kësaj here i shtrirë barkas, koka e ulur rrafsh me tokën, turiri i zgjatur përpara dhe nga sytë e kuq si rubini, buronte një xixëllim i ftohtë dhe i frikshëm! E përdatur për vdekje, ajo qe zbrapsur së prapthi drejt shtëpisë.

Që të dy u ulën ballë për ballë në tryezën e shtruar të hanin darkën. Përtypeshin në heshtje dhe, kur e kur, hidhnin ndonjë fjalë më të rrallë.

– Jam e sigurtë se qe një ujk i sëmurë, – deklaroi gruaja, – Madje herën e dytë, u ndodha kaq pranë tij, sa ia pashë edhe mizat rreth syve.

Burri kërkoi një thelb hudhre dhe ajo u ngrit e ia solli. Ai e griu me thikë sipër pjatës së mbushur me gjellë dhe nisi sërish të hante në heshtje.

– Edhe nesër nuk korr dot, – shpalli më në fund e vendosur ajo, – Jam e bindur, që ndodhet ende aty. E ka bërë arën tonë si shtëpinë e tij!

Tjetri psherëtiu dhe kërkoi një gotë birrë.

– U bëmë me një ujk! – tha. – Tashmë kemi një kalë, një lopë, një qen dhe një ujk! Nuk të duket kjo diçka e veçantë?!

– Gjykoje si të duash, – tha ajo, – Por mua më duket se e veçanta qëndron tek rreziku në shqimth të derës.

E la lugën mbi tavolinë, fshiu buzët me një napë dhe, teksa ngriti shishen për t’i hedhur birrë në gotë, shtoi: – Ta dish që po s’korra këto ditë, do ia behin shirat. Pastaj kush e di sa do të na duhet të presim. Unë them: merr armën dhe dil e gjeje.

– Tani është natë, – tha si me përtesë Geg Alia. – Nesër në mëngjes, nëse do ta gjej në arë, do ta vras.

– Nesër duhet  të shkosh në qytet të blesh ilaçet! – i kujtoi qortueshëm ajo. Ia vendosi gotën e mbushur përpara, u ngrit në këmbë, iu avit dritares, hapi perden me duar e vijoi: – Jashtë ka hënë të plotë. Shihet edhe kokrra e drithit para pulës. A thua se ka  zbardhur mëngjesi! Po të duash vij edhe unë, marrim qenin dhe dalim.

Ai nuk foli. Mori gotën e birrës dhe duke e drejtuar nga gruaja, buzagaz e disi me shpoti tha:

– Për guximin tënd prej burri!

Dhe e piu me fund. U zdërgja njëherë në karrige, ndezi një cigare dhe gogësiu.

– Hëngra shumë, – tha.

Jashtë, herë pas here, qeni angullinte e lëshonte lehje monotone.

I zoti ia njihte lehjet qenit të tij: të zvargura e disi me përtesë karshi kalimtarëve; të rrëmbyera, kur afrohej ndonjë qen i huaj; monotone e si të trembura sa herë ndjente nga larg duhmën e kafshës së egër.

Geg Alia u ngrit ngadalë nga karrigia duke mërmëritur nëpër dhëmbë diçka të pakuptueshme. Por ajo e mori me mend, që ai kish këputur ndonjë të sharë në adresë të sëmundjes.

– Do ziej fier guri t’i pish lëngun, – e ngushëlloi ajo. Dhe u nis të merrte barin që kish mbledhur në vendet e mugëta të skutinave të lagështa rrëzë shkëmbinjve.

Geg Alia nuk foli. Duke mbajtur njërën dorë mbi ijen e majtë, vajti pranë dollapit të futur në mur nga ku nxori prej aty një karabinë pesëshe. Pastaj hapi sirtarin e një komoje të vjetër. Ndërsa rrëmonte në kërkim të fishekëve, u dëgjua pingërrima e një filxhani që ra mbi dyshemenë prej çimentoje. Para dy ditësh kish futur në sirtar katër fishekë me saçma derri, por s’po i gjente! Teksa ngriti filxhanin nga dyshemeja, gruaja i kujtoi se arma ishte e mbushur. Ai tërhoqi shulin prapa dhe u sigurua që fisheku ndodhej në fole.

–  Para se të vije ti, desha të dal njëherë vetë, – shpjegoi Margjela, – por e lashë ngase e mendova punë burrash.

– Mirë ke bëre, – ia pat ai disi i mikluar, – Burrave u rëndojnë ca gjëra më shumë.

U nis të dilte, por në çast u kujtua për kalin, që duhej mbathur. Atëherë ndaloi, u kthye nga e shoqja e dha porosi t’i bënte gati veglat.

