Për më shumë se një shekull besohej se fundosja e “Titanic” ndodhi vetëm për shkak të një përplasje fatale me një ajsberg. Pothuajse 105 vjet nga fatkeqësia, kërkimet kanë identifikuar një faktor potencial të ri, që kontribuoi për fundosjen e gjigandit, një zjarr.
Një studim i ri mbi fotografitë e rralla të marra nga inxhinierët kryesorë të elektroteknikës së anijes, ka treguar se një pjesë e anës së djathtë të anijes ishte e mbuluar me shenja të zeza, nëntë metra të gjata. Këto besohet të jenë gjurmët e një zjarri, që vazhdoi për disa javë, pasi qymyri në një depozitë lënde djegëse u ndez gjatë testeve të shpejtësisë, ndërsa anija ndodhej ende në Southampton të Britanisë së Madhe.
“White Star Lines” vendosi të mos i njoftojë pasagjerët dhe anija lundroi, ndërsa zjarri vazhdonte të digjej. Flaka u shua përfundimisht gjatë kalimit transatlantik, por dëmi ishte bërë tashmë dhe fati i anijes ishte vulosur.
Ekspertët pohojnë se temperatura e zjarrit arriti në 1.000 gradë Celsius, gjë që dobësoi një pjesë të çelikut në krahun e anijes, deri në 75 përqind.
Zjarri gjithashtu mund të jetë arsyeja pse Titaniku po udhëtonte aq shpejtë në një vend ku dihej se kishte ajsbergë. Për të fikur zjarrin, ekuipazhi po hidhte qymyrin e djegur në kaldaja, prandaj ndodhi edhe përshpejtimi i anijes.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu