Kush është Ilir Meta?
Ilir Meta është një prej politikanëve më jetëgjatë në jetën politike të Shqipërisë.
Ai është anëtar i Kuvendit që prej 22 marsit të vitit 1992, në parlamentin e parë pluralist. Zoti Meta është zgjedhur deputet në gjitha legjislaturat duke qenë gjithnjë aktiv në skenën politike.
Ilir Meta njihet si ndër themeluesit e Forumit të Rinisë Eurosocialiste (FRESSH), në të cilin për tre vite (1992-1995) ka qenë nënkryetar, e më pas deri në vitin 2001, kryetar.
Gjatë gjithë këtyre viteve Zoti Meta kishte dhe role drejtuese në Partinë Socialiste të Tiranës.
Aktiviteti politik i Ilir Metës përfshin edhe një periudhë të drejtimit të qeverisë, ku ka shërbyer si Kryeministër gjatë periudhës nëntor 1999 – shtator 2001. Pas fitores së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001, ai u rimandatua si Kryeministër. Në shkurt 2002, zoti Meta dha dorëheqjen nga detyra.
Më pas në korrik të vitit 2003, pas debateve me Kryeministrin e asaj kohe Fatos Nanon, Zoti Meta dha dorëheqjen nga pozicionet e tij në PS dhe bashkë me një grup mbështetësish formoi Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI).
Në zgjedhjet e vitit 2005, LSI, me 8,4 për qind të votave, fitoi 5 deputetë, duke ndikuar ndjeshëm dhe në daljen e PS-së në opozitë.
Më pas në zgjedhjet e vitit 2009, LSI fitoi 4 deputetë dhe u përfshi në koalicionin qeverisës bashkë me Partinë Demokratike. Zoti Meta u emërua ZëvendësKryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme.
Më pas, nga shtatori 2010 deri në janar 2011, Ilir Meta ishte Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës.
Në prill të vitit 2013, Zoti Meta braktisi koalicionin qeverisës me PD-dë dhe firmosi koalicionin parazgjedhor me Partinë Socialiste. Në zgjedhjet e 2013-ës, LSI fitoi 16 mandate dhe Ilir Meta u emërua Kryetar i Kuvendit.
Pak orë përpara votimit të sotëm, Ilir Meta është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Autoriteti Shtetëror i Dosjeve si figurë e pastër dhe pa pengesa ligjore për të kandiduar.
Zoti Meta zgjidhet President, dhe do të marrë zyrtarisht detyrën më 24 korrik 2017, ditë kur mbaron mandati i Presidentit aktual Bujar Nishani.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu