Historia interesante e vajzës që kërkon të sigurojë strehë për familjen duke shitur bombone rrugëve të Tiranës

Ka nisur të shesë bombone nëpër rrugët e Tiranës me synimin për të blerë një shtëpi. Është 10-vjeçarja që kërkon të sfidojë varfërinë e t’i dalë për zot familjes për t’i siguruar strehë.
E ftuar në “Oktapod” nga Turjan Hyska, Jona 10-vjeçare, flet për historinë e saj dhe ambiciet për t’u bërë kryetare e Bashkisë së Tiranës. E ka një model dhe pikërisht kryebashkiakun aktual Erion Veliaj. E ka nisur karrierën duke shitur fiq dhe këtu nis ngjashmëria me historinë e Jonës, të paktën kështu mendon Jona. Kur Erioni shiti fiq e u bë kryebashkiak, pse të mos bëhet edhe ajo që po shet bombone.
“Dua të bëhem si Erion Veliaj sepse ai ndërton kopshte për të vegjlit. Unë kam të përbashkët me të, se ai ka shitur fiq, ndërsa unë bonbone. Do bëhem kryebashkiake e Tiranës në të ardhmen”, – tregon ajo.
Jona thotë se ka shumë njerëz në rrugë që e mbështesin ëndrrën e saj dhe e frymëzojnë të vazhdojë të besojë në dëshirën e saj, sikundër ka edhe njerëz që nuk e presin mirë dhe i thonë që ajo që kërkon është e pamundur të arrihet. Por që vajza e vogël me një buzëqeshje të ëmbël, nuk trembet, por kësaj sfide të madhe i buzëqesh dhe thotë që ajo nuk do të dorëzohet dhe do të besojë në ëndrrën e saj.