– Kthehem shpejt, – tha Geg Alia si të deshte ta qetësonte, – Nëse do ta gjej do ta vras. Por nuk besoj të ketë ndonjë ujk të sëmurë në arën tonë.

Dhjetë minuta më pas, Margjela dëgjoi lehjet e tërbuara të qenit dhe priti krismën habertare të armës, por asnjë e shtënë s’u dëgjua. E ndjeu të shoqin që u kthye nga përplasja e portës që u mbyll si dhe nga kërcitja e llozit. Që nga brenda, gruaja i ndezi atij dritën e oborrit. Pastaj iu avit dritares dhe nisi t’i ndiqte lëvizjet. E pa të endej një copë herë si të deshte të kërkonte diçka të humbur. Ndërsa qeni vazhdonte të lehte e angullinte duke ardhur rrotull tij, ai ia hoqi armës fishekun nga goja, e mbështeti pas murit të avllisë dhe filloi të mblidhte litarët për apllagut të samarit. Ndërkohë Margjela u kujtua se i kish bërë gati veglat: një palë darë të mëdha, çekiçin, një thikë të mprehtë kose, si dhe kutinë e kartonit me thumbat. Doli në oborr me veglat në duar. Ia la burrit në dorë dhe pyeti:

– Nuk e gjete?

– Jo, – tha burri pa e vështruar. – Kërkova  gjithandej nëpër arë, por nuk pashë kurrfarë ujku. Nëse s’të kanë bërë sytë, është larguar. Ujqërit kurrë s’rrinë në një vend.

Ajo ia nguli vështrimin gjithë dyshim. Por ai i ktheu kurrizin dhe, si një mjeshtër i përngeshëm, u përkul të përthyente këmbën e kalit. Tevona e urdhëroi gruan të hynte në shtëpi.

Margjelës i ngriu në majë të buzës pikëpyetja për qenin, që pak më parë kish lehur me tërbim. Hyri brenda me mendjen top që i shoqi e kishte gënjyer.

Kur u kthye, Geg Alia e kish mbathur kalin. I hodhi veglat në surdinën e hapur dhe e mbylli kapakun me këmbë. Pastaj kyçi armën brenda në dollap, piu ashtu siç qe pa u ulur lëngun e barit të egër, dhe së fundi, i kërkoi gruas një copë bukë.

– E dua për qenin, – shpjegoi ai me një zë të pasigurtë duke rrotulluar sytë disi me përhumbje.

– S’ka më, – tha ajo, – Kam zënë brumin dhe nesër me të zbardhur do ta pjek.

– Atëherë me jep pak brumë, – ngulmoi burri.

Ajo vajti dhe ngriti kapakun e një kove të madhe kauçuku, futi dorën, nxori prej aty një dorë të mirë brumë dhe e hodhi në një tas të vjetër bote. Vetëm pas disa minutash, Margjela u kujtua, që e pati ushqyer qenin dy orë para se i shoqi të kthehej nga mali. Deshi t’ia thoshte, por kur doli në oborr, nuk e gjeti të shoqin aty. Ajo vuri re që qeni flinte i kruspullosur rreth vetes, lidhur me zinxhir në qoshen e tij.  Kurse fleta e portës së madhe të avllisë ndodhej gjysmë e hapur!

Të nesërmen, ai u ngrit andej nga ora gjashtë e mëngjesit, duke lënë në shtrat një duhmë kafshe të egër. Tha se lëngu i fierit të gurit i kish bërë mirë. I qe shushatur disi dhimbja në veshka dhe shpalli se kish vendosur të mos shkonte t’i blinte ilaçet.

– Si të duash, – tha gruaja, – Nëse ndjehesh më mirë, mos shko. Mund ta vazhdosh kurën me lëngun e fierit të gurit derisa të shërohesh.

Pastaj shtoi se meqë ishin të dy në shtëpi, do të qe e arsyeshme të nisnin nga korrja. Por ai ia ktheu se nuk do të korrnin edhe për dy javë të tjera!

– E di çfarë?! – Ia bëri pas pak ai në beft si të kish gjetur çelësin e një enigme, – Kësaj here do ta vjelim misrin në këmbë.  Kështu është më mirë: nuk do na duhet as të korrim, as të lidhim dhe as të ngrehim kashtare.

Ajo e pa shtrembër, athua se i shoqi kish nisur t’i kurdiste një rreng të pabesë.

– Mos më shiko ashtu, – e qortoi ai, – Të ka mbërthyer paniku kot së koti. Unë shkoj në mal gati çdo ditë… E bëj këtë, që prej njëzetë e pesë vjetësh dhe ende s’kam parë ndonjë ujk. Kurse ty të fanitet egërsira në prag të shtëpisë!

– Mirë, – u dorëzua ajo, – Bëj si të duash. Veçse s’më vjen mirë të më hedhin hi syve, ta dish.

Dhjetë ditë rresht, burri qëndroi në shtëpi. Piu lëng fieri të zier dhe u kujdes për arën e tij me misër të pakorrur. Mëngjesin e ditës së njëmbëdhjetë, gruaja doli në oborr dhe konstatoi se qeni nuk ndodhej aty. Porta e madhe e oborrit kish qenë e hapur. Më kot e ndolli që t’i vinte, më kot priti t’i dëgjonte të lehurën. Atëherë hyri në shtëpi me teftik dhe, duke u dridhur nga frika e zemërimi, kokërr ndër sy iu hakërrye të shoqit:

– Ma gjej qenin, – i tha me një zë, që iu shkith në grykë.

Geg Alia nuk lëvizi fare nga vendi. Hoqi kapelen, kruajti kokën me strehëzën e saj dhe ra në mendime.

E tërbuar prej zemërimit, ajo vajti me nxitim te dollapi i futur në mur, rrëmbeu armën, i rrasi fishekun në gojë dhe doli në anën e prapme të shtëpisë ku gjendej ara me misrin ende të pakorrur. I ra turravrap mes për mes si një trimëreshë, me shpresën se do ta gjente egërsirën mbi kockat e përgjakura të qenit. Por nuk gjeti asgjë prej gjëje, përveçse një vendine me misër të rrëzuar rrafsh me tokën, ku i zunë sytë atë tasin e vjetër të botës, në të cilin, ditë më parë, ajo pati futur brumin e bukës, që i shoqi të ushqente qenin e shtëpisë.

Ramiz Gjini

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix3 orë më herët

Anita Haradinaj nuk mban dot lotët: Kam kaluar 3 aborte të vështira!

Bashkëshortja e Ramush Haradinaj, Anita ishte e ftuar në podcastin e Orinda Hutës “Mam”, ku beri disa rrefime te patreguara...

Mix3 orë më herët

Nudo dhe seksi, Belen Rodriguez publikon FOTOT HOT në vaskë

Belen Rodriguez ka publikuar foto nudo në vaskën e shtëpisë së saj të re. Bukuroshja argjentinase shfaqet provokuese dhe e...

Mix4 orë më herët

Sa para do të përfitojë Donald Trump nga mandati i tij i dytë?

Shkruar nga Jill Filipovic Trump kaloi 1 nga çdo 3 ditë të 3 viteve të tij të para në detyrë...

Radar1 ditë më herët

Stresi i indinjuar me karikaturën e Sokol Ballës në zyrë

Reperi Stresi ka reaguar ashpër ditën e sotme ndaj gazetarit Sokol Balla. Ai ka ripostuar në ‘story’ në Instagram një...

Mix1 ditë më herët

Victoria Beckham reagon pas aludimeve për ndërhyrje në hundë

Victoria Beckham ka reaguar ndaj thashethemeve të vazhdueshme për ndërhyrje kirurgjikale në hundën e saj. Gjatë një interviste në ‘Today...

Kryesore1 ditë më herët

Noka reagon pas sherrit me Agron Shehajn: Ai është ushtar i “Rilindjes”

Flamur Noka ka reaguar për sherrin që ka pasur me Agron Shehajn në foltoren e Kuvendit. Noka e shtyu me...

Mix1 ditë më herët

Çfarë kanë të përbashkët migrena dhe endometrioza?

Sa herë që përmendet fjala “migrenë” apo “endometriozë,” shumica e njerëzve mendojnë për dy probleme të veçanta. Por ja ku...

Sport1 ditë më herët

Si Carlo Ancelotti shkroi historinë me Real Madrid

Carlo Ancelotti Carlo Ancelotti vazhdon të bëjë histori me Real Madridin. Trajneri italian është bërë trajneri me më shumë tituj...

Mix2 ditë më herët

”Televizioni po shkon drejt llumit” – Alketa Vejsiu ‘përballet’ me Dalina Buzin: Po ‘Andale’ yt çfarë është?

Në podcastin e Alketa Vejsiut, Dalina Buzi, producente dhe një figurë e njohur e televizionit shqiptar, ka dhënë mendimin e...

Mix2 ditë më herët

Syzet inteligjente Ray-Ban Meta tani përkthejnë në kohë reale

Lajme nga Meta për syzet e saj inteligjente. Kompania e Mark Zuckerberg në fakt ka njoftuar se Ray-Ban Meta është...

Facebook